17 Shtator – Octavius Winslow
17 Shtator
“Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.” Gjoni 17:3
Kur fillon kjo njohje mes Perëndisë dhe njeriut? Fillon në momentin e pajtimit – fillon në momentin kur mes njeriut dhe Perëndisë bëhet paqe. Nuk mund të krijoj dot një njohje me një individ kundër të cilit zemra ime ruan një armiqësi të thellë, paepur dhe për vdekje; vetë urrejtja ime, vetë mospëlqimi im ndaj atij personi më pengon që ta studioj karakterin e tij, më pengon ta analizoj zemrën e tij dhe të njoh se cilat janë ndjenjat e tij ndaj meje. Por nëse më sjell në një gjendje pajtimi me atë individ – largoje armiqësinë time, largoje mospëlqimin tim, pajtoji ndjenjat e tij ndaj meje dhe atëherë jam në një pozitë për ta studiuar dhe për t’u njohur me karakterin e tij.
Këtë bën Fryma e Shenjtë brenda njeriut; Ai e largon armiqësinë e zemrës së mëkatarit, e përul shpirtin e tij dhe e ul në pendim; e shtrëngon mëkatarin t’i ulë armët e armiqësisë së tij kundër Perëndisë – e bën të shohë që Perëndia kundër të cilit ka qenë duke luftuar dhe duke bërë betejë gjithë jetën e tij është një Perëndi dashurie, një Perëndi që i afron mëkatarët pranë Vetes, një Perëndi që është pajtuar në Jezu Krishtin. Tani që shpirti është çarmatosur nga rebelimi dhe armiqësia e tij sillet në një pozitë ku mund të studiojë karakterin e Perëndisë. Tani ai e sheh Perëndinë jo përmes ligjit por përmes ungjillit; jo në krijim por në Krishtin, ai është në një pozitë që të njihet me Perëndinë. Oh çfarë njohjeje që formon tani ai!
Të gjitha konceptimet e tij të errëta dhe të paqarta largohen tej; të gjitha pikëpamjet e tij të shtrembëruara drejtohen; dhe Perëndia të cilin ai e mendoni si një Perëndi të urryer, një Perëndi ligji i të cilit ishte aq refuzues, një Perëndi që ishte aq i ashpër dhe aq tiranik, tani e si një Perëndi të një mëshire dhe dashurie të pafundme në Jezu Krishtin: tani ai njihet me Të si një Perëndi që fal mëkatin, që i heq tej edhe mbetjet e shkeljeve të tij; ai njihet me Atë si një Perëndi i pajtuar në Krishtin dhe si rrjedhim si një Atë i pajtuar ndaj tij. Oh, çfarë zbulimi që i bëhet atij për atë Perëndi me të cilin shpirti i tij jetonte më parë në errësirë dhe armiqësi të thellë! Kështu ai njihet me Perëndinë kur zemra e tij pajtohet me Të.
Një pamje më nga afër dhe më e thjeshtë e Jezusit, një studim i përditshëm i Jezusit, duhet ta thellojë njohjen time me Perëndinë. Ndërsa njoh më tepër nga zemra e Krishtit, njoh më tepër nga zemra e Atit; ndërsa njoh më tepër nga dashuria e Shpëtimtarit, njoh më tepër nga dashuria e Atij që ma dha mua atë Shpëtimtar; ndërsa njoh më tepër nga shpirti i tij i munduar, për të arritur shpengimin tim – ndërsa njoh më tepër nga lotët prej gjaku që derdhi Ai – ndërsa njoh më tepër nga rënkimet e agonisë që lëshoi Ai – ndërsa njoh më tepër dridhjet që përjetoi Ai – ndërsa njoh më tepër nga vuajtjet e vdekjes të shpirtit të Tij të panjollë – njoh më tepër nga zemra e Perëndisë, më tepër nga karakteri i Perëndisë dhe më tepër nga dashuria e Perëndisë.
Dëshiron të shohësh më tepër nga lavdia e Perëndisë? Shikoje atë në fytyrën e Jezusit. Mësoje atë në “shkëlqimin e lavdisë së Atit,” mësoje në “vulën e qënies së Tij,” ashtu sikurse ju është zbuluar në personin dhe veprën e Jezu Krishtit.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!