15 Tetor – Octavius Winslow

15 Tetor

“Ji syçelë dhe forco mbetjen e gjërave që gati po vdesin, sepse nuk i gjeta të përkryera veprat e tua përpara Perëndisë tim.” Zbulesa 3:2

Fillimet e një gjendjeje dobësimi nuk përfshijnë ndonjë ndryshim në karakterin thelbësor të hirit hyjnor, por në realitet është një prishje e fshehtë e shëndetit, gjallërisë dhe ushtrimit të atij hiri në shpirt. Sikurse në shëndetin fizik, zemra nuk humbet asgjë nga funksioni i saj i natyrshëm, kur për shkak të sëmundjes dërgon një rrahje të dobët dhe të plogësht përgjatë sistemit; po kështu edhe në shëndetin frymëror të besimtarit, hiri hyjnor mund të jetë i sëmurë, i dobët dhe jofunksionues, e megjithatë ta ruajë karakterin dhe cilësitë e tij. Pulsi mund të rrahë dobët, por ende rreh; fara mund të mos jetë e frytshme, por “jeton dhe qëndron përjetë;” natyra hyjnore mund të jetë bërë e plogësht por nuk mund të asimilohet apo të bashkohet me ndonjë gjë tjetër dhe gjithmonë duhet ta ruajë hyjninë e saj të panjollosur dhe të pandryshuar. Megjithatë, pa ndryshuar natyrën e vet, hiri hyjnor mund të dobësohet deri në një pikë shqetësuese në fuqinë dhe ushtrimin e tij.

Mund të jetë i sëmurë, i lëshuar dhe gati të vdesë; mund të dobësohet aq shumë përmes rënies së tij, sa të paraqesë një rezistencë të paefektshme ndaj sulmeve të prishjes; mund të ketë rënë aq poshtë sa armiku mund të kalojë me aq ashpërsi dhe si të dëshirojë mbi të; mund të bëhet aq i paefektshëm dhe aq i dorëzuar, saqë plogështia, fryma e botës, krenaria, lakmitë e mishit dhe të gjitha veset e tjera të ngjashme me to, mund të arrijnë një pushtim të lehtë dhe pa rezistencë. Dobësimi i hirit mund të thellohet edhe pa ndonjë rënie në perceptimin frymëror të gjykimit dhe në lidhje me bukurinë apo hijeshinë e të vërtetës frymërore. Humbja e kënaqësisë frymërore, jo humbja e një perceptimi frymëror, për bukurinë dhe harmoninë e së vërtetës ka për të qenë simptoma që tregon gjendjen e vërtetë të shpirtit.

Gjykimi nuk ka për të humbur asgjë nga drita e tij, por zemra do të humbasë shumë nga zelli i saj; të vërtetat e zbulesës, në mënyrë të veçantë doktrinat e hirit, do të zënë të njëjtën pozitë të lartë për shkak të vlerës dhe bukurisë së tyre, e megjithatë ndikimi i këtyre të vërtetave zor se ndihet. Do të ketë një rënie dakord me Fjalën e Perëndisë; por besimtari mund të jetë krejt i huaj ndaj saj si instrument i shenjtërimit, përuljes, ushqimit; po, kështu duhet të ndodhë ndërsa gjendja e dobësimit vazhdon të thellohet në shpirt.

Gjendja fillestare e rënies mund të mos përfshijë ndonjë ulje të standardit të shenjtërisë, e megjithatë nuk ka ngritje të zemrës, nuk ka një prirje të mendjes drejt një përshtatjeje praktike me atë standard. Gjykimi e pranon ligjin hyjnor, sikurse është mishëruar në jetën e Krishtit, si rregulli për ecjen e besimtarit; e megjithatë perëndishmëria jetësore në shpirt mund të ketë rënë në një nivel aq të ulët dhe të dobët sa të mos ketë dëshirë për përshtatje me Krishtin, asnjë kërkim të shenjtërisë, asnjë “rezistencë deri në derdhjen e gjakut në luftën kundër mëkatit.”

Oh, kjo është një gjendje alarmuese për një të krishterë, kur zemra e tij është në kundërshtim me gjykimin dhe jeta e tradhton rrëfimin! Kur ka më tepër njohuri të së vërtetës se përjetim të fuqisë së saj, më tepër dritë në kuptim se sa hir në ndjenja, më tepër shtirje në rrëfim nga sa ka shenjtëri dhe perëndishmëri në jetë! E megjithatë është e mundur që besimtari i krishterë të bjerë në një gjendje të tillë të trishtueshme. Sa arsye e madhe duhet të jetë kjo që njeriu me ide të kota, që ka thjesht kredon, që bën rrëfime të larta, që ka një ortodoksi të ftohtë dhe pa jetë, që të ndalojë dhe të hetojë zemrën e tij, të shqyrtojë ndërgjegjen e tij dhe të vlerësojë gjendjen e vërtetë të shpirtit të tij para Perëndisë!


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*