13 Maj – Octavius Winslow

“Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.” ‭‭Efesianëve‬ ‭4:30

Besimtari nuk do ta humbasë kurrë vulosjen e Frymës. Përshtypja e dashurisë falëse të Perëndisë e lënë në zemër prej Frymës së Shenjtë, nuk humbet kurrë plotësisht. Nuk po themi që nuk ka momente kur “ngushëllimet e Perëndisë janë të vogla” te besimari – kur nuk do të ketë një “luftë të ashpër brenda dhe frikë përjashta,” kur përjetimi i Kishës do të jetë edhe përjetimi i tij, “Ia hapa të dashurit tim, por i dashuri im ishte tërhequr dhe kishte ikur; zemra ime ligështohej kur ai fliste. E kërkova, por nuk e gjeta; e thirra, por ai nuk m’u përgjigj.” Ai mund ta përjetojë të gjithën këtë gjë, dhe ende të mos e humbasë vulosjen e Frymës.

Në mes të gjithë kësaj, po, edhe në pikën më të ulët, do ta ketë bindjen e përhershme për një interesim në dashurinë e Perëndisë, e cila e mban, e gjallëron dhe e ngushëllon. Kjo do të bëhet e dukshme, duke iu kthyer gjendjes së kishës së cilës iu referuam më sipër që, edhe pse kishte vetëdijen e largimit të të dashurit të saj – edhe pse ai kishte shkuar, dhe ajo e kërkoi por nuk mund ta gjente, i thirri por ai nuk iu përgjigj – por ajo nuk u humbi as edhe për një moment nuk e humbi bindjen e saj që Ai ishte ende i dashuri i saj. Ja ku ishte triumfi i lavdishëm i besimit, në momentin kur gjithçka ishte vetmi, shkretim, dhe mungesë gëzimi. Ishte vulosja e Frymës e cila nuk u largua kurrë prej saj, edhe pse “i dashuri i saj kishte shkuar.” Edhe pse asnjë rreze e bukurisë së Tij nuk ra mbi shpirtin e saj, asnjë tingull i zërit të Tij nuk u dëgjua në veshët e saj, ajo ende mund të shihte sipër dhe të deklaronte, “Unë jam e të dashurit tim dhe i dashuri im është imi.”

Oh, fuqia e pushtetshme e besimit, e cila mund ta stabilizojë shpirtin në Jezusin, edhe në stuhinë më të errët dhe më të furrishme! Kjo është thjesht vulosja e Frymës. Është Fryma i Shenjtë që po ngulit shumë thellë në zemër një ndjesi të dashurisë falëse – duke e themeluar atë shumë fort në besnikërinë e Perëndisë – në veprën e përfunduar të Krishtit – në qëndrueshmërinë e besëlidhjes, dhe në birësimin e shpirtit në familjen e vetme, saqë edhe në orën më të zymtë dhe rrethanat më sprovuese, ekziston diçka që e mban shpirtin të palëkundur tek qendra e tij, te Jahe-Jezusi. Edhe nëse ky diell mbulohet nga një mjegull, ai ka sigurinë mbështetëse që ai diell do të lindë në një botë tjetër, me një shkëlqim pa re dhe të pakrahsueshëm.

Po! Vulosja e Frymës është një përshtypje e përhershme. Kjo është për “ditën e shpengimit,” – për ditën kur nuk do të ketë më konflikt, as errësirë dhe as mëkat. Nuk është për ditën e faljes – sepse nuk mund të jetë më plotësisht i falur nga sa është tani; nuk është dita e pranimit – sepse nuk mund të jetë më plotësisht i pranuar nga sa është tani – jo, është “dita e lavdishme e shpengimit” – dita e çlirimit të plotë, e cila dëshirohet fort nga fëmijët e Perëndisë, madje edhe me psherëtima nga “gjithë krijesa;” “Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.”

Oh, këlthisni nga gëzimi ju të vulosur të Zotit! Ju të sprovuar dhe të pikëlluar, të hedhur andej-këndej mes stuhisë, dhe të pa ngushëlluar – ju që e përjetoni shkretëtirën si shkretëtirë, si një luginë lotësh – shtegu gjithnjë e më i vështirë, gjithnjë e më i ngushtë – ngrini kokën lart dhe gëzoni, ora e “shpengimit tuaj po afron,” dhe “ditëve tuaja të vajtimit po u vjen fundi.” Kjo është siguria juaj – një Perëndi besnik që e mban besëlidhjen, “i cili na ka vulosur gjithashtu dhe na ka dhënë kaparin e Frymës në zemrat tona.”


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*