28 Prill – Octavius Winslow

“Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.” 2 Korintasve 5:21

Lexues i dashur, është nderi yt më i lartë, sikurse ishte turpi i Tij më i thellë; lavdia jote më e çmuar, sikurse ishte poshtërimi i Tij më i thellë; që Ai vërtet i mbarti të gjitha mëkatet e gjithë Kishës së Tij. Po aq vërtet sa jemi “bërë drejtësia e Perëndisë në Të,” ashtu dhe Ai u “bë mëkat,” apo një flijim për mëkatin, për ne. Shiko sa bukur e ka zbuluar Fryma i Shenjtë doktrinën e zëvendësimit dhe bashkimit. Për zëvendësimin thotë kështu, “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.” Oh çfarë e vërtete e mahnitshme! Ai u zhyt në çnderimin tonë më të thellë, Ai na ngre në lavdinë e Tij më të lartë. Ai e zhyti veten në njerëzimin tonë të rënë, Ai na ngre në një bashkim me Perëndinë. Ai zuri vendin tonë, Ai na bën një me Veten e Tij. Një mendim shumë prekës! A u vendosën mbi Jezusin të gjitha paudhësitë dhe të gjitha “shkelejet dhe mëkatet tona”? Po, të gjitha! Mendja e Tij e pafundme, për të cilin e shkuara dhe e ardhmja ishin një e përjetshme e tanishme, mëkatet e gjithë të zgjedhurve të Tij, nga momentet më të largëta kohore, i kaluan përpara syve, dhe u vendosën mbi kryet e Qengjit shlyes. Këtu hapet burimi i madh i gjithë bekimit të vërtetë për një shpirt që beson. Sa i ëmbël është burimi dhe sa të ëmbla janë rrjedhat që burojnë prej tij. Pajtim me Perëndinë – falja e Tij falas – bashkimi me natyrën e Tij – birësimi në familjen e Tij – pranimi në të Dashurin – bashkimi me Kreun e ringjallur – hyrje brenda velit – përbashkësi birërore dhe e përhershme – dhe “paqja e Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarsie,” janë pjesë e rezultateve të kushtueshme të faktit që Krishti mbarti mëkatin.

Shihni se në ç’mënyrë të plotë që e kam mbartur Ai barrën e rëndë. Në momentin që paudhësitë tona e prekën Atë, u duk sikur Ai i hodhi ato në një largësi të pafundme, apo i zhyti në thellësitë e pafundme. Për hir të ligjit dhe drejtësisë, ato nuk mund të shfaqen më kurrë kundër shpirtit të falur. U vendosën mbi Garantuesin tonë, të dënuar, të ndëshkuar dhe të falur në Të, “tani pra nuk ka më asnjë dënim” nga apo për mëkatin, për “ata që janë në Krishtin Jezus.” Sa e fortë që është gjuha që e shpall këtë të vërtetë: “I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar”. “Sepse i ke hedhur prapa krahëve të tua të tëra mëkatet e mia.” “Në ato ditë, në atë kohë”, thotë Zoti, “do të kërkohet paudhësia e Izraelit, por nuk do të ketë fare, dhe mëkatet e Judës nuk do të gjenden…” Dhe pse? “Ja Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” A nuk mund ta konsiderojmë si një prej bekimeve më të kushtueshme dhe më të çmuara që rezulton prej kësaj të vërtete, prirjen e saj shenjtëruese? Shumë të dashur, pamja më e qartë që mund të kesh për urrejtjen e Perëndisë ndaj mëkatit është kryqi i Kalvarit; dhe ndjesia më e thellë e “mëkatshmërisë së jashtëzakonshme të mëkatit” që mund të ndjesh ndonjëherë është gjithë falja, e cila është shkruar në zemrën tënde me gjakun shlyes të Jezusit, dhe që dëshmohet prej fuqisë së hirit të Frymës së Shenjtë.

Ti e urren mëkatin për shkak se është falur, ti e neverit atë për shkak se është shlyer. Oh çfarë motivi i fuqishëm dhe i çmuar për shenjtëri! Shpirti im, dorëzoju ndikimit të tij të ëmbël merri shtysat e tua për një jetë më të thellë shenjtërimi prej kryqit; ki etje dhe dëshiro fort përshtatjen me Hyjninë, si dikush, të cilit ia janë anuluar përgjithmonë të gjitha paudhësitë, shkeljet dhe mëkatet prej gjakut të zemrës së Birit të dashur të Perëndisë. Mëkat i urryer dhe i neveritshëm, u shleve me një çmim kaq të lartë, u fale kaq falas, o fshive plotësisht, si mund të tregoj admirim për ty? Si mund të të dua? Si mund të të çmoj? Si mund të të dorëzohem ty tani? Ti e rëndove dhe e ule deri në tokë shpirtin e Zotit tim të bekuar. Ti ia shëmtove bukurinë, ia mbulove lavdinë dhe e poshtërove shpirtin e të Dashurit tim. Ti e skuqe trupin e Tij me djersën e përgjakur – ti ia vure mbi ballë kurorën me gjëmba – ti e shqetësove shpirtin e tij për vdekje; e megjithatë, ju, shkeljet e mia u falën – ju, mëkatet e mia, u mbuluat – ju, paudhësitë e mia tani nuk më numëroheni, dhe kjo për shkak se Jezusi, garantuesit im, u lëndua, u fshikullua dhe u godit për mua!


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*