27 Gusht – Octavius Winslow

“Dhe nëse e dimë se ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam atij.” 1 Gjoni 5:15

Lutja me besim është fitimtare dhe e suksesshme. Ajo i turret mbretërisë së qiellit me një dhunë të shenjtë dhe e rrëmben atë me forcë. Beson që Perëndia ka si zemrën ashtu edhe krahun; si dashurinë që e motivon Atë, ashtu edhe fuqinë që e aftëson; për të bërë gjithçka dhe për të dhënë gjithçka për të cilën i përgjërohet fëmija i Tij. Mund të përmendim disa atribute të lutjes me besim.

Ajo është lutje reale, për shkak se është shprehje nevoje. Kjo lutje buron prej një nevoje të prekshme për mëshirën që kërkon me përgjërim. Është lutje e sinqertë, buron prej një shpirti të edukuar në njohurinë e nevojës dhe varfërisë së tij të thellë. Ka shumë lutje të cilat pranohen si reale por që nuk janë fare lutje; ato nuk janë frymëmarrja e shpirtit, as gjuha e zemrës dhe as shprehje e nevojës. Në të nuk ka një qasje të vërtetë tek Perëndia, nuk ka etje për Krishtin, nuk ka dëshirë për shenjtëri. Nëse Perëndia do të jepte gjërat e kërkuara aq pa mend dhe pa zemër individi do të suprizohej.

Lutja e besimit është ngjitëse dhe këmbëngulëse. Ajo nuk pranon refuzim. Nuk shkurajohet nga një mohim. Kështu Jakobi u përlesh me Engjëllin e besëlidhjes deri sa fitoi; “Nuk të lë të ikësh deri sa të më bekosh.” Po kështu edhe gruaja Kananease nuk e lëshoi Shpëtimtarin derisa ai ia plotësoi kërkesën; “Nëse jam qen më ngop me thërrime.” Kështu bëri edhe burri i cili shkoi natën tek shtëpia e mikut të tij për t’i kërkuar bukë, dhe nuk u largua deri sa e morri; edhe vejusha e shtypur, e cila kërkoi drejtësi nga gjykatësi i padrejtë dhe hezitues deri sa ai ia dha të drejtën; këta shembuj ilustrojnë natyrën e asaj lutjeje; madje një lutje e zellshme dhe këmbëngulëse, e cila fiton me Perëndinë dhe e merr bekimin.

Lutja me besim është e përulur. Sa shumë përulet në pluhur përgjëruesi këmbëngulës para Perëndisë! Nuk ka asnjë gjë si guximi i horrit, apo si liria e pashenjtë kur bëhet fjalë për lutjen e zellshme për të cilën kemi folur. Nuk ka mungesë droje në mënyrën e saj, as të folur të vrazhdë, as nxitim të shkujdesur në praninë e shenjtë të Perëndisë sikur ai të ishte një i barabartë. Përkundrazi ka një vetëdije plot drojë për praninë Hyjnore, ka një frymë të thellë vetë-përuljeje e cila duket se thotë, “Sa i frikshëm është ky vend!” “Ja unë jam i ndyrë, si mund të të përgjigjem? Do vendos dorën mbi gojë.” Oh sa e përunjur është zemra nga e cila ngrihet temjani i lutjes besuese! Sa krejt e padenjë që ndihet ajo edhe për mëshirën më të vogël të Zotit; sa e papërshtatshme për të qenë kanal i hirit për të tjerët; dhe sa dridhet ajo teksa qëndron me fytyrë përtokë mbi vendin ku Perëndia, Perëndia Triun, është duke kaluar! “Mos u nxito me gojën tënde, dhe zemra jote të mos shpejtohet të thotë asnjë fjalë përpara Perëndisë, sepse Perëndia është në qiell dhe ti mbi tokë; prandaj fjalët e tua të jenë të pakta.”

Nënshtrimi është një atribut tjetët i lutjes së besimit. Larmia e saj më e madhe e kërkesës është e kufizuar, zelli më i thellë i shpirtit të saj është i zbutur, përmes nënshtrimit ndaj vullnetit Hyjnor. Ajo nuk guxon t’i diktojë Perëndisë, dhe as t’i japë këshillë Atij. Formën e përgjigjeve të kërkesave të saj; kohën, vendin dhe mënyrën ia lë në dorë Perëndisë. E trajnuar ndoshta në shkollën e zhgënjimit të hidhur ajo ka mësuar të shohë aq shumë dashuri në zemrën e Perëndisë kur privon sa edhe kur i plotëson kërkesat e saj; sheh po aq urtësi në vonesat sa dhe në dhënien e menjëhershme të bekimit. Duke parë se vonesat në lutje nuk janë mohime të lutjes, ai i cili beson nuk do të nxitohet të hamendësojë mendjen Hyjnore, apo të caktojë një datë për marrjen e bekimit Hyjnor. “U bëftë vullneti yt dhe jo imi,” është çfarë del gjithmonë prej buzëve të besimit.

Një atribut tjetër kurorëzues i lutjes besuese është; që ajo paraqitet në emrin e Jezusit. Ashtu sikurse është jeta nga Perëndia përmes Krishtit, po kështu lutja përmes Krishtit është jetë e cila hukatet sërish tek Perëndia. Lutja i afrohet Madhështisë Hyjnore përmes “udhës së re dhe të gjallë”; argumenti i saj i madh, përgjërimi i saj i vetëm ngadhënjimtar, është gjaku shlyes i Jezusit. Kjo është baza e guximit të saj, kjo është arsyeja e afërsisë së saj, dhe ky është sekreti i fuqisë dhe suksesit të saj. “Çfarëdo që të kërkoni në emrin tim,” thotë Krishti, “unë do ta bëj, që Ati të mund të përlëvdohet në Birin.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*