9 Dhjetor – Octavius Winslow

9 Dhjetor

“Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.” Romakëve 5:1-2

Çfarë themeli për të ngazëlluar që kanë shenjtorët e Perëndisë! Mund të shohësh brenda dhe përreth teje – në shpirtin tënd, në familjen tënde, në rrethanat e tua – shumë gjëra që të trishtojnë, të lëndojnë dhe të shkurajojnë; por vështro të vërtetën e cila ua tejkalon të gjitha këtyre gjërave – lirinë tënde nga dënimi. Po sikur të jesh i varfër – nuk je i dënuar. Po sikur të jesh i munduar – nuk je i dënuar! Po sikur të jesh i tunduar – nuk je i dënuar! Po sikur të jesh i sulmuar dhe i gjykuar nga të tjerët, nuk je i braktisur dhe i dënuar nga Perëndia; a nuk duhet pra që të ngazëllosh?

Shko në qelinë e të dënuarit me vdekje dhe siguroje kriminelin që po pret ekzekutimin se i ke sjellë një falje nga mbreti i tij; po sikur ai të dalë nga burgu dhe nga prangat e tij për t’u përleshur me varfërinë, me pikëllimin, me përçmimin, a do të ankohet dhe qahet vallë, që në shpengimin e jetës së tij të humbur nuk ka asnjë klauzolë e cila ta përjashtojë nga mundimet me të cilat është e lidhur jeta e tij? Jo, jeta për të është një gjë aq e ëmbël dhe aq e çmuar, sa edhe pse është e mbushur me nevoja, e errësura nga turpi, ende i ke dhënë një mirësi e cila bën të ndriçojnë rrezet e diellit brenda dhe përreth tij. Po ne pse të mos “ngazëllojmë me një gëzim të papërshkrueshëm dhe plot me lavdi,” për ne të cilët “përmes shpengimit që është në Jezu Krishtin,” tani nuk ka më asnjë dënim?

Krishti e ka “shpenguar jetën tonë nga shkatërrimi,” edhe pse duhet që “përmes shumë mundimesh të hyjmë në mbretëri,” a nuk do ta shpejtojmë hapin tonë për të hyrë në atë mbretëri, duke ngazëlluar përgjatë udhës, që “tani pra nuk ka më asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus”? “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.”

Ji i zellshëm dhe i përkushtuar për t’u siguruar për veten tënde për çlirimin nga dënimi dhe ndëshkimi i ligjit. Parashtroje faktin madhështor në gjyqin e Zotit përmes lutjes së zjarrtë dhe besimit të thjeshtë. Garantuesi yt e ka anuluar borxhin tënd, e ka blerë lirinë tënde nga vdekja. Përqafoje ngushëllimin dhe inkurajimin e bekimit. Mund të jesh i sigurt, po, mjaft i sigurt për të vërtetën e tij. Asnjë proces nuk është më i lehtë. Thjesht duhet ta largosh vështrimin nga vetja dhe ta kthesh nga Krishti, dhe të besosh me gjithë zemrën tënde që Ai erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, dhe siguria është e jotja. Rendi është ky – “Beso dhe ji i sigurt.” Oh, mos ia lër këtë çështje thjesht rastësisë. Sigurohu për bashkimin tënd me Krishtin, dhe mund të jesh i sigurt që nuk do të kesh asnjë dënim nga Krishti.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*