13 Tetor – Octavius Winslow

13 Tetor

“Tashmë fundi i të gjithave u afrua; jini, pra, të përkorë dhe rrini zgjuar për t’iu kushtuar lutjeve.” 1 Pjetri 4:7

Kushtoju lutjes me shumë zell dhe këmbëngulje. Prit një përgjigje për lutjen tënde, një premtim për kërkesën tënde, një përmbushje të përgjërimit tënd. Ji po aq i sigurt që Perëndia do të përgjigjet, sa je i sigurt edhe që ke kërkuar, apo që Ai ka premtuar. Kërko me besim; shiko çdo ditë nga portat dhe shtyllat e kthimit; prite në çdo çast dhe përmes çdo provanie; mos e prit në mënyrën tënde por në mënyrën e Zotit; mos u habit nëse Ai i përgjigjet lutjes tënde në mënyrë krejt të kundërt nga ajo që ke pritur dhe mund të të dëftohet.

Me këtë qëndrim shikoje çdo provani, madje edhe atë më të voglën. Ti nuk e di se kur mund të vijë përgjigja – në cilën orë apo në cilën mënyrë. Prandaj rri zgjuar. Zoti mund të përgjigjet me një erë të madhe dhe të fortë, në një tërmet, në një zjarr, apo në një zë të vogël dhe të qetë; prandaj shiko çdo provani, për të ditur se cila do të jetë zëri i Perëndisë për ty. Mos u lut sikur kërkove apo prisje një refuzim. Perëndia kënaqet me zellin tënd të shenjtë, me guximin tënd të përulur dhe me përgjërimin tënd këmbëngulës. “Shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt.” Lutu me nënshtrim, prit me shpresë, vigjilo syhapur dhe prit me durim.

Prandaj shiko fronin e hirit! A ka pasur ndonjë vend prehjeje kaq të shenjtë dhe kaq të ëmbël? A mund ta veshë vallë Perëndia me tërheqje më të pasura dhe më të mëdha? Atje janë vendosur të gjitha bekimet e hirit sovran – falja, drejtësimi, birësimi, shenjtërimi, dhe gjithçka që e lidh gjendjen e tanishme të besimtarit me lavdinë e përjetshme. Atje është vendosur hiri vetë – hir për të drejtuar, hir për të mbështetur, hir për të ngushëlluar, hir për të ndihmuar në kohë nevoje. Atje është ulur Perëndia i hirit, i cili e shpall Veten si “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin.”

Atje është shtrirë skeptri i hirit, duke u thënë mirë se erdhët bijve dhe bijave në nevojë, të lodhurve dhe të ngarkuarve, fajtorëve, zemërthyerve, të varfërve, atyre që nuk kanë miq, atyre që vajtojnë. Atje qëndron Jezusi, Kryeprifti dhe Ndërmjetësi, plot me hir dhe të vërtetë, duke lëkundur temjanicën e Tij të artë, prej së cilës del temjani aromatik i meritave të Tij shlyese, që ndërsa ngitet kurorëzon në një ofertë, emrin, nevojat dhe lutjen e adhuruesit të përulur. Atje gjithashtu është edhe Fryma e hirit i cili fryn në shpirt, zbulon nevojën, nxit përgjërimin dhe ndërmjetëson për shenjtorët sipas vullnetit të Perëndisë.

Prandaj shikoje fronin e hirit dhe afrohu! Je i mikpritur. Eja me kryqin tënd, eja me dobësinë tënde, eja me fajin tënd, eja me nevojën tënde, eja me shpirtin tënd të lënduar, eja me zemrën tënde të thyer, eja dhe mirë se vjen te froni i hirit! Eja pa ndonjë çmim, eja pa denjësi, eja pa përgatitje, eja pa qenë i përshtatshëm, eja me zemrën tënde të ngurtësuar, eja dhe mirë se vjen te froni i hirit!

Perëndia, Ati yt, të thotë mirë se vjen. Jezusi, Avokati yt, të thotë mirë se vjen. Fryma, Autori i lutjes, të thotë mirë se vjen. Të gjithë të lumturit dhe të bekuarit që mblidhen përreth tij, të thonë mirë se vjen. Shpirtrat e të drejtëve që janë bërë të përsosur në lavdi, të thonë mirë se vjen. Shpirtrat shërbyes, “të cilët janë dërguar t’u shërbejnë atyre që do të trashëgojnë shpëtimin,” të thonë mirë se vjen. Të gjithë të shenjtët këtu poshtë dhe të gjithë të përlëvduarit atje lart, të gjithë të thërrasin ty o shpirt i varfër dhe drithërues, mirë se vjen, trefish i mikpritur, te froni i hirit!


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*