4 Gusht – Octavius Winslow
Thosha: “Ti do të më quash: Ati im!, dhe nuk do të largohesh më nga unë”. Jeremia 3:19
Bashkësia me Perëndinë është mëshira më e lartë, më e pastër dhe më e ëmbël që një shenjtor i Perëndisë mund të ketë mbi tokë. Po, është lumturia më e lartë, më e pastër dhe më e ëmbël që shenjtorët e Perëndisë mund të kenë në qiell. Cila është kënaqësia e qiellit? Jo thjesht përjashtimi nga sprova dhe liria nga pikëllimi, jo prehja nga mundimi dhe çlirimi nga konflikti. Oh jo! Është prania e plotë dhe e pa mbuluar e Atit tonë atje. Të jesh me Krishtin – të shohësh lavdinë e Tij – të soditësh fytyrën e Tij – të dëgjosh zërin e Tij – të ndjesh drithërimat e gjirit të tij – të prehesh në rrezatimin e pranisë së Perëndisë – ky është qielli, është qiell mbi qiej!
Këtu mbi tokë kemi vetëm muzgun e kësaj lavdie. Çdo shpirt i pikëlluar dhe i vetmuar mund të shpallë “Nuk jam vetëm, për shkak se Ati im është me mua.” Po, të dashur, Ati juaj është me ju! “Ti do të më quash Ati im.” Në Jezusin Ai është Ati yt – Ati yt i pajtuar dhe paqësor – të gjitha mendimet e Tij ndaj teje janë paqe, dhe të gjitha udhët në të cilat të çon janë dashuri. Prania, zëri, buzëqeshja e një prindi, sa të çmuara dhe qetësuese që janë ato! Në mënyrë të veçantë kur ajo prani përjetohet, kur ai zë dëgjohet, kur ajo buzëqeshje shfaqet në orën e errët dhe të shkretë të armiqësisë. Perëndia është prindi ynë qiellor. Prania e tij, kujdesi i tij, buzëqeshja e tij janë përherë me fëmijën e tij. Nëse ka një fëmijë të vetmuar të kësaj familjeje që merr pjesë në bekimet e pranisë së Atit është fëmija i sëmurë, i përvuajtur, i vetmuar dhe i disiplinuar.
Po, Ati yt është me ty përherë. Ai është me ty për të të dhënë gëzim dhe ëmbëlsi në vetminë tënde, për të shenjtëruar vuajtjen tënde, për t’i dhënë forcë dobësisë tënde, për të mbrojtur personin tënd, për të të falur mëkatin tënd dhe për të shëruar sëmundjen tënde. Në vetminë tënde të thellë dëgjo fjalët e tij prekëse: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty. Unë do të të ngre me dorën time të djathtë fitimtare.” Mjafton o Ati im nëse Ti je me mua. Nuk jam dhe nuk ka se si të jem vetëm; nëse kjo është lumturia me të cilën më ëmbëlson, nëse kjo është lavdia me të cilën e ndriçon vetminë e fëmijeve të tu të fshehur, qofsha gjithmonë i fshehur – i padukshëm për gjithë të tjerët, në dhomëzën time të fshehtë vetëm me Ty!
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!