11 Tetor – Octavius Winslow

11 Tetor

“Kush prej jush ka frikë nga Zoti dhe dëgjon zërin e shërbëtorit të tij? Kush ecën në terr pa asnjë dritë, le të ketë besim në emrin e Zotit dhe të mbështehet te Perëndia i tij!” Isaia 50:10

Sa i prirur është besimtari t’i japë një rëndësi të pabazuar faktit të thjeshtë të ngushëllimit; t’i lërë vend ndjenjës që kur ngushëllimi zhduket, çdo e mirë tjetër zhduket bashkë me të. Kështu në fakt e bën vetë pozitën e shpirtit të tij të varet prej mbi një emocion të lëkundshëm. Por le të kujtojmë se ngushëllimi i hirit mund të ndërpritet, e megjithatë të kemi ende praninë e hirit; që lavdia e besimit mund të errësohet, e megjithatë parimi i besimit të vazhdojë.

Meditoni përmes një shembulli të spikatur të kësaj nga vetë Zoti ynë në kryq. A kishte pasur ndonjëherë një pikëllim si pikëllimi i Tij? A kishte pasur ndonjëherë një braktisje si braktisja e Tij? Çdo burim ngushëllimi ishte tharë. Çdo rreze drite ishte errësuar. Çdo gëzim real ishte tërhequr. Shpirti i tij njerëzor po kalonte përmes eklipisit të tij të plotë dhe të çuditshëm. Megjithatë besimi i tij ishte kapur fort pas Perëndisë.

Dëgjoje Atë që thërret, “Perëndia im, Perëndia im!” I Pushtetshmi im! I Pushtetshmi im! Shpirti i tij ishte në stuhi, oh çfarë stuhie që ishte kjo, por ama ai e kishte hedhur spirancën në mënyrë të sigurt mbi Atin e Tij. Në rastin e tij mungonte çdo ngushëllim, çdo rrjedhë ngushëllimi ishte ndërprerë; e megjithatë në renë më të errët që ia rrethoi shpirtin, dhe në pikëllimin më të thellë që ia theu ndonjëherë zemrën, Ai e mbështeti shpirtin e Tij në Perëndinë.

Pse vallë të ndodhë që besimtari, ndjekësi i Krishtit, kur i hiqet ngushëllimi i ndjeshëm, “ta hedhë tej guximin e tij, i cili do të ketë një shpërblim të madh?” Për çfarë na hyn në punë sipranca veçse për ta mbajtur të sigurt anijen në mes të stuhisë? Çfarë marrëzie është për marinarin që ta ngrejë spirancën apo ta presë litarin kur retë e errëta po mblidhen dhe valët po shkumojnë! Ky është çasti kur ai ka më tepër nevojë për to. Është e vërtetë që ai e ka hedhur spirancën e tij në thellësi, dhe thellësia e mban atë të fshehur nga shikimi i tij; por edhe pse ai mund të mos e shohë spirancën përmes valëve që shkumojnë, ai ende e di që ajo është kapur e sigurt dhe ka për ta mbajtur anijen e tij që hidhet andej këndej nga valët që të mos ngecë në ndonjë cektinë.

Pse vallë të ndodhë që besimtari, kur “telashet janë afër,” dhe kur duket se ngushëllimi i është hequr, t’ia dorëzojë zemrën e tij frikërave mosbesuese dhe të ruajë në shpirt një dyshim të errët për Perëndinë? A nuk do të ishte kjo sikur të ndahej nga spiranca e shpresës së tij në çastin kur kishte nevojë më tepër për të? Mund të mos jem në gjendje të shoh mespërmes reve dhe përtej perdes me një sy që rrezaton gëzim të sigurt dhe të qartë, por unë e di që Pararendësi është atje; e di që Prifti është mbi fronin e Tij, e di që Jezusi është i gjallë dhe se është në të djathtë të Perëndisë – atëherë gjithçka është e sigurt: besimi nuk kërkon, shpresa nuk pret dhe dashuria nuk dëshiron asgjë më tepër.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*