19 Shkurt – Octavius Winslow

19 Shkurt

Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij.” ‭‭2 Korintasve‬ ‭8:9

Sa pak i shoqërojmë mëshirat tona më të çmuara, madje edhe ato të cilat jemi mësuar që t’i vlerësojmë si me një karakter më të zakonshëm (edhe pse çdo mëshirë është pafundësisht e madhe), me përuljen e Zotit tonë! Sa rrallë i gjurmojmë momentet tona të lumtura, gëzimet tona të shenjtëruara, kënaqësitë tona të larta, skenat e shenjta, dhe privilegjet e çmuara tek kjo pjesë e errët e historisë së tij të shquar! E megjithatë, të gjitha këto rrjedhin tek ne përmes po këtij kanali, dhe po të mos ishte ky këto gjëra nuk do ishin bërë kurrë tonat. Kur oqeani i mirësisë së Tij më mbulon, valë pas vale – kur ndjej ngrohtësinë ngazëlluese të buzëqeshjeve të krijesës që rrezatojnë aq ëmbël dhe me dashuri – kur i rishikoj njëra pas tjetrës mëshirat e mia personale, familjare dhe shoqërore – kur edhe një gotë uji të freskët e cila më ofrohet nga dora e mirësisë së krishterë m’i njom buzët, cili është mendimi që zë vend në mendjen time? “E gjithë kjo rrjedh nga përulja më e thellë e Krishtit tim të mahnitshëm.”

Dhe kur të ngjiten më sferat më të larta të hirit, dhe të sodit bekimet që janë derdhur kaq lirshëm dhe kaq bujarisht – një rebel u nënshtrua – një kriminel u fal – një fëmijë u birësua – një prift mbretëror u vajos – bashkësia me Krishtin – marrëdhënia e besëlidhjes me Perëndinë – hyrje në Shenjtëroren e Shenjtëroreve – përshtatje me imazhin Hyjnor – atëherë pushtohem edhe më thellë prej mendimit, “e gjithë kjo rrjedh nga përulja e pafundme e Perëndisë së mishëruar.”

Dhe kur ngjitem edhe më lart, dhe kaloj nga hiri në lavdi, dhe meditoj për qiellin e shkëlqyer që më pret – në një moment larg trupit të mëkatit, dhe i pranishëm me Zoti – larg botës, edhe pse është e bukur, për shkak se e krijoi Perëndia, megjithatë është froni i Satanit, perandoria e mëkatit, skena e pikëllimit, ndotjes, vuajtjes, dhe vdekjes; dhe tani përjetësisht me Perëndinë, ku gjithçka është gëzim, dhe gjithçka është shenjtëri – pasi jam bërë përsosmërisht i shenjtë, dhe si rrjedhim, përsosmërisht i lumtur, për të mos mëkatuar më, për të mos u pikëlluar më, për të mos vajtuar më, për të mos u endur më, për të mos u rrëzuar më – oh sa i lavdishëm që bëhet atëherë përulja e Zotit tim të mishëruar! Të dashur, kur Perëndia ju lartëson, mbani mend që kjo është për shkak se Shpëtimtari juaj u poshtërua. Kur kupa jote është e ëmbël, mbaj mend që kjo është për shkak se kupa e Tij ishte e hidhur. Kur e shtrëngon mëshirën tënde fort në gji, kujto që kjo është për shkak se Ai shtyu zemrën e Tij drejt shtizës. Dhe kur sytë e t’u të shpresës dhe besimit shohin përpara drejt lavdisë që po vjen, oh, mos harro që për shkak se Ai duroi ferrin tënd, ti do të gëzosh qiellin e Tij!


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*