Si të lutem sipas Shkrimeve?
nga Pastor John Piper
Pyetja e sotme vjen nga një person i quajtur Dalibor – mendoj që ky emër duket se është Çek. “Pastor John, a mund të më japësh një apo dy shembuj sesi të lutem duke përdorur Shkrimet? Kjo më duket me vend por nuk e kam idenë sesi ta bëj. Si të lexoj në mënyrë të tillë që fjalët të bëhen të gjalla dhe të më flasin në këtë moment në jetën time? Si reflektojnë ndjenjat e mia apo si përshtaten ato me tekstin që po lexoj tani? Apo më mirë të them, ndoshta jeni i gatshëm të luteni përgjatë një pjese të Shkrimit me ne dhe për ne?”
Kjo pyetje më pëlqen shumë sepse të luturit e Shkrimit është shumë i rëndësishëm në jetën e krishterë. Nëse nuk krijojmë zakonin e të luturit të Shkrimit lutjet tona është pothuaj e sigurt që do të degjenerojnë në përsëritje të kota të cilat më në fund përqendrohen tërësisht tek shqetësimet tona private në vend të qëllimeve më të mëdha të Perëndisë. Prandaj, më lejoni ta ndihmoj Daliborin që ta shohë këtë gjë si më pak të huaj. Të shohim nëse mund të jap ndihmën time për ta bërë më pak të huaj këtë praktikë.
Së pari, duhet të vëmë re që kisha e hershme u lut duke përdorur Shkrimin tek Veprat 4:24 dhe në vazhdim. Në fakt, ata në mënyrë të qartë citojnë Shkrimet. Ata ishin kërcënuar dhe aty thuhet, “ata unanimisht e ngritën zërin te Perëndia dhe thanë: ‘O Zot, ti je Perëndia që ke bërë qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta.” Ata po ngazëllojnë në atë që dinë nga Perëndia në Shkrim. Pastaj vargjet 25-26 thonë, “dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: “Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota? Mbretërit e dheut ngritën krye dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij’”. Ky është një citim nga Psalmi 2. Prandaj, ne e dimë që kisha e hershme iu lut Perëndisë me po ato fjalë që Perëndia u kishte dhënë atyre – për shembull, tek Psalmet.
Ja gjëja e dytë. Mos harroni atë që është e dukshme; domethënë, që shumë pjesë të Shkrimit janë lutje. Prandaj, thjesht leximi i tyre është lutje nëse jemi zgjuar – nëse po mendoni për atë që jeni duke bërë. Pali ka lutje të shumta të cilat ai i bën për njerëzit të cilëve jua shkruan letrat e tij. Sa herë që i lexojmë ato duhet të lutemi bashkë me Palin. Një pjesë e madhe e Psalmeve janë lutje dhe Jezusi na dha disa lutje. Unë kam përdorur shkrutimin PHBN nga Psalmet për të më drejtuar në mënyrën sesi unë i kthej Shkrimet në lutje:
P, Përkule zemrën time parimeve të tua (Psalmi 119:36)
H, Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd (Psalmi 119:18)
B, Bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd (Psalmi 86:11)
N, Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde (Psalmi 90:14)
Prandaj Shkrimi na modelon mënyrën sesi të lutemi rreth leximit të Shkrimeve dhe kthimit të tyre në lutje.
Pastaj mendoni për këtë gjë e cila është shumë e dukshme: Shkrimet na thonë diçka për Perëndinë dhe Krishtin kur jemi duke lexuar në mënyrë që t’i lëvdojmë. Ose ato na thonë diçka rreth asaj që Perëndia, Krishti dhe Fryma i Shenjtë kanë bërë në mënyrë që ta falënderojmë dhe të shprehim besim në të. Ose na thonë se çfarë pret Perëndia nga ne në mënyrë që të kërkojmë me lutje ndihmën e Tij. Ose na thonë për diçka të cilën kemi dështuar ta bëjmë në mënyrë që të rrëfejmë mëkatet tona. Prandaj, mua më duket që pothuaj e gjithë Bibla është duke bërë një apo më shumë nga këto katër gjëra: po na thotë diçka rreth Perëndisë, diçka rreth asaj që Ai ka bërë, diçka rreth asaj që Ai pret, diçka që ne kemi dështuar të bëjmë, dhe kështu në mënyrë të natyrshme na udhëheqin në lavdërim të Perëndisë, në falënderim ndaj Tij, në klithmën drejt Tij për ndihmë dhe në rrëfim të mëkatit para Tij.
Por këtu duhet të kemi kujdes: Le të tregohemi realistë. Ajo të cilën e bëjmë lutjen tonë është kuptimi i teksteve dhe jo thjesht fjalët. Kjo është e rëndësishme. Prandaj, për shembull, kur lexojmë pjesë të një libri historik të Dhiatës së Vjetër i cili merr një kapitull të tërë për të treguar një histori, për shembull, për ligësinë e Ashabit të cilën e lexova këtë mëngjes (1 Mbretërve 21). Këtë mëngjes lexova edhe një kapitull të tërë rreth besimit dhe guximit të Shadrakut, Meshakut dhe Abed-Negosë përpara furrës së zjarrtë. Si t’i bësh shkrime të tilla lutjet e tua? Ka të ngjarë që nuk e ktheni çdo varg në një lutje për shkak se kërkohet më tepër se një varg për të theksuar diçka. Dhe kjo është ajo që dua të them. Ne ofrojmë lutje me kuptimin e tekstit. Nuk jemi thjesht duke përdorur fjalët e tekstit në lutje.
