28 Shkurt – Octavius Winslow
28 Shkurt
“Atij që ka etje unë do t’i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës.” Zbulesa 21:6
Hiri që gjendet në Krishtin Jezus duhet prej vetë natyrës së tij të jetë një hir që nuk mund të blihet. Kjo nënkupton varfëri absolute tek krijesa, dhe bollëk të pafundëm në Perëndinë. Nëse do të kishte ndonjë mundësi që ky hir të blihej, do të pushonte së qeni ai që është, “hiri i Perëndisë.” Për shkak se është një hir kaq i madh, kaq i pasur dhe kaq i pafundmë, Perëndia e ka ofruar aq falas sa dhe diellin, dritën dhe ajrin. Asnjë gjë nuk mund ta sigurojë. Lotët nuk munden – bindjet nuk munden – besimi nuk mundet – bindja nuk mundet – lutja nuk mundet – po, as vepra më e kushtueshme e Frymës së Perëndisë në shpirt nuk mund të sigurojë dot qoftë edhe një pikë nga ky “ujë i gjallë.” Perëndia e jep, dhe sikurse nënkuptohet nga vetë fjala, Ai e jep atë falas. Kjo është lavdia e tij – hiri është një dhuratë që nuk mund të blihet dhe që jepet falas. Ai nuk jepet mbi asnjë kusht tjetër. Si rrjedhim, asnjë kusht i karakterit njerëzor, dhe asnjë rast i fajit njerëzor nuk përjashtohet. Edhe më i neveritshmi i të neveritshmëve, edhe mëkatari i mjerë dhe skamës, nevojtar dhe pa asnjë qindarkë; mikpritet prej zërit të hirit falas tek “ujërat e gjalla.” Çfarë të ka mbajtur kaq gjatë larg këtij burimi? Ke pasur etje, ke psherëtirë dhe ke dëshiruar; por ende shpirti yt nuk është rimbushur. Ndoshta, ke qenë duke kërkuar për një kohë të gjatë Zotit, ke kërkuar udhën dhe ke dëshiruar shpëtimin. Pse nuk e ke gjetur Atë? E ke mbartur barrën e rëndë të mëkatit, muaj pas muaji, vit pas viti, duke mos e përjetuar fare ndjesinë e faljes, pranimit, birësimit apo prehjes. Pse? Për shkak se je penguar tek fakti që hiri është fala. Ke pritur ta marrësh atë si shenjtor, duke mos e dalluar që Perëndia do të ta japë vetë si mëkatar. Por dëgjo tani fjalën e Zotit: “Ju jeni shpëtuar në fakt me anë të hirit;” “Jeni shpenguar pa para;” “Nuk paguat asgjë;” “Kush do le të marrë si dhuratë ujin e jetës.” Oh, pranoje këtë të vërtetë në zemrën tënde dhe ke për të qenë i lumtur. Gjithë krijimi do duket se të buzëqesh – qiejt do të buzëqeshin, toka do të buzëqeshë – po, Perëndia vetë do të të buzëqeshë. Duke i hedhur tej zinxhirët e tij shpirti yt i çliruar do të lëshohet në lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë. Çfarë sovraniteti, çfarë ëmbëlsie dhe çfarë lavdie do të shfaqet në vetë aktin që fal gjithçka, dhe që të prezanton në një botë të re, përplot me aromën e gëzimit dhe ëndjes!
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!