30 Korrik – Octavius Winslow

“Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë të jeni edhe ju.” Gjoni 14:3

Kur zemra dhe mishi dështojnë shpejt, dhe këmbët që dridhen zbresin në luginën e errët të hijes së vdekjes, te kush të shohim përveçse në Jezusin? Tani bota po zhbëhet dhe të gjitha krijesat po zbeheh para syve; vetëm një objekt mbetet i cili e mbërthen syrin e besimtarit – dhe ky është Jezusi, Shpëtimtari; është Emanueli, Perëndia i mishëruar dhe i pranishëm; është Kapiteni i shpëtimit tonë, Fitimtari mbi vdekjen, Mundësi i varrit; është miku ynë, vëllai ynë, Jozefi ynë, Jozueu ynë, besnik dhe i dashur, i pranishëm deri në fund. Jezusi është atje për ta ballafaquar sërish vdekjen dhe për ta shkatërruar me armët e tij. Jezusi është atje për t’i kujtuar besimtarit që po e lë këtë jetë se varri nuk është i veshur më me zymtësi, se nuk mund të mburret më për fitore, përderisa Ai vetë kaloi përmes tij, u ngrit dhe u ringjall, dhe jeton përjetë e mot.

Ti që je i sëmurë, në lëngimin tënd shiko drejt Jezusit! Ti që po e lë këtë jetë mes përleshjes tënde me vdekjen, shiko drejt Jezusit! A je fajtor? Jezusi është i drejtë. A je mëkatar? Jezusi është Shpëtimtar. A je i frikësuar dhe po dridhesh? Bariu i tufës është me ty, dhe askush nuk do të mund t’i rrëmbejë delet e Tij nga duart e Tij. Në çmënyrë të plotë dhe të përshtatshme që e trajton ungjilli rastin tënd! Në dobësinë tënde trupore dhe në konfuzionin mendor, ndoshta dy janë të vërtetat mbi të cilat mund të mbështetesh – mëkatshmëria jote dhe shpengimi i Krishtit, zbrazëtia jote dhe mjaftueshmëria e Krishtit. Kjo të mjafton! Nuk ke nevojë për më tepër. Në dobësinë tënde të prekshme, në padenjësinë tënde të vetëdijshme, mes fryrjes së ujërave të ftohta, ngriji sytë lart dhe fiksoji mbi Jezusin, dhe gjithçka do jetë mirë.

Dëgjo fjalët e Shpëtimtarit tënd që të thërret nga bota e ndritshme e lavdisë tek e cila të fton të shkosh. “Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja!” Besimtar, shiko drejt Tij – mbështetu tek Ai – ngjitju Atij – mundohu për Të – vuaj për Të – dhe nëse është nevoja, vdis për Të. Kështu ta duash dhe t’i besosh, të jetosh dhe të vdesësh “vetëm për Jezusin.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*