Komentim – Hebrenjve 10

Hebrenjve 10

nga Methju Henri

Skica e kapitullit

  • Pamjaftushmëria e sakrificave për të hequr mëkatin – Domosdoshmëria dhe fuqia e sakrificës së Krishtit për këtë qëllim. (10:1-18)
  • Argument për guxim të shenjtë që besimtari të hyjë në praninë e Perëndisë përmes Jezu Krishtit, si dhe për të këmbëngulur në besim, dashuri reciproke dhe përgjegjësi. (10:19-25)
  • Rreziku i braktisjes së besimit. (10:26:31)
  • Vuajtjet e besimtarëve dhe inkurajimi për ta ruajtur rrëfimin e tyre të shenjtë. (10:32-39)

Hebrenjve 10:1–10

Pasi apostulli ka treguar që tabernakulli dhe porositë e besëlidhjes në Sinai ishin shebuj dhe tipe të ungjillit konkludon që sakrificat që ofronin krye priftërinjtë vazhdimisht s’mund t’i bënin të përsosur ata që adhuronin për sa i përkiste faljes dhe pastrimit të ndërgjegjes së tyre. Por kur “Perëndia i shfaqur në mish” u bë sakrifica dhe vdekja e tij mbi drurin e mallkimit u bë shpengim, për shkak se Ai që vuajti kishte një vlerë të pafundme, vuajtjet e tij të vullnetshme patën një vlerë të pafundme. Sakrifica shlyese duhej të ishte në gjendje që të ishte e vullnetshme dhe të zgjidhte që ta vendoste veten në vendin e mëkatarit: këtë gjë bëri Krishti. Burimi i gjithë sa Krishti ka bërë për popullin e tij është hiri dhe vullneti sovran i Perëndisë. Drejtësia që u sigurua dhe sakrifica që u ofrua një herë prej Krishtit kanë një fuqi të përjetshme dhe shpetimi i tij nuk ka për të kaluar kurrë. Ato kanë fuqinë që t’i bëjnë të përsosur të gjithë ata që afrohen; ata marrin prej gjakut shlyes forcën dhe motivimin për bindje bashkë me ngushëllimin e brendshëm.

Hebrenjve 10:11–18

Nën besëlidhjen e re apo në epokën e ungjillit gjejmë faljen e plotë dhe përfundimtare. Kjo shkakton ndryshimin e madh mes besëlidhjes së vjetër dhe asaj të tre. Nën besëlidhjen e vjetër sakrificat duhej të përsëriteshin shpesh, dhe në fund të fundit prej tyre mund të merrje vetëm falje në këtë botë. Nën besliëdhjen e re, një Sakrificë është e mjaftueshme që të prodhojë falje frymërore për të gjitha kombet dhe epokat, apo lirinë nga ndëshkimi në botën që po vjen. Për këtë arsye quhet besëlidhje e re. Askush të mos supozojë që ndonjë shpikje njerëzore mund të zërë vendin e sakrificës së Birit të Perëndisë. Çfarë pra duhet bërë veçse që përmes besimit të mbështetmi në këtë Sakrificë; të marrim vulën e saj në shpirtin tonë, përmes shenjtërimit të Frymës për një jetë bindjeje? Kështu përmes ligjit të shkruar në zemrat tona të mund ta dimë që jemi të shfajësuar dhe që Perëndia nuk do t’i kujtojë më mëkatet tona.

Hebrenjve 10:19–25

Pasi apostulli ka mbyllur pjesën e parë të letrës nis zbatimin e doktrinës në praktikë. Për shkak se besimtarët e kishin udhën të hapur për në praninë e Perëndisë ishte me vend që ta përdornin këtë privilegj. Mënyra dhe mjetet përmes të cilave të krishterët i gëzojnë privilegje të tilla është përmes gjakut të Jezusit, përmes meritës së atij gjaku të cilin Ai e ofroi si sakrificë shlyese. Paqtimi i shenjtërisë së pafundme me mëshirën falëse nuk u kuptua plotësisht gjersa natyra njerëzore e Krishtit, Birit të Perëndisë të lëndohej dhe plagosej për mëkatet tona. Udha jonë për në qiell është përmes një Shpëtimtari të kryqëzuar; vdekja e Tij është udha e jetës për ne, dhe për ata që e besojnë këtë gjë Ai ka për të qenë i çmuar. Ata duhet t’i afrohen Perëndisë; të vazhdosh të qëndrosh larg do të thotë të përbuzës Krishtin. Trupat e tyre do të laheshin me ujë të pastër që të kujton pastrimet e urdhëruara nën ligj; prandaj ujërat e pagëzimit duhet t’iu kujtonin të krishterëve që sjellja e tyre duhet të jetë e pastër dhe e shenjtë. Ndërsa marrin ngushëllim dhe hir prej Atit të tyre me të cilin janë pajtuar, besimtarët do ta zbukurojnë doktrinën e Perëndisë dhe Shpëtimtarit të tyre në gjithçka. Besimtarët duhet të konsiderojnë sesi mund t’i shërbejnë njëri-tjetrit, në mënyrë të veçantë për ta nxitur njëri-tjetrin në një ushtrim më të zellshëm dhe të bollshëm të dashurisë dhe veprave të mira. Bashkësia e shenjtorëve është ndihmë dhe privilegj i madh si dhe një mjet qëndrueshmërie dhe këmbënguljeje. Duhet të jemi të vëmendshëm në kohët e sprovave dhe kështu të nxitemi për të treguar një zell më të madh. Mbi të gjithë njerëzit do të vijë një ditë sprove dhe kjo është dita e vdekjes.

