Pse John Piper e ndërlikon besimin shpëtues?

nga Pastor John Piper

Pastor John, ju nuk keni frikë ta përkufizoni besimin shpëtues si të soditurit dhe të shijuarit e Krishtit si të lavdishëm në mënyrë supreme. Ju keni shkruar gjëra si: “Të pranuarit e Krishtit si Thesarin tuaj suprem, ky është besimi.” Apo, “Një element thelbësor i besimit shpëtues është të çmuarit e Krishtit mbi gjithçka.” Ose, “Besimi përfshin përqafimin e Jezusit si Thesarin tuaj që ju kënaq plotësisht.”

Sot kemi marrë një email disi kritik nga një dëgjues i quajtur Colin, i cili na shkruan dhe thotë: “Pastor John, më falni, por unë besoj që keni shkuar tepër larg në përkufizimin e besimit. Besimi është thjesht t’i zësh besë Perëndisë. Pikë. ‘Abrahami besoi dhe kjo iu llogarit si drejtësi’ (Romakëve 4:3). Nuk ka dyshim që të dashurit e Jezusit më tepër se çdo gjë tjetër është një fryt i domosdoshëm i besimit, por jo mjeti i shpëtimit. Pse e ke ndërlikuar besimin shpëtues?”

E kuptoj shqetësimin e kësaj pyetjeje që as unë dhe asnjë tjetër nuk duhet ta ndërlikojmë besimin aq shumë saqë një fëmijë i vogël të mos besojë dot dhe të shpëtohet. Mendoj që Perëndia na ka siguruar në Bibël, për të thënë me fjalët e mia atë që tha John Owen, një rrjedhë në të cilën mund fëmijët mund të luajnë dhe një oqean në të cilin mund të notojnë edhe elefantët. Nëse nuk mund t’i imagjinoni dot elefantët në oqean, provoni balenat blu.

Kjo do të thotë që në Bibël, realitet më të rëndësishme paraqiten në mënyrë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta, të cilat nuk janë gjithmonë menjëherë të dukshme në shikim të parë. Mendoj që është e drejtë, e mirë dhe e mençur, në mënyrë të veçantë me fëmijët, që ta trajtojmë besimin shpëtues si thjesht të zënët besë. Domethënë, besoji Jezusit që Ai është Ai që tha se do të jetë, dhe do të bëjë atë që tha se do të bëjë. Kjo është të zënët besë, apo jo? Ji Ai që the se do të jesh. Bëj atë që the se do të bësh, dhe më e rëndësishmja, më shpëto nga mëkati im, nga vdekja dhe nga ferri përmes vdekjes dhe ringjalljes tënde. Mendoj që është e mirë, e drejtë, e mençur, dhe biblike të theksojmë që këtë bën të zënit besë.

Ndërsa lexoni gjithnjë e më tepër nga Bibla, dhe ndërsa bëni gjithnjë e më tepër pyetje për fjalët që përdorni, kuptoni që ka dimensione të aktit të të zënit besë të cilat duhen artikuluar në mënyrë që të kemi një kuptim më të plotë se çfarë përfshihet në këtë gjë. Kjo nuk është vetëm për hir të faktit që John Piper ka një tru tepër hulumtues, por edhe nga fakti që ka pjesë biblike që kërkojnë një lloj reflektimi të tillë.

Për mua, kjo çështja theksohet nga Ungjilli i Gjonit, që në një farë kuptimi është një nga Ungjijtë më të thjeshtë. Në një kuptim tjetër, ky është Ungjilli me më tepër shtresa thellësie kuptimi. Ja se çfarë dua të them me të besuarit tek Ungjilli i Gjonit. Gjoni 1:11-12 thotë, “Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij.” Kush e pranoi Atë, kush e besoi Atë – këto më e pakta janë realitete që mbivendosen për të mos thënë identike. Por kjo menjëherë shtron pyetjen, si çfarë ta pranosh Krishtin? Si çfarë t’i zësh besë? Si Mesia? Si Mbret? Si Shpëtimtar? Si Mik? Si Zot? Si Perëndi? Si Këshilltar? Si këshilltar financiar?

Kjo nuk është shaka. Mendoj që nëse nuk besoni në Jezusin si këshilltari juaj financiar, nuk jeni të shpëtuar. Domethënë, nëse e mohoni këshillën e tij sesi ta përdorni paranë tuaj dhe thoni, “Ti je gdhë. Unë jam i zgjuar,” ky është mosbesim. A nuk është diçka me mend të thuash që besimi shpëtues e pranon Jezusin për gjithë sa Ai është, me aq sa mund të kuptojmë ne që Ai është? Një fëmijë i vogël mund ta pranojë Atë në mënyrë shpëtuese me besim të vërtetë shpëtues për atë që është sipas asaj që fëmija kupton me të vërtetë. Nëse vërtet ka lindur sërish, atëherë do të vazhdojë ta pranojë Atë ndërsa Ai i zbulon gjithnjë e më tepër se kush është përgjatë jetës së tij.

