Besnikëri Besëlidhjeje – John MacDuff

“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”

“Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty.” – Isaia 54:10

Malet janë objektet më të qëndrueshme në botën materiale – ata janë emblema më fisnike e pandryshueshmërisë së natyrës. Por edhe ato vetë e kanë “ndryshimin” të shkruar mbi ballin e tyrë madhështor. Koha po i mbush me rrudha – dhe po i ul poshtë me forma kolosale. Ndikimet atmosferike po i nënshtrojnë ato ndaj harxhimit dhe prishjes së vazhdueshme. Alpet e kurorëzuara me borë janë të përfshira në shkatërrimin, “Të gjitha këto gjëra do të shkatërrohen!”

Por edhe më e durueshme se malet e granitit – është mirësia e Perëndisë. Çfarëdo që të jetë gjëja më e dashur për ne mund të ndryshojë – dhe herët a vonë duhet të humbasë. Bima për të cilën jemi kujdesur me aq shumë butësi dhe dashuri – mund të thahet – sikurse bima e Jonës, në momentin kur kemi më tepër nevojë për të! Ari që na është dashur një jetë e tërë për ta grumbulluar – mund të humbasë nga një ndryshim i papritur i fatit tonë! Rrëkeja e cila ka gurgulluar me gëzim për vite të tëra përkrah nesh – mund të thahet krejtësisht. “Dega dhe shkopi i bukur” që lulëzoi në shtëpinë tonë – mund të thyhet, dhe të mbulohet nga gjethet e fishkura poshtë këmbëve tona! Cisterna të cilën e skalitëm me aq shumë mundim – mund të plasaritet nga një e goditur e daltës ndërsa e thellojmë dhe të përhapet përtokë në shumë copëza pa formë!

Dashuria e Perëndisë është e pandryshueshme dhe e palëkundshme! Vini re radhën e hallkave të arta, “mendimeve të çmuara” në vargun e zgjedhur. Ai flet për “besëlidhjen,” “besëlidhjen e paqes,” – për “paqen time” – një besëlidhje që nuk do të “hiqet.” Këto janë garanci të lavdishme. Malet, gurët, pyjet – të gjitha mund të prishen dhe do të prishen; por “Zoti jeton”, “Vitet e Tij nuk do të kenë të sosur!” “Mëshira e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej Tij.”

Asnjë gjë nuk mund ta rrezikojë dot sigurinë e besimtarit – apo ta minojë ruajtjen e tij. Barinjtë në lindje e kishin zakon t’i rrethonin kopetë dhe vathat e tyre me një brez zjarri për t’i mbajtur larg ujqrit grabitqarë, “Unë,” i thotë Perëndia Sionit të Tij, dhe secilit prej fëmijëve të Tij në Sion, “Unë do të jem mburoja prej zjarri. Kjo besëlidhje e paqes Time ka për të qenë si një murr zjarri!” Sapo të jeni futur në tufën Time – do të jeni të sigurt përgjithmonë. Delet e mia nuk do të humbasin kurrë – nuk mund të humbasin dot kurrë!’

“Kauza jonë,” thotë Luteri, “është në duart e Atij i cili mund të thotë me një dinjitet të pakundërshtueshëm, ‘Askush nuk mund t’i rrëmbejë dot nga duart e Mia!’ Nuk do të doja që të ishte në duart tona, dhe as nuk do të ishte e dëshirueshme që të ishte në duart tona. Kam patur shumë gjëra në duart e mia – dhe i kam humbur të gjitha! Por çfarëdo gjëje që kam pasur mundësi ta vendos në duart e Perëndisë – e kam ende në zotërim.” Çarnok thotë, “Satani me lehtësi do të dëbonte edhe vetë Perëndinë nga Qielli, të minonte sigurinë e Krishtit dhe ta largonte atë nga gjiri i Atit nëse do të kishte mundësi t’i privonte njerëzit e Tij nga jeta e tyre frymërore.”

O besimtar, ngazëllohu tek ky Perëndia besnik që e ruan besëlidhjen. Ankoroje shpirtin tënd mbi këtë Shkëmb të vërtetësisë Hyjnore. Armiku i madh me raste mund të përpiqet ta sulmojë sigurinë tuaj – ta lëkundë besimin tuaj – t’iu shtyjë të vini në dyshim interesimin tuaj personal në këtë shpëtim të madh. Por çfarë janë negativet e tij në krahasim me një afirmim të Perëndisë që nuk gënjen? Besëlidhja e Tij e paqes ka diçka më të mirë se vetë gjendja apo ndjenjat tuaja të lëkundshme në të cilën mund të mbështeteni. Ajo besëlidhje është vulosur prej betimit dhe premtimit të Tij. “Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez!”


“Thoughts of God” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*