11 Prill – Octavius Winslow

“Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri.” 1 Gjoni 4:18

A do ta mohojë ai që e ka ndjerë, që “frika ka torturë”? Frika e ligjshme e vdekjes, apo gjykimit, dhe dënimit – frika e cila ngjallet nga një pamje skllavëruese e urdhërimeve të Zotit – një pamje defektive e marrëdhënies së besimtarit me Perëndinë – konceptimet e papërsosura të veprës së përfunduar të Krishtit – kuptimet e pavendosura rreth faktit të madh të pranimit – dorëzimi ndaj fuqisë së mosbesimit – ruajtja e fajit në ndërgjegje, apo ndikimi i ndonjë mëkati të fshehur, do ta mbushin zemrën me torturën e frikës. Disa nga njerëzit më të shquar të Perëndisë janë pikëlluar në këtë mënyrë: ky ishte përjetimi i Jobit – “Më hyn frika nga të gjitha dhimbjet e mia.” “Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet.” “Kur e mendoj këtë, ia kam frikën atij.” Po kështu edhe Davidi – “Kur të kem frikë do të besoj tek ti.” “Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.” Por, “dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën.” Ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashurinë e Krishtit. Qëllimi i dhe prirja e dashurisë së Jezusit të derdhur në zemër është që ta ngrejë shpirtin nga të gjitha “skllavëritë e tij për shkak të frikës së vdekjes,” dhe nga pasojat e saj përfundimtare, dhe ta qetësojë të prehet në atë deklaratë të lavdishme, në të cilën kanë triumfuar shumë nga ata q ëkanë shkuar në lavdi, “Tani pra, nuk ka më asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus.”

Shihni burimin e bekuar prej të cilit rrjedh fitorja e besimtarit mbi çdo skllavëri dhe frikë – Jezusi: jo nga përjetimi i tij i të vërtetës, jo nga provat e pranimit të tij dhe nga birësimi, jo nga vepra e Frymës në zemrën e tij, edhe pse kjo është vërtet vepër e bekuar – por nga jashtë dhe nga larg vetes së tij – nga vetë Jezusi. Gjaku dhe drejtësia e Krishtit, të bazuara mbi dinjitetin dhe lavdinë e pafundme të personit të Tij, dhe të cilat bëhen pjesë e përjetimit të besimtarit përmes Frymës së Shenjtë, këto e dëbojnë nga zemra gjithë frikën e vdekjes dhe të gjykimit, dhe e mbushin atë me një paqe të përsosur. O zemër e frikësuar! Pse je mbushur me këto dyshime ankthi, pse të kanë zënë këto frikëra torturuese, pse je tulatur nga mendimi i vdekjes, pse ke mendime të tilla kaq të largëta, të ashpra dhe pa dashuri rreth Perëndisë? Pse je lidhur me këtë zinxhir dhe ke përfunduar në këtë burg? Nuk je përsosur në dashurinë e Jezusit, sepse “dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën.” Nuk je përsosur në atë të vërtetë të madhe që Jezusi është i pushtetshëm për të shpëtuar, që Ai vdiq për një mëkatar të mjerë, që vdekja e Tij ishte përmbushja e përsosur e drejtësisë Hyjnore; dhe që pa asnjë vepër merite nga ana jote, ashtu sikurse je, i varfër, bosh, i ndyrë, i padenjë, i pavlerë, je mirëpritur tek furnizimi i pasur i hirit sovran dhe dashurisë që vdiq për ty. Besimi i thjeshtë i kësaj do ta përsosë zemrën tënde në dashuri; dhe dashuria e përsosur ka për të zhdukur çdo frikë skllavëruese. Kërko të përsosesh në dashurinë e Krishtit. Ajo dashuri është një oqean i pamatshëm, gjerësinë e saj nuk mund ta kapë dot asnjë mendje – lartësisë së saj nuk mund t’i ngjitet dot asnjë mendim.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*