29 Prill – Octavius Winslow
“Ju keni marrë plotësinë në Të.” Kolosianëve 2:10
Ja tek kemi një të vërtetë gjerësia e së cilës mund të barazohet vetëm nga vlera e patregueshme e saj. Zoti Jezus është jeta e pranimit tonë me Perëndinë. Ne qëndrojmë si besimtarë në drejtësinë e Kreut të gjallë. Ai ka hyrë brenda velit, “për të dalë tani në praninë e Perëndisë për ne,” duke e përfaqësuar popullin e Tij çdo moment në Veten e Tij. Ky është një drejtësim i tanishëm. “Ju keni marrë plotësinë në Të,” “të pranuar në të Dashurin,” “të drejtësuar nga të gjitha gjërat.” Shpirti i ndriçuar e hedh poshtë krejtësisht përsosmërinë në veten e vet. Ai e mohon plotësinë në ndonjë gjë që është apo ka bërë. Edhe pendimi i tij më i thellë është i paplotë – edhe besimi i tij më i fortë është i paplotë – edhe bindja e tij më e mirë është e paplotë – edhe sakrifica e tij më e kushtueshme është e paplotë – ai qëndron i shtrirë dhe i përulur në pluhurin e tokës. Nuk ka sesi ta mendojë veten e tij si tepër të mjerë – nuk ka sesi të jetë tepër i vogël në sytë e tij.
Gjuha dështon për të shprehur përbuzen e thellë të vetes dhe neverinë e shpirtit të tij ndaj mëkatit. Por shiko, dëgjohet një zë – një melodi e ëmbël dëgjohet – “Ju keni marrë plotësinë në Të.” Në një moment gjithçka është paqe. Shpirti besues pushon nga veprat e tij – shpirti i lodhur hyn në prehje, sepse duke besuar hyn në Jezusin. Tani ai qëndron i plotë në Krishtin. Falja e tij është e plotë – drejtësimi i tij është i plotë – birësimi i tij është i plotë – gjithë personi i tij është i plotë para një Perëndie të shenjtë! A nuk është kjo një e vërtetë e madhe? A nuk është një e vërtetë e lavdishme? Ku është doktrina që ia kalon kësaj? Ku është deklarata që përmban në vete një jetë si kjo? Lexues i dashur, mund të ketë ndodhur që për një kohë të gjatë ke parë drejt vetes tënde për diçka të plotë.
Diçka – në gjykimin tënd mund ta kundërshtosh këtë mendim, megjithatë në zemër ekziston ai parim që ka kërkuar për diçka në veten tuaj për t’ju paraqitur para Perëndisë – diçka për t’ju bërë më të pranueshëm, më të mirëpritur prej Tij. Por shiko se ku gjendet plotësia jote – në dhe vetëm në Krishtin. Oh çfarë e vërtete e çmuar! Një mëkatar i mjerë dhe i neveritshëm, qëndron para një Perëndie të shenjtë, i plotë në drejtësi! Objekti i i dashurisë dhe kënaqësisë së Tij të pafundme, për të cilin Ai ngazëllohet me këngë. Oh sa hyjnore, sa e përfunduar, sa e lavdishme që duhet të jetë ajo drejtësi, e cila e mbulon në mënyrë të tillë shpirtin sa t’ju paraqesë para Perëndisë me një pastërti të panjollë, “pa njolla, rrudha apo gjëra të tilla!”
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!