3 Tetor – Octavius Winslow

3 Tetor

“Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim, të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë. Amen.” Juda 24-25

Cila është ligësia e madhe nga e cila duhet të ruhen shenjtorët e vërtetë të Perëndisë të cilës zemra e tyre e trembur frikësohet? A nuk është largimi i fshehtë dhe i jashtëm nga Perëndia pas kthimit në besim? Sigurisht që ky është, sikurse dëshmohet edhe nga dëshmia e sinqertë dhe e drejtë e çdo njeriu që i druhet Perëndisë. Prandaj, ngushëllimi i tij është të dijë që Jezusi është “në gjëndje ta ruajë nga çdo rrëzim.” Kjo është ligësia më e madhe me të cilën përballet besimtari.

Disa të cilët janë mësuar në mënyrë të papërsosur në fjalën tmerrohen nga braktisja e frikshme e besimit tani dhe nga dënimi final larg pranisë së Perëndisë më pas – duke besuar që edhe pse Krishti ka bërë shlyerjen e plotë për mëkatet e tyre para drejtësisë Hyjnore, e ka anuluar borxhin e tyre jashtëzakonisht të madh, u ka llogaritur atyre drejtësinë e Tij, i ka fshirë shkeljet e tyre, i ka thirrur, i ka ripërtërirë, i ka shenjtëruar dhe ka marrë zotërimin e plotë të tyre me anë të Frymës së Tij, dhe tani është ngjitur lart për të ndërmjetësuar për rastin e tyre para Atit – megjithatë, pas gjithë këtij ushtrimi të jashtëzakonshëm fuqie, pas gjithë kësaj shfaqjeje të një hiri të pashoq dhe falas, ata mund të lihen të përjetojnë një apostazi totale nga Perëndia dhe në fund të humbasin përjetësisht. Nëse ka një doktrinë më të frikshme në natyrën e saj, më shqetësuese në rrjedhojat e saj, dhe që kundërshton në mënyrë më të drejtpërdrejtë lavdinë e Perëndisë dhe nderin e Krishtit, unë mendoj se nuk ka një tjeër përveç kësaj.

Të tjerët që janë mësuar në mënyrë edhe më të qartë nga Fryma dëgjohen të thonë, “Unë besoj në qëndrueshmërinë e besëlidhjes, në pandryshueshmërinë e dashurisë së Perëndisë dhe në besnikërinë e Atit tim qiellor; por kam frikë se mos një ditë kur të përballem me ndonjë tundim shumë të fortë, me ndonjë shpërthim të mëkatit që banon brenda meje, kur armiku të mësyjë si një përmbytje, unë do të bie, do të humbas paqen time, do të turpëroj vëllezërit e mi dhe do të çnderoj Krishtin.”

Besimtar i dashur, me të vërtetë do të rrëzoheshe nëse Ai do të të braktiste në kujdesin tënd qoftë edhe për një çast; por Jezusi është në gjendje të të ruajë nga çdo rrëzim. Lexoji premtimet, besoji premtimet, mbështetu në to. Një vështrim i vetëm i paraqet syrit të besimtarit një litar tresh përmes të të cilit ai ruhet nga rrëzimi. Së pari, Perëndia Atë e mban atë – “të ruajtur prej fuqisë së Perëndisë;” fuqia që krijoi dhe e mban botën mban edhe besimtarin. Qëllimi, dashuria, dhe hiri i përjetshëm i Perëndisë e mbajnë atë: kjo është fija e parë.

Gjithashtu, Perëndia Bir e mban besimtarin: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.” Veprimet e besëlidhjes, bindja e përsosur, vdekja shlyese e Emanuelit e ruajnë besimtarin: kjo është fija e dytë.

Dhe së treti, Perëndia Frymë i Shenjtë e ruan atë: “kur kundërshtari do të vijë si një lum i furishëm, Fryma e Zotit do të lartojë kundër tij një flamur.” (Do ta bëjë t’ia mbathë nga sytë këmbët). Dashuria e butë, besnikëria e besëlidhjes dhe fuqia e gjithëpushtetshme e Frymës së Përjetshëm e ruajnë besimtarin: kjo është fija e tretë.

Prandaj, një litar tresh nuk mund të këputet kollaj. Por me këto premtime të Perëndisë triun për t’i ruajtur njerëzit e Tij nga rrëzimi i ka lidhur me mençuri dhe hir përdorimin e zellshëm dhe me lutje të të gjitha mjeteve që Ai ka caktuar për këtë qëllim.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*