Vargu më i rëndësishëm i Biblës

nga John Piper

Një dëgjues i quajtur Adam shkruan dhe pyet: “Pastor John, jo shumë kohë më parë të kam dëgjuar në Konferencën Pasioni në Atlanta të Xhorxhias të thuash në një mesazh që Romakëve 3:25 është vargu më i rëndësishëm i Biblës. Pse mendon se është kështu?”

Jam i gëzuar që Adami e ka kapur këtë gjë për shkak se kështu kam thënë. Në fakt ajo që thashë saktësisht ishte: “Mund të mos ndodhë, por nëse dikush do të më vendoste pistoletën në kokë dhe të më detyronte të zgjidhja vargun më të rëndësishëm në Bibël, ky do ishte vargu që do zgjidhja.” Ja arsyeja ime për këtë. Së pari më lejoni ta lexoj vargun, sepse jo të gjithë do ta dinë se çfarë thotë. Romakëve 3:25, “Të cilin e paraqiti Perëndia si pajtimore nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë.”

Mendoj që ky është vargu më i rëndësishëm në Bibël. Si ka mundësi? Pse ta them këtë gjë? Për shkak se këtu përshkruhen dy zgjidhjet më të mahnitshme për dy problemet më të tmerrshme të njerëzimit. Nëse bëni një hulumtim dhe pyesni: Cili është problemi më i madh i njerëzimit? Fare pak njerëz do t’ju thonë: Zemërimi i Perëndisë. Por kështu është. Zemërimi i Perëndisë është problemi më i madh i njerëzimit. Dhe tek ky varg e shihni sesi e vërteta është vendosur pjesë mbi pjesë për mënyrën sesi Perëndia e trajton këtë problem. Kemi pra Perëndinë. Kemi Krishtin. Këto janë vendosur së bashku. Ky është mishërimi. Kemi gjakun e tij. Kjo është shlyerja. Kemi pajtimin. Kjo është thelbi i asaj që ndodh në shlyerje kur zemërimi i Perëndisë hiqet dhe durohet nga Krishti. Kemi nëpërmjet besimit gjë e cila është lajmi më i mirë në botë për shkak se nuk është përmes veprave. Këtu shohim lartësimin e drejtësisë së Perëndisë që do të thotë se kërkesa e drejtë që ai të shpalosë zemërimin është trajtuar, dhe kemi faljen e mëkateve të shkuara që do të thotë se mrekullia përfundimtare është që ai nuk i numëron mëkatet tona kundër nesh. Nuk di ndonjë varg tjetër që të përfshijë kaq shumë gjëra të lavdishme në trajtimin e dy problemeve më të këqija.

Prandaj më lejoni të theksoj diçka. Problemi numër një në gjithësi është zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të gjithë njerëzit për një dënim të përjetshëm (Gjoni 3:36). Nëse nuk besojmë në Jezusin mbetemi, mbetemi përgjithmonë, nëse nuk besojmë mbetemi nën zemërimin e Perëndisë. Apo sikurse e thotë edhe Romakëve 3:5 ku justifikohet zemërimi i Perëndisë. Ai, Perëndia është i drejtë nëse derdh zemërim mbi ne. Prandaj, këto janë dy gjëra. Zemërimi i Perëndisë dhe drejtësia e Tij kërkojnë zemërim. Nuk është që thjesht Perëndia është i zemëruar. Mund të jetë një lloj tiarni i nevrikosur. Por nuk është kështu. Ai është absolutisht i drejtë në zemërimin që ka kundër nesh. Prandaj, këto të vërteta gjenden në këtë varg pas fjalës pajtimore.

Zgjidhjet janë këto: ai derdhi gjakun e tij, domethënë Krishti derdhi gjakun e tij dhe duke e bërë këtë ai paqtoi zemërimin e Perëndisë. Prandaj, flakëhedhësja e… Këtë duhet ta mendoni thellë. Zemërimi i gjithëpushtetshëm, flakëhedhësja e gjithëpushtetshme e zemërimit të Perëndisë është… është gati të shkrehet dhe ndërsa ajo shkrehet, Krishti hyn mes nesh dhe flakëhedhëses dhe duron gjithë fuqinë e saj në veten e tij dhe vdes, dhe për shkak të këtij veprimi ne nuk e provojmë fare nxehtësinë e saj. Ne jemi çluaruar prej saj. Prandaj, problemi më i madh në gjithësi zgjidhet zgjidhet dhe shpallet në këtë varg.

E dyta është që Perëndia është i drejtë nëse derdh zemërimin e Tij, prandaj si mund të ndodhë që të mos e derdhë atë? Përgjigja është kjo: Ai nuk e fut mëkatin poshtë rrogozit. Ai e trajton atë në Birin e Tij dhe si rrjedhim Jezusi e lartëson drejtësinë e Perëndisë. Ajo nuk është që thjesht e largon zemërimin e Perëndisë. Ai lartëson drejtësinë e Perëndisë. Nuk njoh ndonjë varg tjetër në Bibël përveç këtij që e thotë këtë gjë në mënyrë kaq të qartë. Këto janë dy pengesat masive që duhen trajtuar.

Pastaj, në mënyrë të lavdishme thotë: Për t’u pranuar nëpërmjet besimit. Prandaj, nuk më duhet të punoj për këtë gjë. Nuk ka pse të kryej ndonjë gjë. Shoh sesi Perëndia siguron shpëtimin nga Perëndia, për shkak se më do dhe thjesht e mirëpres këtë gjë. E pranoj. Kjo gjë e nderon atë si një Perëndi që e ruan besëlidhjen.

Prandaj mund të vazhdojmë ta diskutojmë këtë varg, por ky është thelbi i tij. Dy problemet më të mëdha në gjithësi zgjidhen prej dy zgjidhjeve më të mëdha. Pastaj, kjo na jepet ne falas me anë të besimit.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*