5 Qershor – Octavius Winslow

“I flisni zemrës së Jeruzalemit dhe i shpallni që koha e tij e luftës ka mbaruar, që paudhësia e tij është shlyer, sepse ka marrë nga duart e Zotit dyfishin për të gjitha mëkatet e tij”.” ‭‭Isaia‬ ‭40:2‬

Duke vulosur ndjesinë e faljes në ndërgjegje, Perëndia e ngushëllon të pangushëlluarit. Nuk ka asnjë ngushëllim të barabartë me këtë. Sikurse pikëllimi ynë më i thellë rrjedh nga ndjesia e mëkatit, po kështu dhe gëzimi ynë më i thellë buron nga ndjesia e faljes së tij. Çfarë ngushëllimi mund të ketë atje ku mungon kjo? Çfarë pikëllimi ka atje ku ndihet kjo gjë? “Kush mund të të shqetësojë kur Ai të jep qetësi?” Ky ishte ngushëllimi të cilin Perëndia e urdhëroi profetin t’ia shpallte Jerusalemit të Tij frymëror. “I thuaj që mëkatet e saj janë falur.” Ky është mesazhi që Zoti ia dërgon gjithë Kishës së Tij. Të gjithë shenjtorët e Tij e kanë këtë ngushëllim. O besimtar, mëkatet tona janë falur. “I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë,” thotë Zoti.

Nuk po të bëhet thirrje të besosh që Perëndia do të falë, por që Ai të ka falur. Falja është një veprim i të shkuarës; ndjesia e saj është e shkruar në ndërgjegje është përjetim i të tashmes. “Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur përgjithnjë ata që shenjtërohen,” i ka larguar përgjithmonë mëkatet e tyre. Besimi në gjakun e Jezusit e sjell shpirtin në zotërimin e faljes së tashme. Kur Perëndia Frymë i Shenjtë ngulit kështu një ndjesi të mëkatit të falur mbi ndërgjegjen e shqetësuar, të gjitha brengat e tjera humbasin në krahasim me këtë. “Godit o Zot,” thotë Luteri, “e pranoj çdo gjë me gatishmëri, për shkak se mëkatet e mia janë falur.” Kështu o të dashur i ngushëllon Perëndia njerëzit e Tij m ndërgjegjen e trazuar. Atij i pëlqen t’u flasë me ngushëllim zemrave të tyre. A i jep vallë kënaqësi të të shohë të mbartësh barrën e mëkatit të vetëdijshëm ditë pas dite, javë pas jave?

Ah, jo! Ai e ka siguruar mjetin e faljes tënde me një çmim tepër të lartë – asgjë më pak se vetë flijimi i Birit të Tij; e njëta dashuri që e siguroi faljen tënde, a nuk do t’i pëshpërisë vallë zemrës tënde që je i falur? Oh, po; dielli në qiell nuk e lëshon më lirshëm rrezet e tij, vetë drita nuk udhëton më shpejt, rrëketë e malit nuk rrjedhin me më tepër gëzim dhe të papenguara nga sa rrjedh falja e mëkatit prej zemrës së Perëndisë tek vajtuesi i thyer dhe i penduar. A është mëkati telashi yt? Mos po të ka vënë poshtë faji i ndërgjegjes? Ktheje vështrimin lart o shpirt i pa ngushëlluar! Ka falje me Perëndinë. Ai e ka në zemër të të falë. Gjunjëzohu te këmbët e Tij, shko t’i rrëfehesh Perëndisë tënd, vendos dorën mbi kryet e flijimit shlyes dhe pranoje shkeljen tënde, dhe Ai do ta falë paudhësinë dhe mëkatin tënd. Ah, çfarë gëzimi që do të ndiejë zemra jote, çfarë melodi që do të dalë nga buzët e tua, sa me mirënjohje do të dorëzohesh kur Jezusi të të thotë, “Mëkatet e tua janë falur, shko në paqe”!


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*