19 Qershor – Octavius Winslow

“Ti me ke vajosur me vaj të freskët.” ‭Psalm ‭92:10‬

Kush mund ta vërë në dyshim që Zoti i vajos sërish njerëzit e Tij? Sa keq do të ishte për ta, nëse Ai nuk do ta bënte këtë gjë! Sigurimi i bollshëm që ai ka bërë për momentin e urgjencës e vërteton këtë gjë. Në enët e shenjta ka edhe më tepër vaj të çmuar! Oh, çfarë e vërtete e bekuar, e shenjtë dhe ngushëlluese për ata që janë të vetëdijshmë dhe vajtojnë për humbjen e tyre, që dëshirojnë fort ripërtëritjen e tyre. Në Zotin Jezu Krisht banon plotësia e vajosjes. “Në të është plotësia e Frymës.” Ai është gati t’u japë më tepër hir atyre që e kanë humbur hirin, apo që në gjendjen e tyre të tanishme dëshirojnë ta shtojnë hirin. Në rizgjimin ripërtëritës të Frymës merret sërish vajosja. “Më gjallëro!” ishte lutja e përsëritur e Davidit, Çfarë? A nuk ishte ai tashmë një shpirt i rilindur? Nuk ka pikë dyshimi që po. Megjithatë, duke ndjerë nevojën për një rizgjim të ripërtërirë, ai lutet me zell për këtë gjë: “Më gjallëro në të vërtetën tënde, përmes gjykimeve të tua, përmes udhëzimeve të tua: vetëm më gjallëro – sepse këtë dëshiron shpirti im.”

Ndërsa bota ishte duke pyetur, “Kush do të na e tregojë të mirën?” frymëmarrja e zjarrtë e këtij prifti të vajosur të Perëndisë ishte, “Gjallëromë o Zot për hir të emrit tënd.” Kërkoje këtë gjallërim të përtërirë. Në këtë vajosje të re nënkuptohen furnizime të reja hiri prej Krishtit. Hir i ri – për të nënshtruar prishjet e reja, të cilat gjithmonë dalin në sipërfaqe; hir i ri për t’u përballur me tundime të reja, përmes hileve të armikut të cilat gjithmonë marrin forma të tjera; hir i ri për të mposhtur vështirësi të reja, të cilat përherë shfaqen në shtegun për në qiell; dhe hir të ri për të duruar nën sprovat e reja të cilat gjithmonë shfaqe në një botë mundimi. Gëzimet dhe ngushëllimet e ripërtërira të Frymës së Shenjtë gjenden gjithmonë në vajosjen e re. Gëzimet që kanë avulluar zëvendësohen me të tjera; paqja që ishte ndërprerë rrjedh sërish; ngushëllimet të cilat ishin larguar, tani ripërtërihen; dhe siguria në Perëndinë, e cila duke se ishte lëkundur është themeluar sërish në shpirt.

Mos u kënaq me vajosjen e vjetër. Vajosja është thelbësore për një jetëë më të shenjtë dhe më të lumtur; është thelbësore për një vdekje më të paqshme dhe pa zymtësi, të kërkosh që të vajoshesh me vaj të freskët. Mos u kënaq me përjetimet e shkuara. Dikur mund të kesh zotëruar dëshminë e qartë të Frymës; mund të kesh gëzuar dashurinë e Perëndisë në zemrën tënde; mund të kesh jetuar aq afër Krishtit sa të kesh zbuluar “Udhët e diturisë janë udhë të këndshme dhe shtigjet e saj janë shtigje paqeje” por vajosja e vjetër tani nuk të jep më kënaqësinë e madhe të cilën e përjetove dikur. Prandaj, kërko vajosjen e freskët të Frymës. Kërko të kesh një zbulesë të re të Krishtit në shpirtin tënd. Kërko zbatimin e ripërtërirë të gjakut të Tij të çmuar në ndërgjegjen tënde. Oh, kërko vajin e freskët! Në Krishtin ka një furnizim të ri; një furnizim të ri të Frymës; një furnizim të ri në zemrën e Perëndisë; një furnizim të ri në besëlidhjen e hirit. Jezusi është gati ta derdhë mbi shpirtin tënd në mënyrë edhe më të bollshme. Fryma i Shenjtë është gati të të udhëheqë te burimi në të cilin gjendet ky thesar i shtrenjtë. Edhe pse ti je një enë balte, edhe pse kapaciteti yt është i vogël dhe padenjësia jote është e madhe – megjithatë, Perëndia Triun është gati ta dallojë dinjitetin tënd të lartësuar dhe rangun tënd si mbret dhe prif, duke derdhur edhe më bujarisht se më parë vajin e ngazëllimit mbi kokën tënde.

Në mënyrë të veçantë të krishterët e moshuar le të shohin gjendjen e shpirtit të tyre dhe ta kërkojnë këtë vajosje të ripërtërirë. Teksa i afrohen fundit të udhëtimit të tyre, kur pamja e varrit afrohet, dhe përtej ti shohin takimin me Perëndinë dhe Shpëtimtarin e tyre, do kenë nevojë të vajosen me vaj të freskët. Oh si do ta përshkojë jetën e tyre të brenshme qoftë një pikë e vetme duke përhapur energji dhe fuqi! Dhe kështu shpirti do ta ripërtërijë forcën e tij dhe do të bëjë gati krahët e tij të mbledhur për fluturimin e tij qiellor. Eja, shtegtar i lodhur në etapa të shumta! Eja, ushtar që ke fituar shumë beteja të ashpra! Eja, marinar që ke kaluar shumë stuhi dhe shtrëngata, ulu te këmbët e Shpëtimtarit dhe merr nga vaji i freskët! Eja, mblidhi petkat që janë varur, shkunde pluhurin e sandaleve të tua, fshije djersën nga balli yt, dhe prehu për pak në gji të Zotit tënd, ndërsa Ai të vajos me vaj të ri për varrimin tënd. A nuk është momenti që të heqësh dorë nga kërkimi yt i kësaj bote të varfër, dhe t’i lësh mënjanë kujdesin dhe anktin e saj të panevojshëm, të lejosh një pushim të shenjtë, një qetësi solemne – para se ta lëshosh helmetën tënde, para se ta ulësh shkopin dhe të bashkohesh me etërit e tu?


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*