29 Maj – Octavius Winslow
“Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh.” Hebrenjve 10:35
Nuk ka asnjë gjë thelbësisht të gjithëpushtetshme në ndonjë hir të vetëm të Frymës; nëse mendojmë kështu do të thotë që po e hyjnizojmë atë hir: edhe pse rilindja është një vepër frymërore, dhe të gjitha hiret e mbjella në shpirt janë fryt i Frymës, dhe në mënyrë të domosdoshme duhet të jenë frymërorë dhe të pa shkatërrueshëm në natyrën e tyre, megjithatë, ato mund të dobësohen në fuqinë e tyre, të bëhen aq të dobëta dhe të cunguara në prirjen dhe gjallërinë e tyre, sa të radhiten mes “gjërave që janë gati të humbasin.” Kjo është shumë e vërtetë rreth besimit; ndoshta nuk ka asnjë pjesë të veprës së Frymës që sulmohet në mënyrë më të ashpër dhe të vazhdueshme, dhe si rrjedhim është më i ekspozuar ndaj dobësimit, sesa besimi. A të shohim shembujt në fjalën e Perëndisë?
Le të citojmë rastin e Abrahamit, atit të besnikëve; e shohim që ai me urdhrin e Perëndisë e lidhi të birin mbi altar, e ngriti thikën për të bërë flijimin, dhe pa hezituar themi – “Sigurisht që nuk ka pasur kurrë një besim të tilë! Ja ku shohim një besim me karakter gjigant; besim nervin e të cilit nuk mund ta zbutë dot asnjë sprovë, shkëlqimin e të cilit nuk mund ta zbehë dot asnjë tundim.” E megjithatë, nëse e ndjekim historinë e patriarkut edhe më tej, zbulojmë që po ai besim gjigant po dridhet dhe po dorëzohet nën një sprovë më pak të ashpër dhe therëse; ai, i cili mund të dorëzonte jetën e birit të tij të premtuar – birin përmes prejardhjes së të cilit do të vinte Jezusi – në duart e Perëndisë, nuk mund t’i besonte dot të njëjtit Perëndi me jetën e tij. Shohim Jobin, në fillimin e sprovës së tij të thellë e shohim që ai e përligj Perëndinë; lajmëtar pas lajmëtari, me lajme mjerimesh edhe më të thella, por buzët e tij nuk murmurisin aspak; dhe ndërsa tani kupa është mbushur buza-buzës, është vendosur tek buzët e tij, sa ëmbël që tingëllon zëri i dorëzimit të shenjtë, “Zoti ka dhënë, dhe Zoti ka marrë, bekuar qoftë emri i Zotit.” “Në të gjitha këto gjëra Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij,” e me gjithatë po ai besim, që u përkul kështu me butësi nën thupër, u dobësua aq shumë sa e bëri Jobin të mallkonte ditën që kishte lindur.
Ne shohim Davidin, besimi i të cilit në një moment e udhëhoqi në dyluftim me Goliathin, që tani ia mbath nga një hije, dhe thotë, “Unë do të humbas një ditë nga dora e Saulit.” Vini re sesi u pakësua energjia e besimit të Pjetrit, i cili një kohë mund të ecte me guxim mbi detin e stuhishëm, e megjithatë në një moment tjetër arriti ta mohonte Zotin e tij, kur e pushtoi paniku nga zëri i një shërbëtoreje. Kush do të thotë që besimi i njerëzve më të shenjtë të Perëndisë nuk mund të dobësohet fort dhe në mënyrë të trishtueshme në një moment të caktuar? Por nuk ka pse të shohim jashtë vetes për provën dhe ilustrimin e kësaj të vërtete: çdo besimtar le të hetojë veten. Lexues, cila është gjendja e besimit tënd? A është ai gjallë, i zellshëm dhe aktiv sa ishte kur besove në fillim? A nuk ka përjetuar asnjë rënie? A është objekti i besimit po aq i lavdishëm në sytë e tu sa ishte atëherë? A nuk je duke parë tani shkaqet dytësore në mënyrën sesi Perëndia po të trajton, në vend që të ngresh sytë e tu dhe t’i ngulitësh vetëm tek Ai?
Cili është besimi yt në lutje? A po vjen me guxim para fronit të hirit, duke kërkuar dhe duke mos dyshuar? A po i çon të gjitha sprovat, nevojat dhe dobësitë e tua te Perëndia? Si është kuptimi yt për gjërat e përjetshme – a është besimi yt duke u ushtruar në mënyrë konstante dhe të shenjtë në këto gjëra? A po jeton si i huaj dhe shtegtar “duke zgjedhur që të vuash me popullin e Perëndisë,” sesa të lundrosh në detin e qetë të kënaqësive të kësaj bote? Cila është fuqia kryqëzuese e besimit tënd? A të bën të vdekur për mëkatin, a të zvjerdh nga bota, a të shtrëngon që të ecësh përulësisht me Perëndinë, dhe më ngushtë me Jezusin? Kur Zoti të sjell një kryq dhe të thotë “Mbarte këtë kryq për Mua,” a përgjigjet besimi yt me gëzim dhe menjëherë, “çdo kryq, çdo vuajtje, çdo sakrificë për Ty, Zoti im i dashur”? Kështu mund ta vësh në provë natyrën dhe shkallën e besimit tënd; sille tek guri i provës së të vërtetës së Perëndisë, dhe zbulo se cili është karakteri i besimit tënd dhe nëse ka pësuar rënie.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!