18 Dhjetor – Octavius Winslow

18 Dhjetor

“Jezusi u përgjigj: ”Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.” Gjoni 3:5

Pamundësia totale që mëkatari të pranohet në qiell me një mendje mishore të pandryshuar është shumë e qartë. Supozoni një rast të kundërt. Përfytyroni një shpirt të paripërtërirë i cili papritur shkon në qiell. Në një çast ai e gjen veten në dritën e shenjtërisë dhe pranisë së Perëndisë. Çfarë ndjesi mahnitjeje, pastërite dhe lavdie që e mbush soditjen e tij! Por fakti i frikshëm, tmerri i tmerreve! Ai përballet me armikun e tij më të madh – me Perëndinë që urreu, përçmoi dhe mohoi! A është i përmbajtur? A është si në shtëpi? A është i lumtur? E pamundur! Ai hyn në vetë praninë e Qenies Hyjnore, zemra i kërcëllin me urrejtje për vdekje, në dorë shtrëngon armën e tij të ngritur lart. Ai e mbart ligësinë e tij të betuar dhe shpatën e tij të zhveshur deri te këmbët e fronit të të Përjetshmit. “Më largo prej këtej,” këlthet ai, “ky nuk është qielli im!” Dhe pastaj largohet për në “vendin e tij.”

Por ne po supozojmë një rast të pamundur sepse për qytetin qiellor është shkruar, “Edhe nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër, por vetëm ata që janë të shkruar në librin e jetës të Qengjit.” Dëgjoni deklaratën e Mësuesit të Madh të dërguar nga Perëndia – “nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.” Po ju pyes juve se çfarë do të thotë kjo lindje e re? Ne përgjigjemi, që duhet të bëhesh një krijesë e re në Krishtin Jezus. Duhet t’i lësh armët e tua para Perëndisë së Përjetshëm të qiellit dhe tokës. Duhet të heqësh dorë nga grindja. Duhet të heqësh dorë nga debati. Duhet t’i japësh fund luftës kundër Perëndisë. Duhet t’i nënshtrohesh ligjit dhe qeverisjes së Jahveut. Vullneti yt duhet të përulet para vullnetit të Perëndisë. Zemra jote duhet të rahë e sintonizuar me zemrën e Perëndisë. Mendja jote duhet të harmonizohet me mendjen e Perëndisë. Urrejtja e paepur duhet t’ia lërë vendin dashurisë adhuruese – paperëndishmëria e thellë duhet t’ia lërë vendin një natyre që dëshiron fort shenjtërinë – kundërshtimi i ashpër duhet t’ia lërë vendin bindjes së vullnetshme – krijesa duhet t’i dorëzohet Krijuesit – vetja duhet t’i jepet Perëndisë.

Oh çfarë çasti i ndritur kur polemikës i vjen fundi, kur Perëndia dhe shpirti yt janë në një mendje përmes Krishtit Jezus. Kur i ul armët të cilat i kishe shtrënguar fort për aq gjatë, kap dorën e Tij të zgjatur dhe lëshohesh në krahët e Tij të hapur. Kur si një i penduar i përulur dhe me besim lëshohesh në gjirin e Tij të dashur, kapesh pas forcës së Tij dhe je në paqe me Të. Oh ç’moment i lumtur! Nuk ka më urrejtje, nuk ka më armiqësi, nuk ka më kundërshtim! Është sikur qielli të kishte zbritur dhe të kishte hyrë në shpirtin tënd – çfarë gëzimi, çfarë paqeje, çfarë dashurie, çfarë sigurie, çfarë shprese që përjeton tani! Çfarë melodie që rrjedh tani nga këto fjalë, “Asnjë dënim në Krishtin Jezus”! Sa i bekuar je që tani mund të mbështetesh mbi kraharorin që dikur e urreje dhe sheh se ai është një jastëk dashurie; tani sheh vështrimin që dikur e evitoje dhe e sheh që është shprehje e faljes; tani ndihesh si në shtëpi në praninë e Atij të cilit dikur i the, “Largohu prej meje, nuk e dëshiroj njohurinë e udhëve të Tua”!

Çfarë prove e mbretërimit të hirit në shpirt, kur mendja bie plotësisht dakrod me qeverisjen morale të Perëndisë! “Zoti Perëndia i gjithëpushtetshëm mbretëron” është himni adhurues i çdo zemre që i është nënshtruar ligjit të Perëndisë. Sa qetësues është për të krishterin mendimi që qeverisja është mbi supet e Krishtit, dhe që Ai është i ulur mbi fron dhe gjykon drejt. Nga armiqësia ndaj ligjit të Perëndisë, tani zemra e tij ka arritur në një pranim të gëzueshëm të porosive të tij dhe gjen një kënaqësi të thellë në natyrën e tij. “Unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë në njeriun tim të brendshëm.” “O Zot,” thërret ai, “shenjtëria ime është në nënshtrimin ndaj autoritetit Tënd. Lumturia ime rrjedh nga bërja dhe vuajtja për vullnetin Tënd. Ngazëllohem që skeptri është në duart e Tua, dhe dëshiroj që mendimet e mendjes time dhe dëshirat e zemrës time të mund të të binden plotësisht Ty. Qoftë shpirti im mbretëria Jote, qoftë zemra ime froni Yt, dhe le të mbretërojë hiri me anë të drejtësisë për jetë të përjetshme.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*