Udhëzim në errësirë – John MacDuff

“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”

“Do t’i bëj të verbrit të ecin nëpër një rrugë që ata nuk e njihnin dhe do t’i çoj nëpër shtigje të panjohura; do të ndryshoj para tyre terrin në dritë dhe vendet dredha-dredha në fushë. Këto gjëra do të bëj për ta dhe nuk do t’i braktis.” ‭‭Isaia‬ ‭42:16‬

Ka raste kur mënyra sesi Perëndia e trajton popullin e Tij është konfuzuese – kur mendimet e Tij janë tepër të thella – kur rrugët e Tij janë të pa hulumtueshme – kur e tashmja është plot me vështirësi dhe e ardhmja plot me ankth. Gjendja e tyre është si ajo e një të verbëri që përpiqet të orientohet verbazi – e gjithë jeta është si një labirint i ngatërruar në të cilën e kanë humbur fillin e drejtimit. Shtegu i tyre duket i mbyllur. Faraoni është pas tyre dhe Deti i Kuq i trazuar qëndron para tyre – ndjenja e tyre është, “Jemi zënë rob, shkretëtira na ka rrethuar.”

Ata mund të jenë hutuar nga përpjekja për të zgjidhur një çështje të detyrës. Përfshirja dhe fati i një jetë mund të varet nga zgjedhja e një momenti. Ata mund të ndiejnë përgjegjësinë e të vendosurit mes pretendimeve rivale dhe konkuruese; duke u dridhur dhe duke u frikësuar se mos ndodh që një motiv egoist, mishor dhe i padenjë përzjehet me vendimin e tyre – e megjithatë përjetojnë një paaftësi të dhimshme për të vendosur se çfarë është më e mira.

Dëgjoi ti i hutuar dhe i shkurajuar – mes këtyre mendimeve të ngatërruara, të lëkundura dhe plot ankth qoftë ky ngushëllimi yt: Mendimet e Perëndisë janë fokusuar mbi ty! Ai është udhëheqësi i të verbërve. Ai thotë, “Folu bijve të Izraelit që të mund të shkojnë përpara.” Në orën e krizës së vështirësisë dhe sprovës Ai do t’u shfaqet gjithë njerëzve të tij që e kërkojnë dhe besojnë tek Ai dhe do t’iu japë udhëzim ose çlirim – ndoshta, jo atë që ata prisnin – por atë që Ai e di se është më e mira për ta! Gjatë rojës së katërt të natës Jezusi erdhi tek dishepujt e Tij – duke ecur mbi ujëra. “Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vende të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin. Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej. Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre; dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin.”

Mbështetu tek Perëndia i resë dhe i kolonës së zjarrit. Ashtu si bëri me Izraelin, Ai do të të kalojë edhe ty “në këmbë përmes përmbytjes.” Qortimi i Tij i butë për shpirtin mosbesues është, “Rri i qetë dhe dije që unë jam Perëndi.” Oh si do të çlirojhej jeta prej anktheve, si do të hiqej thumbi nga shumë ndërdyshje, nëse do të ishim të kujdesshëm ta dëgjonim zërin e Tij (shprehjen dhe shqiptimin e ‘mendimeve të Tij të çmuara’), “Kjo është udha – ec në të.” “Një rrugë e mrekullueshme – një rrugë e ëmbël – por, pavarësisht gjithë përuljeve të saj, është rruga e DREJTë.” (Evans)

Po, e besoj, “Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.” Besoji udhëzimit të pagabueshëm. Qoftë kjo vendosmëria jote e lartë, “E kam vendosur besimin tim në Zotin.” Konsideroje çdo ndryshim të ri në jetë – si një “mendim” të mençur provanie të Atit tënd qiellor! Bëje lutjen tënde të zellshme me fjalët e Nehemias, “Mos më harro o Perëndia im, për të më bërë të mira.”

Kështu, duke e vendosur rastin tënd në duart e Tij dhe duke e lënë atje, “Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.” E shkuara juaj mund të jetë e trazuar dhe e ngatërruar – megjithatë, mund të ketë pasur edhe bekime të shquara – plot me kujtime të mendimeve të dashura të Perëndisë – me ndërhyrjet e Tij të hirshme – me çlirimet e Tij të veçanta! Bëjini këto argument dhe arsye për një besim të dukshëm në të ardhmen, “Ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Perëndi i shpëtimit tim.” “Ai që është i urtë le t’i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit.”


“Thoughts of God” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*