8 Nentor – Octavius Winslow

8 Nëntor

“Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar.” Romakëve 8:29

Kjo fjalë mund të ketë vetëm një kuptim të natyrshëm. Paracaktimi, në kuptimin e tij më bazë flet për veprimin ekskluziv të Perëndisë në prodhimin e çdo ngjarjeje. Por kjo fjalë përfshin më tepër se kaq; përmbledh vendimin e paracaktuar dhe paravendosjen e një gjëje nga Perëndisë që më parë sipas vullnetit të Tij suprem dhe hyjnor. Greqishtja është përkthyer kështu: “për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.” Sërish, “duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet.” Këtu afirmohet për Perëndinë që e njëjta paravendosje dhe paracaktim për të cilin njerëzit bien dakord t’ia atribuojnë Perëndisë në qeverisjen e materies, vlen njëlloj dhe madje me forcë edhe më të madhe për sa i përket qeverisjes së Tij morale.

Do të dukej e pamundur për të formuar ndonjë ide të saktë për Perëndinë në mënyrë të shkëputur nga ideja e paracaktimit. E megjithatë sa jashtëzakonisht e vështirë është ta fitosh mendjen plotësisht me një njohje të palëkundur në një të vërtetë e cila kur zbatohet në një pikë tjetër pranohet me një gatishmëri të plotë! Çfarë gjëje në zbatimin e këtij ligji në qeverisjen Hyjnore mbi botën materiale, e bën këtë të vërtetë të mos zbatohet në mënyrë të arsyeshme në botën e mendjes? Nëse është e nevojshme dhe me vend në botën materiale, pse të mos jetë aq e barabartë dhe madje edhe më tepër në perandorinë frymërore? Nëse Perëndisë i lejohet ushtrimi i plotë i sovranitetit të Tij në njërën sferë, pse duhet që Ai të përjashtohet nga ushtrimi i një sovraniteti të pakufizuar në sferën tjetër?

Sigurisht që është më e denjë për Të që të paravendosë, të paracaktojë dhe të sundojë në mënyrë supreme në çështjet e botës mbi të cilën shtrihet perandoria e Tij më e shquar dhe më e lavdishme, se sa në botën inferiore të materies duke vendosur një yjësi në qiell, duke drejtuar shtegtimin e zogjve në ajër, duke qeverisur rënien e një gjetheje vjeshte në atje ku nuk shkel këmbë njeriu, apo ta çojë larg farën në erë në vendin ku Ai dëshiron të mbijë. Sigurisht që nëse në njërën nuk pranohet asnjë qeverisje e rastësishme, kjo gjë duhet të mohohet edhe në sferën tjetër mbi baza edhe më të forta dhe të pafundme. Paranjohja dhe provania Hyjnore nuk qëndrojnë mbi asnjë bazë tjetër përveç kësaj.

Veçmas vullnetit dhe qëllimit të Perëndisë nuk mund të ketë asnjë gjë të sigurt në lidhje me të ardhmen; dhe si rrjedhim nuk mund të ketë asnjë gjë e cila paranjihet me siguri. Nëse Provania e Perëndisë nuk do të qeveriste dhe kontrollonte njerëzit, gjërat dhe ndodhitë – në fakt çdo ngjarje – përmes të njëjtit plan të bërë që më parë, kjo do të rezultonte në mundësinë që Perëndia të ballafaqohej me një mijë veprime të paparashikuara, dhe kështu Ai do të vepronte me padituri dhe në kundërshtim me vullnetin e Tij. Atëherë, çfarë është Paracaktimi veçse vullneti përcaktues i Perëndisë?

E gjitha kjo zbatohet me forcë dhe bukuri të madhe në idenë e një Kishe të paracaktuar. Sa qartë zbulohet kjo doktrinë! “Sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota.” “Emrat e të cilëve janë shkruar në librin e jetës së Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës.” “Të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit.” “Që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve.” Çfarë grumbull provash të cilat na vërtetojnë një doktrinë të vetme të Shkrimit! Kush mund t’i rezistojë kësaj të vërtetë me përjashtim të atyre që janë paragjykues, kush mund ta mohojë forcën e madhe të kësaj të vërtete veçse ata që janë skeptikë?

Oh sikur ta pranojmë si fjala e Perëndisë! Ta pranojmë, jo sepse arsyeja mund ta kuptojë, apo njerëzit mund ta shpjegojnë – sepse e gjithë e vërteta që rrjedh prej një burimi të pafundmë sigurisht që duhet ta tejkalojë një mendje të fundme – por për shkak se e gjejmë në fjalën e shenjtë të Perëndisë, Paracaktimi duhet të jetë një e vërtetë Hyjnore, përderisa ajo qëndroj në thelb e lidhur me përshtatjen tonë me shëmbëlltyrën Hyjnore.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*