21 Maj – Octavius Winslow

“A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad, a nuk ka atje ndonjë mjek?” ‭‭Jeremia‬ ‭8:22‬

Po, ka! Mjeku është Jezusi, balsami është gjaku i Tij shumë i çmuar. Ai i mjekon zemërthyerit, Ai e shëron shpirtin e plagosur. Gjithë zotësia, gjithë efikasiteti, gjithë butësia dhe simpatia e thellë që nevojitet për këtë punë takohen dhe përqendrohen tek Ai në shkallën më të lartë të mundshme. Prandaj, shpirt i pangushëlluar, këtu sille zemrën tënde të lënduar. Sille thjesht te Jezusi. Një prekje e dorës së Tij ka për ta shëruar plagën. Një pëshpëritje e zërit të Tij ka për ta qetësuar stuhinë. Një pikë e gjakut të Tij ka për ta larguar fajin. Asnjë gjë nuk ka për ta ndihmuar shpirtin tënd veçse një e shkuar me besim tek Ai. Hallin tënd nuk do ta zgjidhë dot asnjë doktor tjetër. Plaga jote është tepër e thellë për t’u shëruar nga ndonjë kurë tjetër. Kjo është çështje jete a vdekjeje, qielli apo ferri. Është urgjencë, krizë, pikë kthese për ty.

Oh sa solemn, sa i veçantë që është ky moment! Duket sikur përjetësia varet prej tij. Gjithë inteligjenca e gjithësisë, frymërat e mirë dhe ata të këqij, duket sikur po e vështrojnë me një interes të veçantë. Sqaroje këtë punë duke shkuar menjëherë te Jezusi. Nënshtroju Perëndisë. Të gjitha gjërat janë gati. Gjaku është derdhur, drejtësia është përmbushur, festa është përgatitur, Perëndia është gati që të falë, po, Ai ka filluar të të afrohet ty, fëmijës së Tij që po rikthehet, për të t’u hedhur në qafë dhe për të të përqafuar, me sigurinë e faljes së Tij të plotë dhe falas.

Mos e lejo thjeshtësinë e kurës të të mbajë larg. Shumë njerëz pengohen në këtë gjë. Është thjesht një shikim besimi: “Më shikoni, dhe shpëtohuni.” Është thjesht një prekje, edhe pse me një dorë të paralizuar “Dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan.” Është thjesht një shpallje e gjerë dhe besuese, “që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët.” Nuk të bëhet thirrje të besosh që Ai erdhi për të të shpëtuar ty; por që Ai i shpëton mëkatarët. Prandaj, nëse pyet, “Por, a do të më shpëtojë mua vallë? Si ta di, që nëse vij tek Ai do të më mikpresë?” Përgjigja jonë është kjo, thjesht provoje Atë. Mos qëndro me bindjen që ke shkuar tepër larg, je tepër i neveritshëm, tepër fajtor, tepër i padenjë, gjersa të kesh shkuar dhe ta kesh provuar Atë. Nuk e ke idenë se si e lëndon Atë, se si e çnderon, dhe se si e trishton Frymën, duke iu dorëzuar dyshimit, po, hijes së dyshimit, në lidhje me gatishmërinë dhe aftësinë e Jezusit për të të shpëtuar, derisa të kesh shkuar tek Ai me besim, dhe ta kesh vënë në provë gatishmërinë dhe zotësinë e Tij.

Mos lejo faktin që kjo kurë është falas të të mbajë larg Tij. Edhe kjo, është një gur pengese për shumë njerëz. Vetë fakti që është falas i frenon. Por është “pa para, dhe pa çmim.” Kuptimi i thjeshtë i kësaj gjëje është, nuk ka asnjë denjësi nga ana e kërkuesit, asnjë meritë nga krijesa, asnjë lot, asnjë bindje e fortë, as besimi, nuk është baza mbi të cilën jepet shërimi. Oh jo! Gjithçka është prej hirit – gjithçka është prej dhuratës falas të Perëndisë, pavarësisht nga ndonjë vlerë apo denjësi tek njeriu. Motivi yt i fuqishëm për të ardhur te Krishti është vetë mëkatshmëria jote. Arsyeja pse shkon te Ai është për shkak se e ke zemrën të thyer, dhe që vetëm Ai mund të ta mjekojë; shpirti yt është i plagosur, vetëm Ai mund të ta shërojë; ndërgjegja jote është e rënduar, vetëm Ai mund të ta lehtësojë; shpirti yt është i humbur, dhe vetëm Ai mund ta shpëtojë.

Kjo është gjithçka ke nevojë për të të rekomanduar para Tij. Krishtit i mjafton që je i mbuluar me faj; që nuk ke asnjë përgjërim që del prej vetes tënde; që nuk ke para për të sjellë në duart e tua, por ke harxhuar gjithçka me doktorët, e megjithatë, në vend që të përmirësoheshe je bërë më keq; që e ke bërë pasurinë tënde rrush e kumblla në një jetë të shthurur, dhe tani ke mbetur pa asnjë gjë; që vërtet ndjen një shtysë për të shkuar drejt Tij, një dëshirë për Të – që kërkon, që lyp, që dëshiron, dhe me zell i përgjërohesh dhembshurisë së Tij – kjo mjafton për Të. Zemra e Tij digjet, dashuria e Tij trazohet, dora e Tij është zgjatur – eja dhe do të mikpritesh te Jezusi, eja.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*