5 Dhjetor – Octavius Winslow

5 Dhjetor

“Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të, duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falenderim.” Kolosianëve 2:6-7

Fryma e shenjtëron besimtarin në mënyrën më të efektshme përmes pamjeve të thjeshta dhe të afërta të kryqit të Krishtit. Këtu qëndron sekreti i gjithë shenjtërisë së vërtetë, dhe gjithashtu mund të shtoj, i gjithë lumturisë së vërtetë. Sepse po ta ndajmë lumturinë nga shenjtëria jemi duke ndarë ato që në besëlidhjen e hirit Perëndia i ka bashkuar me urtësi dhe në mënyrë të pandashme. Përjetimi i besimtarit të vërtetë duhet të dëshmojë për këtë gjë. Ne jemi të lumtur vetëm nëse jemi të shenjtë – ndërsa trupi i mëkatit kryqëzohet çdo ditë, fuqia e parimit të brendshëm dobësohet çdo ditë dhe sjellja e jashtme përshtatet më tepër me shembullin e Jezusit. Prandaj, le të mos kërkojmë një ecje të lumtur pa kërkuar një ecje të shenjtë.

Mund të kemi sprova; po, nëse jemi pjesëtarë të besëlidhjes së Zotit do të kemi sprova, sepse Ai vetë ka thënë, “në botë do të keni mundime;” mund të përballemi me zhgënjime – me cisterna të prishura, me shtigje plot gjëmba, me qiej dimërorë; por nëse po ecim në përbashkësi me Perëndinë, nëse banojmë në dritë, nëse jemi duke u rritur të gjitha gjërat e Krishtit, nëse Fryma e birërisë po dëshmon brenda nesh dhe po na udhëheq në një dorëzim pa rezerva prej biri dhe bije të Perëndisë – atëherë ka një lumturi të patregueshme, edhe pse gjendemi në thellësitë e sprovave të jashtme. Një ecje e shenjtë është një ecje e lumtur: ky është rendi i Perëndisë, është caktuar prej Tij dhe si rrjedhim duhet të jetë i urtë dhe i mirë.

Kërkoni arritje të larta në shenjtëri. Mos u kënaqni me një masë të vogël hiri, me një fe prej xhuxhash, dhe me aq krishterim sa për t’u pranuar në qiell. Oh sa të shumtë janë ata që kënaqen me kaq – të kënaqur për ta lënë pa trajtuar çështjen e mëdha të pranimit të tyre në botën tjetër dhe jo në këtë të tanishme – ata mbështeten mbi një provë të vogël, e cila në vetvete është e zbehtë dhe e dyshimtë, ndoshta është një përjetim i shkuar, përshtypje, ndjesi apo gëzime kalimtare të cilat kanë kohë që kanë kaluar; ata kënaqen të jetojnë kështu dhe të vdesin kështu.

Lexues i dashur, mos ji i kënaqur me ndonjë gjë më pak se Krishti i pranishëm, të cilin e pranon, e shijon dhe jeton me anë të tij. Harroji gjërat që ke lënë pas – jepu drejt arritjeve më të larta në shenjtërim – përpiqu të kesh dëshminë e përditshme, përbashkësinë e përditshme me Perëndinë; dhe për hirin tënd, për hir të të tjerëve dhe për hir të Krishtit, “përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*