20 Maj – Octavius Winslow

“Isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve.” ‭‭Zbulesa‬ ‭1:18

Le ta besojë plotësisht këtë të vërtetë lexuesi i krishterë – që Jezusi është sërish i gjallë, dhe kjo ka për t’i dhënë shpirtit të tij një konfirmim më të madh për vërtetësinë e karakterit të Perëndisë, për të vërtetën e fjalës së Tij, dhe për përsosmërinë dhe gjithëmjaftueshmërinë e veprës së Krishtit, më tepër se gjithë të vërtetat e tjera. A është Jezusi i gjallë në të djathtë të Perëndisë? Atëherë borxhi është paguar dhe drejtësia është plotësuar. A është Jezusi i gjallë në të djathtë të Perëndisë? Atëherë Ati është plotësisht i kënaqur nga vepra e Birit të Tij, dhe Ai “qëndron i heshtur në dashurinë e Tij, do të ngazëllohet për ty me britma gëzimi.” A është i gjallë Jezusi? Atëherë, çdo premtim do të përmbushet, dhe të gjitha bekimet e besëlidhjes së përjetshme do të jepen lirshëm, edhe unë, një mëkatar i mjerë dhe i pavlerë, por që mbështetet në veprën e Tij shlyese, do të jetoj. Të udhëheqtë Fryma i Shenjtë në besimin e plotë – në besimin e zemrës si dhe atë të gjykimit – të kësaj të vërtete të lavdishme. Ky është guri i qoshes së tempullit; bëni çfarë të doni, sa më tepër që të mbështetni në të, aq më i fortë do të dalë – sa më tepër të preheni në të, aq më e palëkundshme do të jetë shpresa juaj.

Thjesht pranojeni me besim të thjeshtë; Jezusi është i gjallë – i gjallë për ty – gjithë sa ke nevojë në këtë luginë të lotëve gjendet këtu; të gjitha mëshirat e tua të tanishme janë siguruar për ty këtu; tëjith ga bekimet e tua frymërore janë ruajtur për ty këtu. I tillë është ky testament i madh, të tilla janë bekimet e pamatshme që përmban, prandaj, eja si të jesh, eja kur të dëshirosh, dhe “kërko çfarë të duash dhe do të të jepet prej Atit,” për shkak se Jezusi është në të djathtë të Tij. Me vend mund ta pranojmë sfidën e guximshme të apostullit, “Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.” Shpëtimi yt është i plotë, parajsa është garantuar për ty, gjithë fitorja, lumturia dhe lavdia janë të lidhura me këtë fakt madhështor. Prandaj le të shpallim sërish me Pjetrin, ““Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish.”


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*