Si na ndihmon Fryma e Shenjtë?
Pyetja 37
Si na ndihmon Fryma e Shenjtë?
Fryma e Shenjtë na bind për mëkatin tonë, na ngushëllon, na drejton, na jep dhunti frymërore si dhe dëshirën që t’i bindemi Perëndisë; Ai na aftëson të lutemi dhe të kuptojmë Fjalën e Perëndisë.
Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë, duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje.
Efesianëve 6:17–18
Komentim
Fryma e Shenjtë që banon në ne na siguron udhëzim dhe drejtim. Ai vazhdimisht na ndriçon thellë mendjen, na jep sy për të parë, kuptim, ndriçon brenda nesh, na zhvendos nga errësira në dritë të mrekullueshme, dhe kështu kemi mundësi të shohim udhën, të njohim shtigjet, dhe të dallojmë gjërat e Perëndisë. Ai na jep një kuptim dhe dritë të re, dhe kështu në përgjithësi aftësohemi të “dallojmë, kuptojmë dhe pranojmë gjërat frymërore,”… Për të marrë, për të menduar, dhe përqafuar një të vërtetë të caktuar apo për të hedhur poshtë atë që shkon kundra saj kërkohet shumë më tepër sesa një ndriçim i zakonshëm. Edhe kjo është vepër e Frymës së Shenjtë që banon në ne… ai e vesh çdo të vërtetë me një lavdi të re, duke e bërë kështu të dëshirueshme për shpirtin. Përmes derdhjes së Frymës në ne vjen si forca ashtu edhe drita; forcë për të pranuar dhe praktikuar të gjitha zbulimet e tij të hirshme ndaj nesh… Përmes këtij banimi të brendshëm të Frymës kemi gjithashtu edhe mbështetje. Zemrat tona janë gati të dështojnë dhe të rrëzohen para sprovave tona; në fakt, mjafton edhe një gjë e vogël për të na bërë të rrëzohemi: mishi, zemra dhe gjithë sa është brenda nesh shumë shpejt mund të na lënë në baltë. Fryma na ndihmon, ai e forcon atë dobësi që është gati të na bëjë të dorëzohemi. Sa shpesh duhet të mbingarkohemi me barrët tona, a nuk e ka sjellë fuqinë e Tij Fryma për t’i mbajtur dhe për të na mbështetur… Ai është Fryma e hirit… Ai është Fryma e shenjtërisë… Ai është Fryma e gëzimit dhe ngushëllimit… Ai është i Larti dhe i Shenjti që banon në përjetësi i Cili ka zgjedhur të banojë edhe me mua.
Gjon Ouen (John Owen, 1616–1683). Teolog Puritan Anglez. Ouen shkoi të studionte në Universitetin e Oksfordit në moshën 12 vjeçare, fitoi doktoraturën në moshën 19 vjeçare dhe u bë pastor në moshën 21 vjeçare. Vite më vonë ai u caktua nën President i Universitetit. Ai predikoi në parlamentin Anglez një ditë pas ekzekutimit të Mbretit Çarls I duke e plotësuar këtë detyrë pa iu referuar direkt ngjarjes së një dite më parë. Gjon Ouen shkroi shumë vepra voluminoze ku përfshihen edhe trajtime historike për fenë dhe disa studime për Frymën e Shenjtë.
Lutje
Dhe tani o Frymë e Shenjtë, dashuri e Perëndisë, që del prej Atit të Gjithëfuqishëm dhe Birit të Tij shumë të dashur, avokat i fuqishëm, dhe ngushëllues i ëmbël, derdhe hirin tënd dhe zbrit bollshëm në zemrën time; ndriçoji skutat e errëta të kësaj banese të harruar, dhe përhap aty rrezet e tua të gëzuara! Bano në këtë shpirt që digjet nga dëshira të jetë temuplli yt; ujite këtë tokë të shkretë të mbushur me ferra dhe murriza, këtë tokë të humbur për shkak se nuk është kultivuar dhe bëje të frytshme me vesën tënde prej qiellit… Të pëlqeftë Ty të vish tek unë, Ty o ngushëllues mirëdashës i shpirtrave që vajtojnë, Ti o mbrojtje e fuqishme në shtrëngim dhe ndihmë gjithnjë e gatshme në kohë nevoje. Eja o zhuritës i gjithë ndotjeve të brendshme, eja o shërues i plagëve dhe sëmundjeve frymërore. Eja o fuqi e të dobëtit, Ti që i ngre ata që rrëzohen. Eja Ti që i ul krenarët dhe mësues i të përulurve dhe zemërbutëve. Eja, eja Ti o shpresa e të varfrit dhe freskuesi i atyre që lëngojnë dhe ligështohen… Eja Frymë e Shenjtë me shumë mëshirë, eja, më bëj të etur për të të pranuar Ty, denjo të shohësh dobësitë e mia, mos u përçmoftë vogëlsia ime prej madhështisë sate, as dobësia ime prej fuqisë tënde: të gjitha këto t’i lyp për hir të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tim të vetëm, Atij që është në unitet me Ty o Frymë e Shenjtë, që jeton dhe mbretëron bashkë me Atin, një Perëndi në përjetësi.
Augustini i Hipos (354-430). Augustini ishte peshkopi i Hipos, një koloni Romake në Afrikën e Veriut. Ai ishte filozof, teolog dhe konsiderohet shenjtor dhe Doktor i Kishës si nga Kisha Katolike ashtu dhe nga Bashkësia Anglikane. Ai shkroi një libër për kthimin e tij në besim të cilin e titulloi ‘Rrëfimet’. Kjo është vepra e tij më e njohur, por në të njëjtë kohë Augustini është një prej autorëve Latinë më të frytshëm për sa i përket veprave që i kanë mbijetuar kohës me qindra tituj të veçantë (vepra apologjetike, tekste për doktrinën e krishterë, dhe komentarë) dhe më shumë se 350 predikime të ruajtura deri më sot.
New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.