22 Korrik – Octavius Winslow
“Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.” Romakëve 8:26
Në këtë varg Fryma paraqitet me karakterin e një përgjëruesi apo avokati për shenjtorët. Për të formuar një konceptim të gjallë për këtë të vërtetë, mjafton thjesht të përfytyrojmë një person në një situatë të sikletshme dhe plot ankth duke mbrojtur çështjen e tij, apo një i akuzuar që ndoshta po lufton për jetën e vet në gjyq. Prakrah tij qëndron këshilltari i tij i cili e njeh plotësisht natyrën e çështjes së tij dhe është shumë i zoti në forcën e ligjit. Ai është aty për të udhëzuar klientin e tij si t’i japë formë mbrojtjes së tij, me çfarë argumentash ta mbrojë, për çfarë të përgjërohet, dhe çfarë fjalësh të përdorë në mbrojtjen e tij. E tillë është ndërhyrja dhe ndihma e Frymës në çështjen e lutjes. Ne jemi në praninë e Zotit – ndoshta për të evituar një dënim të merituar, apo për t’u përgjëruar për një bekim që na nevojitet.
“Ne as që e dimë se për çfarë të lutemi, dhe as se si të lutemi.” Si të mbrohemi para Gjykatësit të Madh? Me çfarë ndjenjash, me çfarë gjuhe, me çfarë argumentesh ta hapim zemrën tonë, të zbulojmë vajtimin tonë, të rrëfejmë mëkatin tonë, dhe të bëjmë të njohur kërkesën tonë? Si ta mposht kujtimin e mosmirënjohjes së shkuar, bindjen për fajin e tanishëm, presionin e nevojës së thellë si dhe ndjesinë e forttë të Madhështisë Hyjnore? Si ta zgjoj zemrën dhe ta bëj të ndjeshme; si t’i zgjoj emocionet e mpira dhe përtace të shpirtit; si t’i ndëz ndjenjat përtarece dhe ta përqendroj mendjen në këtë përfshirje të shenjtë dhe solemne?
Por këshilltari ynë është aty! “Fryma e Shenjtë lutet për ne.” Si e bën Ai këtë? Ai e formulon lutjen. Mos mendo që ai peticion frymëror që doli nga buzët e tua dhe u ngrit si një re temjani para pajtuesit ishte diçka tjetër përveçse hartim i Frymës së Shenjtë. Ai e frymëzoi lutjen, Ai i krijoi ato dëshira, dhe Ai i zgjoi ato psherëtima. Forma e kërkesës tënde mund të mos ketë qenë e rafinuar, gjuha jote mund të ketë qenë e thjeshtë, fjalitë e tua pa lidhje, theksi yt drithërues, megjithatë, kishte një elokuencë dhe një fuqi në atë lutje e cila rriti zemrën dhe lëvizi krahun e Perëndisë. Ajo lutje e mundi Engjëllin e Besëlidhjes. E kujt ishte elokuenca dhe fuqia? E Frymës ndërmjetësue.
Ai gjithashtu na mëson se për çfarë të lutemi. Duke qenë se nevojat tona janë të shumta dhe urgjente, ne i dimë me skatësi vetëm atëherë kur Fryma na i bën të njohura. Mjerisht, sa të paditur duhet të jemi rreth vetes tonë kur nuk e dimë se çfarë duhet t’i kërkojmë Perëndisë ashtu sikurse duhet! Por Fryma zbulon nevojën tonë të thellë, na bind për boshllëkun tonë, për varfërinë dhe nevojën tonë dhe na mëson se çfarë bekimi të kërkojmë, çfarë ligësish të evitojmë dhe për çfarë mëshirash të përgjërohemi.
Atij i vjen keq për ne, ai identifikohet me dobësinë tonë në lutje duke na portretizuar karakterin prindëror të Perëndisë. Ai vulos në zemrën tonë ndjesinë e birësimit dhe na jep guxim t’i afrohemi Perëndisë me një dashuri prej biri dhe me një siguri prej fëmije. Ai na udhëheq te Perëndia si Atë. Nuk duhet që ta anashkalojmë zotësinë me të cilën Fryma na aftëson që kur i afrohemi Perëndisë të përdorim fort përgjërimin e madh të mëkatarit – gjakun shlyes të Jezusit. Kjo nuk është pjesë e vogël e ndihmës hyjnore që marrim në dobësinë tonë. Satani, akuzuesi i shenjtorëve e ndjek madje besimtarin edhe te froni i hirit për ta ballafaquar dhe hutuar. Kur kryeprifti Jozue qëndronte para Zotit, Satani qëndronte në të djathtën e tij për ta akuzuar.
Por aty është edhe Fryma! Ai është atje me karakterin e ndërmjetësuesit për të përmbushur rolin e ndërmjetësuesit për shpirtin që lutet. Ai e udhëzon përgjëruesin e akuzuar se çfarë argumentesh të përdorë, çfarë përgjërimesh të ofrojë dhe si t’i rezistojë djallit. Ai i forcon sytë e shpirtit, në mënyrë që të shohë qartë gjakun mbi pajtues brenda velit, mbi të cilin e fikson shikimin me besim të thjeshtë. Kënaqësia e Frymës është të marrë nga gjërat e Jezusit – nga dashuria, vepra, dhembshuria, hiri dhe fuqia e Tij – dhe t’ia tregojë ato shpirtit që ka rënë përmbys në lutje para fronit të hirit.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!