18 Qershor – Octavius Winslow
“Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi.” 1 Gjonit 2:27
“Të vajosurit e Zotit” është përcaktimi i duhur dhe përshkrues për të gjithë njerëzit e Zotit. Kjo vajosje është ajo që i shënjon ata si “brez të zgjedhur, priftëri mbretërore, komb të shenjtë dhe popull të veçantë.” Kjo është shenja e veçantë e Zotit mbi ata të cilët Ai i dallon dhe i përcakton si të vetët. Të gjithë ata që nuk e njohin këtë vajosje janë të huaj ndaj hirit të Perëndisë dhe thirrjes së Frymës së Shentjë.
Mund të ketë shumë dritë frymërore në gjykim, dhe madje edhe një rrëfim të hapur të fesë para botës, të cilave mund t’u shtohet edhe diçka si “zelli i Jehut për Zotin;” e megjithatë vajosja e Frymës së Shenjtë ende mungon, dhe pa atë vajosje, ndriçimi intelektual, rrëfimi i jashtëm, dhe zelli i grupit, nuk vlejnë asgjë para një Perëndie që heton zemrën. Sikurse domethënia e duhur e një emri të dashur, Krishti, është i vajosuri, po kështu edhe domethënia e vërtetë e emrit të nderuar, i krishterë, na drejton te vajosja, në të cilën kanë pjesë të gjithë ata që janë bashkuar personalisht me Krishtin.
Besoj që ky sqarim është po aq solemn sa edhe i vërtetë, që përjetësia thjesht ka për ta shpalosur plotësisht sasinë e ligësisë që ka rrjedhur nga të quajturit të krishterë e atyre që e quajnë veten të tillë, pa ndonjë tregues të vlefshëm për emrin e dalluar, të lartë dhe të shenjtë. Sa fare pak të vetëdijshëm janë njerëzit rreth rëndësisë së thellë, domethënëse dhe frymërore të këtij termi! Ata nuk mendojnë, dhe as e dinë që një i krishterë është dikush që merr pjesë, në hirin ripërtëritës dhe shenjtërues, të të njëjtit Frymë i Shenjtë Hyjnor me të cilin u vajos edhe Krishti prej Atit për veprën e Tij madhështore.
Efektet e kësaj vajosjeje janë ato që mund të priten nga një shkak kaq i lavdishëm. Kjo vajosje e zbukuron shpirtin. Është vajosja për të cilën flet Psalmisti: “Vaj për ta bërë fytyrën tënde të shkëlqejë.” Prandaj quhet “bukuritë e shenjtërisë.” Oh si shkëlqen fytyra e një njeriu – si ndriçohet pamja e tij – kur gëzimi i Zotit është forca e tij, kur fryma e birësimit është në shpirtin e tij, kur dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrën e tij! Vajosja gjithashtu ngazëllon. Prandaj është quajtur “vaji i gëzimit” dhe “vaji i ngazëllimit.” E bën zemrën të këndojë edhe në pikëllimet e saj të thella, i jep të veshë “mantelin e lavdërimit në vend të një frymë të ligështuar,” dhe e mbush shpirtin me lavdinë e asaj “mbretërie e cila nuk është në të ngrënët apo të pirët, por në drejtësinë, paqen dhe gëzimin në Frymën e Shenjtë.” Një efekt tjetër që rrjedh prej kësaj vajosjeje është mësimi i thellë që ajo përcjell – “Ju keni vajosjen nga i Shenjti, e cila ju mëson çdo gjë.” Këto janë disa prej efekteve të kësaj vajosjeje të shenjtë. Vajosja zbukuron, ngazëllon dhe mëson.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!