26 Qershor – Octavius Winslow
“Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, doli dhe i pyeti: ‘Kë kërkoni?’” Gjoni 18:4
Vullnetshmëria e Tij nuk ishte bazuar te padituria. Ai e dinte shumë mirë se çfarë përfshinte besëlidhja e shpengimit – çfarë kërkonte drejtësia e prerë. Gjithë skena e poshtërimit të Tij ishte para Tij, me të gjitha hijet e saj të errta dhe të zymta – grazhdi – mbreti gjakatar – talljet dhe përqeshjet e bashkëkombësve të Tij – mosbesimi i të afërmëve të Tij – agonia mendore e Gjetsemanit – djersa si pika gjaku – braktisja e dishepujve të Tij – tradhtia e njëri, mohimi i tjetrit, braktisja nga të gjithë – gjyqi sa për formë – rroba e purpurt – kurora me gjemba, klithma plot urrejtje “Hiqe tej, hiqe tej! Të kryqëzohet, të kryqëzohet!” – kryqi i rëndë – kryqëzimi i dhimbshëm – talljet mizore – uthulli dhe vreri – fshehja e fytyrës së Atit – tmerret e përqendruara të mallkimit – klithma e fundit vajtuese – ulja e kokës – dhënia e frymës; të gjitha këto qëndronin para mendjes së gjithëdijshme të Birit të Perëndisë, pa aq të gjalla sa dhe realiteti i tyre, kur Ai klithi, “Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të.”
E megjithatë, Ai me vullnet u turr përpara që ta shpëtonte njeriun e rrënuar. Edhe pse e dinte që çmimi i faljes ishte gjaku i Tij, Ai në mënyrë vullnetare ia dorëzoi veten agonisë më të hidhur. Mos vallë u pendua që kishte marrë përsipër këtë vepër? Kurrë! Thuhet që Perëndia u pendua që kishte krijuar njeriun; por në asnjë rast nuk është shkruar që Jezusi u pendua që e shpengoi njeriun. Nuk ka asnjë veprim, asnjë fjalë dhe asnj vështrim që të tregojë një emocion të tillë. Çdo hap që hodhi Ai nga Betlehemi deri në Kalvar thjesht shpalosi gatishmërinë e Jezusit për të vdekur. “Tani unë kam një pagëzim me të cilën duhet të pagëzohem dhe jam në ankth deri sa të kryhet.”
Oh sa e mahnitshme ishte dashuria e Jezusit! Ky, ky ishte sekreti pse Ai nuk e deshi jetën e vet deri në vdekje. Ai i deshi mëkatarët shumë fort. Ai na deshi ne më tepër se Veten. Me gjithë mëkatshmërinë tonë, fajin, mjerimin dhe varfërinë; Ai ende na deshi aq shumë sa të jepte Veten si ofertë dhe flijim Perëndisë për ne. Ky ishte burimi prej të cilit rrodhën rrëketë e mëshirës. Ky ishte burimi gufues që u hap me vdekjen e Tij. Dhe kur njerëzit u tallën me të dhe thanë, “Nëse je Mbreti i Judenjve, shpëto Veten,” oh, çfarë përgjigje që u dha heshtja e Tij, “Unë nuk erdha të shpëtoj veten time, por popullin tim – jam varur këtu, jo për mëkatet e mia, por për mëkatet e tyre – mund ta shpëtoj veten, por unë erdha që të jap jetën time si shpengim për shumë vetë.” Ata mendonin se ishin vetëm gozhdët ato që e mbanin në kryq – Ai e dinte që ishte dashuria e Tij që e mbante të gozhduar atje.
Soditni dashurinë e Emanuelit. Eja, bjer përmbysë, admiro dhe adhuro Atë. Oh, çfarë dashurie që është dashuria e Tij. Oh sa e thellë! Mos u kënaq thjesht duke qëndruar në breg të oqeanit – hidhu në të, shuaje etjen tënde. Është për ty, nëse e ndjen skamjen tënde, varfërinë tënde, neverinë tënde, ky oqean është në dispozicionin tënd. Nuk është aty për engjëjt, është aty për njerëzit. Nuk është për të drejtët, por për mëkatarët. Prandaj, pi dhe shuaje plotësisht etjen me dashurinë e Jezusit. Mos u kënaq me racione të vogla. Merr një enë të madhe dhe shko te burimi. Sa më e madhe të jetë kërkesa, aq më i madh është furnizimi. Sa më nevojtar të jesh aq më i mikpritur je. Sa më i papastër të jesh aq më i përshtatshëm për t’u pastruar.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!