17 Qershor – Octavius Winslow

“Ti i del para atij që kënaqet në zbatimin e drejtësisë dhe kujtohet për ty në rrugët e tua.” ‭‭Isaia‬ ‭64:5‬

Le të mos dështojmë të mësojmë sekretin e marrjes edhe më shumë prej Krishtit – shpërndarja falas dhe kudo e asaj që tashmë kemi marrë. Të jeni të sigurt për këtë, ai që bën më shumë për Perëndinë do të marrë më shumë prej Perëndisë: “Shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht. Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh. Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur.” Ky është ligji i Perëndisë, dhe Ai nuk ka për ta anuluar kurrë; është premtimi i Tij, dhe ai do ta përmbushë në çdo rast.

Besimtar në Krishtin, ec përpara, dhe shpërndaji rrezet e dritës tënde, bëj që të përhapen kudo rrjedhat e hirit; jeto për Perëndinë, vuaj për Krishtin, dëshmo për të vërtetën, dhe mundohu për njerëzit. Bëhu një enë e tillë e këtij thesari që të ata të cilët janë më pak ta favorizuar se ti, më pak të udhëzuar, më pak të drejtuar dhe më pak të forcuar në urtësi, përjetim dhe hir të mund të vazhdojnë udhën e tyre, duke përlëvduar Perëndinë për hirin që ju është dhënë ju. Oh, sikur ta kishim fjalën e Perëndisë të banonte në ne me begati, dhe zemrat tona të shndritnin fuqishëm me dashurinë e Krishtit, dhe të ishim gjithmonë gati t’i përdornim buzët tona për Perëndinë si një burim që gufon gjithmonë.

Ky pra, është sekreti i zgjerimit të depozitave tona, duke i përhapur ato – kështu rimbushen burimet tona, duke i derdhur ato. Sërish pyesim, kush është varfëruar ndonjëherë duke dhënë dhe duke punuar për Perëndinë? Ku është administratori i krishterë që përmes besnikërisë ndaj interesave të Zotërisë së tij e ka kompromentuar mirëqenien e vet? Ku është i krishteri i cili me bujari të gëzueshme e ka kushtuar pasurinë e tij intelektuale apo atë të përkoshme për ta përhapur të vërtetën dhe mbretërinë e Jezusit, të cilin Krishti nuk e ka shpërblyer një mijëfish? Ku është besimtari në Jezusin i cili ka duruar poshtërim dhe vuajtje, me durim dhe në heshtje për hir të ndërgjegjes, për hir të së vërtetës, për hir të Krishtit, i cili nuk ka fituar pafundësisht më tepër në prehjen që ai ka gjetur në Perëndinë?

Ku është i krishteri aktiv, i cili punon me zell për t’i përhapur ujërat jetëdhënës, që të mos e ketë ndjerë në tërheqjen solemne dhe të qetë të dhomëzës së tij, ndërsa i ka derdhur pikëllimet e tij në gji të Shpëtimtarit, apo në ruajtjen e një bashkësie të ngushtë dhe të shenjtë me Perëndinë, se si i është ngjallur në shpirt një burim i fshehur paqeje, gëzimi dhe dashurie, i cili ka bërë shumë më tepër se t’ia ripërtërijë energjitë që i janë harxhuar, dhe e ka shpërblyer për sakrificën që ka bërë? Perëndia i takon njerëzit e tij në të gjitha veprat e besimit dhe në të gjitha mundimet e dashurisë. Ata nuk janë kurrë vetëm. Ai i takon në shtegun e detyrës dhe sprovës – si duke bërë ashtu dhe duke vuajtur për vullnetin e Tij. Kur janë të turpëruar, Ai i takon me këshillë; kur janë të sulmuar, Ai i takon me mbrojtje; kur janë të lodhur, Ai i takon me fuqi; kur janë të këptur, Ai i takon me ilaçin rigjallërues.
Nëse e marrim mbi supe kryqin e Krishtit, Krishti do të na marrë ne dhe kryqin tonë në krahët e Tij. Nëse e ulim qafën tonë poshtë zgjedhës së Tij, dhe e përkulim shpinën për barrën e Tij, do të gjejmë prehjen tonë në të dyja.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*