Prandaj duhet të lexoni një pjesë të mjaftueshme nga Bibla për të kapur kuptimin. Çfarë është duke u përpjekur të thotë autori në këtë pjesë rreth guximit, kurajos dhe besimit nga Danieli 3? Prandaj, mund t’iu duhet të prisni gjatë tre apo katër minutave të leximit, të ndaloni dhe të thoni, “O Perëndi, më bëj si Shadrakun, Meshakun dhe Abed-Negonë, dhe më fal për qëndrimin tim prej burracaku kur kam frikë se do të turpërohem” apo diçka të ngjashme. E njëjta gjë me Ashabin. U zemërova shumë me të kur ia mori vreshtin Nabotit dhe e vrau (1 Mbretërve 21:1-16). Oh! Profeti erdhi tek ai dhe ia tha në sy: do të biesh në telashe (1 Mbretërve 21:17-24). Aty ka shumë gjëra për t’u lutur. Por duhet ta lexoni të gjithë kapitullin para se ta kapni si duhet në mendjen tuaj.
Dakord, Dalibori më kërkoi që ta bëj këtë gjë. Prandaj do ta mbyll përgjigjen time duke u lutur me Shkrimin. Doja të bëja një pjesë të madhe por kuptova që nuk do funksiononte. Për mua nuk funksionon ashtu. Prandaj thjesht do të filloj me Kolosianëve 2:6, sepse në kohën time të përkushimit kam qenë tek Kolosianëve dhe do t’ju tregoj sesi unë e kthej Kolosianëve 2:6-7 në një lutje. Do ta ndaj në dy pjesë. Kështu dolën gjërat. Pra, fillojmë. Ky është leximi nga Kolosianëve 2:6-7, “Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të, duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falenderim.”
Po, Zoti Jezus, unë të kam marrë Ty dhe të marr sërish tani këtë mëngjes. Të mirëpres që të marrësh kontroll të plotë të jetës time. Nëse jam duke të mbajtur larg në ndonjë mënyrë, nëse jam duke të shtyrë tutje më trego dhe më ndihmo që ta vras atë mëkat. Dëshiroj të eci në ty, në fuqinë tënde, në udhën tënde, në bashkësinë tënde. Ia kushtoj sërish tani veten time kësaj gjëje, ashtu sikurse kam bërë edhe shumë herë të tjera në të shkuarën. Largohem nga gjithë të tjerët, nga çdo gjë tjetër që konkurron me ty si miku dhe ndihmësi im më i ngushtë. Ti i ke dhënë rrënjë dhe themel jetës time. Faleminderit.
Nuk i krijova unë këto rrënjë në ty apo këto gurë themeli të besimit. Këtë e bëri ti. Faleminderit. Faleminderit që dërgove mësues në jetën time. Faleminderit për babain tim dhe për Daniel Fullerin, për Xhonatan Eduardsin, Xhon Ouenin, J. I. Packer dhe R. C. Sproul si dhe dhjetra partnerë në shërbesë përgjatë viteve të cilët më kanë nxitur dhe më kanë mbajtur në shtegun e ngushtë. Sa shumë të falënderoj o Zot! E gjithë kjo është prej teje. Fakti që arrita tek ti, që eci në ty, që jam i rrënjosur dhe i themeluar në ty, e gjithë kjo është prej teje. Të gjithë mësuesit e mi ishin prej teje. Ti je i mirë dhe i mëshirshëm, je një Perëndi i pushtetshëm. Unë them se të dua këtë mëngjes.
Pastaj vazhdoj të lexoj: “Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit, sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.” (Kolosianëve 2:8-9)
Zot Jezus, nuk jam i sigurt nëse e di me saktësi se çfarë janë “elementet e botës.” Por derisa ta mësoj unë lutem që ti të më mbrosh prej tyre. Puna jote në mua është shumë herë më e rëndësishme sesa kuptimi im i përsosur. Më ruaj. Unë i njoh disi rreziqet e traditës dhe filozofisë njerëzore. E kam ndjerë tërheqjen e forcave që duan të më largojnë prej Teje. Oh, faleminderit që jam ende këtu, në këtë moment duke u lutur dhe jo poshtë greminës së mosbesimit. Më jep dallim në mënyrë që të shoh se çfarë është sipas Krishtit, sikurse the ti, në librat që lexoj, në shfaqjet televizive që shoh, në filmat dhe lajmet që shoh.
O Zot, këto forca janë shumë të fuqishme, dhe unë jam tepër i prirur të argëtohem nga ide dhe veprime që nuk janë sipas Krishtit. Ki mëshirë për mua dhe më jep kurajën për t’i thënë jo çdo gjëje që priret të minojë marrëdhënien time me ty dhe guximin tim në të dëshmuar. Zot, si kam mundur të joshem për t’u larguar prej Teje? Në ty gjendet e gjithë plotësia e hyjnisë, thotë Pali, e gjithë plotësia e hyjnisë banon trupërisht në ty. E mahnitshme. E mahnitshme. Absolutisht e mahnitshme. O Krisht, më ndihmo gjithë ditën, çdo ditë, në ditën e sotme që të mahnitem edhe më tepër me ty dhe me plotësinë tënde të hyjnisë në mënyrë që të mos largohem kurrë – bëj që të mahnitem më tepër nga sa mahnitem me ndonjë gjë tjetër. Bëj që të mahnitem me plotësinë tënde të hyjnisë e cila do të veprojë sot. Më bëj një mjet përmes të cilit të tjerët do të mahniten me ty. E bëj këtë lutje në emrin e Jezusit. Amen.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!