27 Dhjetor – Octavius Winslow

27 Dhjetor

“Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit.” 1 Timoteu 1:10

Fakti që ekziston një fuqi ndarëse në vdekje është një e vërtetë tepër e dukshme dhe tepër ndikuese për ta mohuar. Vdekja ndan shpirtin nga trupi, ajo e ndan njeriun nga të gjitha kërkimet dhe tërheqjet e botës. “Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.” Të gjitha mendimet dhe ambiciet e tij – mendimet e tij për të përparuar – mendimet e tij për një fe të kotë prej fariseu – të gjitha humbasin atë ditë. Çfarë sublimiteti i vajtueshëm që dalohet në këtë përshkrim të spikatur të fuqisë ndarëse që vdekja ka mbi krijesën! Çfarë fuqie ndarëse që ajo ka vdekja teksa ndihet në boshllëqet që krijon në marrëdhëniet njerëzore!

Kush nuk ka humbur një mik apo një bashkëshort në duart e pamëshirshme të vdekjes? Cila shtëpi e ndriçuar nuk është errësuar, cila zemër e dashur nuk është trishtuar prej vizitave të vdekjes? Vdekja na ndan nga bashkëshorti i rinisë tonë – na ndan nga fëmija ynë i dashur – na ndan nga miku apo shoku i viteve fëmijërisë dhe rinisë. Vdekja vjen dhe e këput lidhjen që na mban të lidhur aq ngushtë dhe aq afër me atë qenie, dashuria, dhembshuria dhe miqësia e të cilës na dukeshin elemente aq thelbësore për qenien tonë; jetën e të cilës ishim mësuar ta konsideronim si pjesë të vetë ekzistencës tonë. Por ka një gjë nga e cila vdekja nuk mund të na ndajë dot – nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezus, dhe nga të gjitha bekimet që na jep ajo dashuri.

Vdekja na ndan! Jo, vdekja na bashkon edhe më ngushtë me ato bekime duke na sjellë zotërimin më të plotë dhe të përhershëm të tyre. Vdekja i jep një realizim dhe qëndrueshmëri të gjitha pritjeve të shenjta dhe të shkëlqyera të të krishterit. Çasti më i lumtur i jetës së tij është ai i fundit. Gjithë lavdia dhe bekimi i ekzistencës së tij mblidhen dhe shkëlqejnë përreth asaj krize solemne të qenies së tij, Atëherë ai e ndjen sa i çmuar është privilegji dhe sa i madh është dallimi i të qenit besimtar në Jezusin. Dita që ia mbulli sytë për të gjitha skenat tokësore ia hapi ato për të parë lavditë e patregueshme, të papërfytyrueshme dhe gjithnjë e më të mëdha të përjetësisë. Kjo është ditëlindja e pavdekësisë së tij.

Prandaj i krishterë, mos e ki frikë vdekjen! Ajo nuk mund të të ndajë dot nga dashuria e Atit, ajo as që mundet, ndërsa të shkëput nga një përqafim tokësor nuk mund të të shkëputë dot nga përqafimi i Krishtit. Mund të ndodhë që në vdekje të kesh një manifestim më të ndritshëm dhe më të ëmbël të dashurisë së Tij nga sa ke përjetuar gjatë jetës. Jezusi, Ngadhënjimtari mbi vdekjen do të të afrohet dhe do të vendosë krahët e Tij të gjithëpushtetshëm poshtë teje dhe kokën tënde mbi gjoksin e Tij të dashur. Kështu i përqafuar dhe i mbështetur në gji të tij “nuk do ta shohësh vdekjen,” por ndërsa do të kalosh përmes kësaj hyrjeje të zymtë, do të kuptosh vetëm që në fakt ke vdekur, për shkak të vetëdijes së gëzimit dhe lavdisë në të cilën të ka futur vdekja.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*