15 Shtator – Octavius Winslow
15 Shtator
“Që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh ne, që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara. Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur, dhe që hyn deri në brendësinë e velit.” Hebrenjve 6:17-19
Shpresa e qiellit të cilën e mban një mendje e pariptërirë është thjesht iluzon dhe pa bazë. Në natyrën e saj nuk ekziston as edhe një element i vetëm mirësie. Është konceptimi i një mendjeje në armiqësi me Perëndinë. Është lajthitja e një zemre në besëlidhje me vdekjen dhe në një mendje me ferrin. Është fari mashtrues që e ngatërron marinarin e kryelartë në brigjet shkëmbore. Duke qenë se një shpresë e tillë nuk është e bazuar në shkrim dhe nuk është reale duhet ta mbulojë me turp dhe faqe të zezë atë që mbahet pas saj.
Por shpresa e besimtarit nuk është e tillë. Ajo ka lindur bashkë me natyrën e tij të dytë – përmes hukatjes së Frymës së Perëndisë – një element i mendjes së ripërtërirë dhe bazohet mbi shlyerjen e kryer nga Shpëtimtari, prandaj në thelb duhet të jetë një shpresë e mirë. Besimtari është pastruar nga papastërtia morale, jo në pellgun e pagëzimit, por me gjakun e Krishtit; është drejtësuar jo me anë të ritualeve të Moisiut, por përmes drejtësisë së Perëndisë së mishëruar; është shenjtëruar jo përmes hirit të sakramenteve, i cili quhet i tillë në mënyrë të rreme, por përmes banimit brenda tij të Frymës së Shenjtë – shpresa e besimtarit për qiellin është po aq e themeluar sa edhe froni i të Përjetshmit.
Për më tepër, ajo është “një shpresë e mirë përmes hirit.” Mësimi i parë dhe i fundit që mësojmë në shkollën tonë të krishterë është ky, që “ne jemi të shpëtuar me anë të hirit.” Zot, a kërkon prej meje një mendim me pastërti të panjollë, një dridhje dashurie të përsosur, një vepër shenjtërie të panjollë, mbi të cilën të bazohet lumturia ime e përjetshme? Nëse është kështu, jam përjetësisht i humbur! Por, përderisa Ti ke siguruar një drejtësi që më shfajëson nga të gjitha gjërat, e cila më çliron nga çdo dënim – duke qenë se kjo drejtësi është dhurata jote falas të cilë nuk mund ta blej dot, se është dhuratë e hirit tënd sovran – e shtrëngoj në zemrën time që dridhet por ende beson shpresën e gëzueshme që më ngjall kjo e vërtetë.
Kjo është një shpresë e bekuar. “Duke pritur ata shpresë të bekuar.” Objekti i kësaj shprese është më i bekuari. Qielli që përfshin është ai vend i shkëlqyer ku të shenjtët që janë larguar nga përqafimi ynë po prehen në gjirin e Shpëtimtarit. Ata janë të vdekurit e bekuar. Dita e vdekjes ishte për ta më e mirë se dita e lindjes. Lindja ishte për ta prezantimi me çdo brengë, vdekja ishte për ta kalimi për në çdo gëzim Shpresë e bekuar! Shpresa për të qenë gjithmonë me Zotin. Për të mos e trishtuar më Frymën i cili aq shpesh dhe butë i ngushëlloi zemrat tona; për të mos e lënduar më atë gji të dashur i cili shërbeu aq shpesh si jastëk për kryet tona. Nuk do të ketë më udhëtim në errësirë, dhe as do të përkulemi si një kallam i thyer para çdo shpërthimi tundimi. Do të jemi një shtyllë në tempullin e Perëndisë dhe nuk do të dalim më kurrë jashtë.
Çfarë shprese shenjtëruese që është kjo! Për mendjen frymërore ky është tipari i saj më i pranueshëm dhe lartësues. “Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai.” Kjo shpresë të shkëput nga toka dhe të tërheq drejt qiellit. Ajo nuk shkëlqen më fort në shpirt, dhe nuk ndez gjatë shtegut një vezullim më qiellor sesa kur forcon te besimtari një përshtatje më të madhe të karakterit me qiellin drejt të cilit është duke fluturuar. Me një fjalë, kjo është një shpresë e pastër. A do ta prishë vallë një krim? A do ta tronditë vallë stuhia? A do ta shuajnë vallë ujrat e shumta? Kurrë. Ajo na shpëton. Na mban, na ruan dhe na forcon në mes të rreziqeve dhe rënieve të shtegtimit tonë tokësor. Pasi të na ketë kaluar përmes përmbytjes, nuk do të na lërë në baltë kur dallga e fundit të na hedhë mbi brigjet e përjetësisë.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!