Jezusi tha, “mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë” (Mateu 13:44). Një nga mënyrat sesi e pranojmë Jezusin kur kthehemi në besim është si thesarin tonë. Ai është thesari i fshehur në një arë, dhe kthimi në besim do të thotë të kesh sy për të parë sesa i vlefshëm është Jezusi. Prandaj, ne i besojmë, besojmë, besojmë – Atij të jetë gjithë sa thotë se Ai është për ne; domethënë, të jetë thesari suprem i gjithësisë. Të besuarit në Jezusin e përfshin këtë gjë. Kjo mendoj që na ndihmon të kuptojmë në Ungjillin e Gjonit që ka një lloj të besuari që nuk është vërtet besim shpëtues.

Dëgjoni nga Gjoni 2:23-25, “Dhe kur qe në Jerusalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte, por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë, dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç’kishte përbrenda njeriut.” Me fjalë të tjera, tek ai lloj të besuari ka diçka që nuk shkon. Ka diçka të gabuar. Ky besim nuk është i vërtetë.

Këtë problem mund ta shohim sërish nëse shkojmë tek Gjoni 7:3-5, kur vëllezërit e Jezusit shohin shenjat, besojnë tek ato shenja, dhe sërish quhen jobesimtarë. Dëgjojini këto fjalë, “Prandaj vëllezërit e tij i thanë: ‘Nisu prej këndej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu t’i shohin veprat që ti bën. Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të njihet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!’.” Pastaj Gjoni shton, “Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të.” Uau!

Sigurisht që në një farë kuptimi ata besuan tek Ai. Ti po bën gjithë këto vepra të mrekullueshme. Sigurisht që ti je mrekulli bërësi mesianik që kemi pritur. Por ata nuk e njohën për atë që Ai ishte në të vërtetë. Ata nuk iu nënshtruan udhës së tij të re për të sjellë shpresën mesianike në botë. Ata nuk e dinin që Ai do të vdiste për mëkatet e tyre dhe që do t’iu duhej të hiqnin dorë nga gjithë mburrja e tyre, të merrnin kryqin e tyre dhe ta ndiqnin. Atyre po iu shpëtonte plotësisht identiteti i vërtetë i Jezusit, prandaj i gjithë besimi i tyre tek Ai si mrekulli bërësi mesianik quhet mosbesim.

Këto janë ato lloj gjërash që më bëjnë të ndaloj. Po e studioja këtë gjë dhe pastaj më futi në një kërkim për të zbuluar se çfarë është me të vërtetë besimi shpëtues në Ungjillin sipas Gjoni. Pastaj zbulova që ky varg më ndihmon shumë. Gjoni 6:35, “Jezusi u tha atyre: ‘Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.’” Mua më duket që kjo shkon drejt e në thelb të faktit se çfarë është besimi. Po, të zësh besë. Është të zënit besë Jezusit. Është t’i besosh atij si një lloj buke. Është besimi në të si një lloj uji i gjallë. Një besë që ka të bëjë me një të ngrënë dhe të pirë të tillë që e kënaq shpirtin. Nuk do të kesh më kurrë etje dhe uri nëse pi këtë ujë dhe ha këtë bukë.

Mendoj që kjo ishte ajo që Pali po theksonte kur tha që në rastin e jobesimtarëve Satani ua ka verbuar mendjet “që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata.” (2 Korintasve 4:4). Me fjalë të tjera, të vish tek një besim i vërtetë shpëtues, si fëmijë i vogël apo si i rritur, duhet të përjetosh mrekullinë e shikimit frymëror të lavdisë së Krishtit, shëmbëlltyrës së Perëndisë, si vlera supreme. Me fjalë të tjera, Krishti duhet të perceptohet si i lavdishëm në mënyrë supreme edhe nga përjetimi i një 6 vjeçari. Ka të ngjarë që ai nuk do t’i përdorë kurrë ato fjalë, veçse po të jetë mësuar jashtëzakonisht mirë. Por nuk ka pse t’i përdorë këto fjalë. Megjithatë, ai ka nevojë për mrekullinë e të shikuarit të Jezu Krishtit dhe të zënit besë Atij si më i miri nga të gjithë. Si më i lavdishmi dhe më i vlefshmi nga të gjithë.

Më vjen keq nëse kjo iu duket njerëzve si jashtëzakonisht e ndërlikuar. Ja se cila është shpresa ime. Shpresoj që të mos vendos asnjë gur pengese në shtegun e dikujt për t’i besuar Krishtit. Gjithashtu shpresoj që njerëzit do ta kenë të lehtë të besojnë Jezusin me mendjen frymërore sa është e lehtë edhe për mendjen natyrore të pranjë një trashëgimi prej një miliardë dollarësh.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*