Trajtim ndryshe – John MacDuff
“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”
“I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht. ‘Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia’, thotë Zoti.” – Isaia 55:7-8
Mendimi i çmuar i këtij vargu është “pasuritë e pa hulumtueshme të hirit të Perëndisë;” kontrasti mes gjykimeve të Tij – dhe mirësive të Tij. Braktisja është “për një moment të shkurtër,” grumbullimi është “me mëshirë të madhe.” Fytyra e fshehur është “vetëm për një moment,” dhe “në pak zemërim” – “mëshira” shoqërohet “me mirësinë e përjetshme.” Gjykimi është vepra e Tij e habitshme. Ai është i fortë për të goditur – por është edhe më i fortë për të shpëtuar.
Çfarë inkurajimi për çdo besimtar që ka rrëshqitur që të kthehet! Ai nuk do të përballet me ftohtësi, qortim, rezervim apo distancë – por ne një mikpritje falëse! Ajo tablo e ungjillit për atin që e pranon plëngprishësin e humbur mund të konsiderohet si portretizim i mendimeve të Zotit të mishëruara në veprime. Ai i jep puthjen, robën, unzën, festën. Në fytyrën e atij Ati nuk ka as edhe një vrenjtje – e gjithë e kaluara plot gabime është varrosur në harresën e përjetshme!
Për më tepër, harrimi nga ana e Tij është shumë i dukshëm. Dielli shkëlqen më fort se kurrë pas atyre reve të përkohshme që e kanë mbuluar. Guri apo shkëmbi e pengon rrjedhën e lumit vetëm “për një moment.” Kjo ndodh vetëm “për një moment,” dhe pastaj rrokulliset dhe bie në thellësi dhe lumi vazhdon të rrjedhë po aq i thellë dhe i qetë sa dhe më parë, në volumin e tij të plotë të “mirësisë së përjetshme.”
Më takon mua që nëse rrjedha është penguar të kërkoj dhe ta largoj pengesën; nëse fytyra e Perëndisë është e fshehur – të zbuloj retë që e pengojnë diellin; nëse jeta frymërore është dobësuar – të gjej arsyen e fshehtë të kësaj dobësie të mjerueshme – qoftë ky një privilegj i neglizhuar, një detyrë që kam lënë pas dore, një mëkat i fshehtë, një lojë me tundimin, apo një frymë e botës që ka zënë vend në mua. “Do t’i them Perëndisë, Shkëmbit tim, pse më ke braktisur?”
Oh sa e lehtë është që të ndoten dritaret e shpirtit, të dobësohet dhe turbullohet pamja frymërore! Vërtet sa i vogël që është krimbi i cili i bën gëzimet frymërore të fishken dhe të dobësohen! Sa pak kërkohet që të ndryshket çelësi i lutjes, që të këputen krahët e besimit, që të shuhen flakët e dashurisë, dhe mbetemi larg veshit të dashur të Perëndisë! “Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.” “A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti? Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.”
“Thoughts of God” by John MacDuff
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!