30 Dhjetor – Octavius Winslow

30 Dhjetor

“Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.” Psalmi 73:24

Zot, më jep mundësi që ta shoh më qartë dashurinë Tënde në veprimet e Tua. Vajose sërish syrin tim të besimit, që duke depërtuar edhe renë e errët të mund vëzhgojë pas saj zemrën Tënde, e cila rreh me një dashuri të pafundme dhe të pavdekshme për mua. A nuk do ta pi me nënshtrim të thellë ndaj vullnetit të Tij të shenjtë kupën që Ati im ka përgatitur dhe më ka dhënë? O Zot, nuk guxoj që të kalojë tej pa u shijuar nga buzët e mia: pas shijes së hidhur mund të gjej të fshehur një tregues të dashurisë Tënde. U bëftë vullneti yt. Dëshiroj të jem edhe më pranë teje. Përderisa Ti, Zoti im i bekuar, ishte vetë njeri i vuajtjes – tani të gjitha vuajtjet e Tua kanë kaluar – dëshiroj të kemi bashkësi me vuajtjet e Tua dhe kështu të bëhem i ngjashëm me Ty në vdekjen Tënde.

Më jep hir që durimi të kryejë punën e vet të përsosur në mua dhe të mos më mungojë asgjë. Qetësoje këtë mendje të trazuar. Qetësoje këtë shpirt të tronditur. Fashoje këtë zemër të thyer dhe të plagosur. Thuaju këtyre ujërave të trazuara në të cilat po kaloj, “Paqe, pusho.” Jezus, e lëshoj veten time në gjoksin Tënd të dashur. Kujt mundem dhe kujt do t’ia tregoj brengën time, kujt do t’ia zbuloj pikëllimin tim veçse Ty? O Zot, këto gjëra janë tepër të ndjeshme për ndonjë vesh tjetër dhe tepër të thella për ndonjë dorë tjetërt përveç syrit dhe dorës Tënde. Të bekoj Ty që jam i strehuar në ty o Perëndia im. “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.” Ti e dëgjove lutjen time dhe më je përgjigjur, “edhe pse si përmes zjarrit.” Të kërkova shëndet për shpirtin, dhe Ti më dhe sëmundje për trupin. Të kërkova që të zotërosh gjithë zemrën time, dhe Ti e shkatërrove idhullin tim. Të kërkova që të mund të pi më thellë nga burimi i dashurisë Tënde dhe Ti e shkatërrove cisternën time.

Kërkova të ulem nën hijen tënde me një kënaqësi edhe më të madhe, dhe Ti e thave hardhinë time. Të kërkova një shenjtëri më të thellë të zemrës, dhe Ti m’i hape dhomat e imagjinatës. Por është mirë, gjithçka është mirë. Edhe nëse më vret, megjithatë do të besoj në Ty. Ngushëllues Hyjnor dhe i shenjtë, më udhëhiq te Jezusi, ngushëlluesi im. Dëshmoji shpirtit tim që unë jam fëmijë i Perëndisë, edhe pse gaboj dhe disiplinohem. Zot, unë vij tek Ti! Shpirti im me dëshirë i hap krahët dhe fluturon për në shtëpinë e tij. Lërmë të shkoj para se të agojë dita. Eja tek unë, ose më lër të vij tek Ti. Të jem gjithmonë me ty o Zot ky është qielli vetë. Pse po vonohen kaq shumë rrotat e karrocës tënde? Nxito, Shpëtimtar i bekuar, dhe këputi zinxhirët e mi dhe lërmë të shkoj në lavdi dhe të shoh fytyrën Tënde ballë për ballë dhe të pi nga lumi i dashurisë Tënde – të pi prej tij përjetësisht.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*