30 Mars – Octavius Winslow

30 Mars

“Duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit” ‭‭Hebrenjve‬ ‭10:19

Në gjithë lutjen e vërtetë duhet t’i jepet një theks i madh gjakut të Jezusit; ka të ngjarë që asnjë provë tjetër nuk e vë në pah dobësimin në fuqinë dhe përshpirtshmërinë e lutjes më tepër se anashkalimi i kësaj. Atje ku gjaku shlyes humbet nga vështrimi, ku nuk dallohet, ku nuk përgjërohet, atje ku ai gjak nuk bëhet vetë përgjërim i madh, ka një mungesë fuqie në lutje. Fjalët nuk janë asgjë, rrjedhshmëria në të shprehur nuk është asgjë, zbukurimet e gjuhës dhe shkëlqesia e mendimit nuk janë asgjë, madje edhe zelli i dukshëm nuk është ndonjë gjë, atje ku gjaku i Krishtit – udha e re dhe e gjallë për të hyrë tek Perëndia, përgjërimi i madh që bën të lëvizë Gjithëfuqinë, që na jep hyrje në shenjtëroren e shenjtëroreve – fyhet, nënvlerësohet, dhe nuk bëhet themeli i çdo kërkese. Sa shumë që anashkalohet kjo gjë në lutje, sa shumë fyhet gjaku shlyes i Emanuelit! Sa shumë pak e dëgjojmë që të përmendet në shenjtërore, në podium, në qarqet shoqërore, duke qenë se kjo është ajo që e bën lutjen të jetë lutje me Perëndinë. E gjithë lutja është e pranueshme me Perëndinë vetëm ndërsa ngrihet lart e parfumuar me gjakun e Krishtit; çdo lutje merr përgjigje ndërsa parashtron si përgjërimin e vet gjakun e Krishtit; gjaku i Krishtit është ai që përmbush drejtësinë dhe që i përmbush të gjitha kërkesat e ligjit kundër ndesh; gjaku i Krishtit është ai që blen dhe zbret çdo bekim në shpirt; gjaku i Krishtit është ai që garanton përmbushjen e vullnetit dhe testamentit të Tij përfundimtar, dhe çdo trashëgimi e çmuar e të cilit vjen tek ne vetëm për shkak të vdekjes së Tij; është ky gjak që na jep guxim para fronit të hirit. Si mund të guxojë një mëkatar i mjerë të afrohet pa këtë gjak? Si mund të hedhë vështrimin lart, si mund të kërkojë, si mund ta paraqesë veten para një Perëndie të shenjtë, përveçse duke sjellë në duart e besimit gjakun e çmuar të Jezusit? Jashtë Krishtit Perëndia nuk mund të ketë asnjë marrëdhënie me ne; çdo komunikim është ndërprerë, çdo rrugë për t’iu afruar është mbyllur, çdo bekim është refuzuar. Perëndia e ka kurorëzuar Birin e Tij shumë të dashur, dhe do që edhe ne ta kurorëzojmë; asnjëherë nuk mund të vendosim dot një kurorë më të shkëlqyer mbi kryet e tij të bekuar sesa kur mbështetemi tek drejtësia e Tij e përsosur si baza e pranimit tonë, dhe tek gjaku i Tij shlyes si argumenti ynë i madh për marrjen e çdo bekimi nga Perëndia. Prandaj, lexues i dashur, nëse e ndjen që je një mëkatar i mjerë, i ndyrë dhe i pa shenjtë; nëse je dikush këmbët e të cilit janë larguar nga Zoti, në shpirtin e të cilit lutja është dobësuar, e megjithatë ndjen një dëshirë të fshehtë për t’u kthyer, por nuk guxon për shkak se ndihesh kaq i ndyrë, kaq i pa shenjtë, që rrëshqet kaq lehtë; megjithatë mund të kthehesh, “duke pasur pra guxim për të hyrë në shenjtëroren e shenjtëroreve përmes gjakut të Jezusit.” Eja, sepse gjaku i Jezusit përgjërohet; kthehu, sepse gjaku i Krishtit të mirëpret. “Nëse dikush mëkaton kemi një Avokat tek Ati, Jezu Krishtin të drejtin.”


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*