Hebrenjve 10:26–31

Nxitjet kundër apostazisë dhe për të këmbëngulur mbështeten nga shumë arsye të forta. Mëkati që përmendet këtu është një largim total përfundimtar, kur njeriu me një vendim dhe vullnet të plotë dhe të palëkundshëm e përbuz dhe e mohon Krishtin, Shpëtimtarin e vetëm; përbuz dhe i reziston Frymës, Shenjtëruesit të vetëm; përbuz dhe mohon ungjillin, të vetmen udhë shpëtimi, dhe fjalët e jetës së përjetshme. Perëndia u jep disa mëkatarëve të mëdhenj mbi tokë një paralajmërim për këtë shkatërrim të frikshëm në ndërgjegjen e tyre, me dëshpërimin për të qenë në gjendje ta durojnë apo t’i shpëtojnë. Çfarë ndëshkim mund të jetë më i ashpër sesa të vdesësh pa mëshirë? Përgjigja është, të vdesësh prej mëshirës, prej mëshirës dhe hirit që kanë përbuzur. Sa i frikshëm është ky rast, kur jo vetëm drejtësia e Perëndisë por edhe mëshira dhe hiri i tij i abuzuar këlthasin për hakmarrje! E gjithë kjo nuk do të thotë aspak që ndonjë shpirt që brengoset për shkak të mëkatit do dëbohet larg mëshirës, apo që ndokujt do t’i refuzohen përfitimet e sakrificës së Krishtit nëse janë të gatshëm t’i pranojnë këto bekime. Atë që vjen tek Krishti ai nuk ka për ta dëbuar.

Hebrenjve 10:32–39

Shumë mundime të ndryshme erdhën kundër të krishterëve të hershëm dhe përjetuan një konflikt të madh. Fryma e krishterë nuk është frymë egoiste; ajo na bën që të tregojmë dhembshuri për të tjerët, t’i vizitojmë, t’i ndihmojmë, dhe të përgjërohemi për ta. Të gjitha këto gjëra janë thjesht hije. Lumturia e shenjtorëve në qiell do të zgjatë përgjithmonë; armiqtë nuk mund t’ua marrin dot këtë lumturi ashtu si bënë me të mirat tokësore. Pjesa më e madhe e lumturisë së shenjtorëve është ende tek premtimet. Sprova e durimit të të krishterëve është të jenë të kënaqur të jetojnë për të përfunduar punën e tyre dhe ta presin shpërblimin gjersa të vijë koha kur Perëndia do t’ua japë vetë. Ai shpejt do të vijë tek ata në momentin e vdekjes për t’iu dhënë fund gjithë vuajtjeve të tyre dhe për t’iu dhënë kurrorën e jetës. Konflikti i tashëm i të krishterëve mund të jetë i ashpër por shpejt do të mbarojë. Perëndia nuk kënaqet kurrë me rrëfimin formal dhe me detyrat apo shërbimet e jashtme të atyre që nuk këmbëngulin; përkundrazi i veshtron me mospëlqim të madh. Ata që kanë qëndruar besnikë në sprovat e mëdha në të shkuarën, kanë arsye të shpresojnë që i njëjti hir do t’i ndihmojë të vazhdojnë të jetojnë përmes besimit gjerësaë të arrijnë plotësimin e besimit dhe durimit të tyre, shpëtimin e shpirtrave të tyre. Shpirtrat tanë janë të sigurt përjetë nëse jetojmë dhe vdesim me besim.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*