22 Prill – Octavius Winslow
“Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona.” Isaia 53:4
Në mënyrë që karakteri i Tij si Krye Prifti i popullit të Tij, si Vëllai i lindur për ditën e vështirë, në mënyrë që të “identifikohej me dobësitë tona,” edhe Ai vetë duhet të vuajë. Duhet ta dijë nga përjetimi i dhimbshëm se çfarë është pikëllimi – çfarë janë një frymë e lënduar dhe një zemër e thyer që pikon gjak, një mendje e rënduar dhe e errësuar. Në këtë shkollë Ai duhet të mësojë, të disiplinohet dhe të trajnohet; Ai duhet “të mësonte bindjen përmes gjërave që pësoi.” Sa thellësisht që është mësuar Ai, është trajnuar në mënyrë tërësore, dhe ka mësuar shumë mirë sesi të simpatizohet me një kishë që vuan! Mund të ketë ndodhur që ke shkuar me problemin tënd tek miku yt tokësor; ia ka treguar historinë tënde të mjerimit, ke zbuluar çdo ndjenjë dhe emocion. Por, ah, çfarë si të ka treguar pamja e përhumbur, sytë që shkonin andej-këndej, atmosfera e parehatshme, reagimi i ftohtë, që miku yt, pavarësisht gjithë dashurisë së tij, nuk mund ta kuptonte dot situatën tënde!
Shqetësimi që ta kishte bërë fytyrën të zymtë nuk kishte rënë kurrë mbi të – pikëllimi që ta copëtonte zemrën nuk e kishte prekur kurrë zemrën e tij – kupën që po pije ti ai nuk e kishte shijuar kurrë. Çfarë mungonte? Simpatia, e cila rrjedh nga identifikimi me rrethanën tënde. Ke shkuar tek një tjetër. Ai ka ecur në të njëjtin shteg si ti, e ka hequr të njëjtin telash, shpirti i Tij është mësuar me vajtimin, zemra e Tij është edukuar në sprovë, pikëllimi në disa prej formave të tij më të ashpra ka qenë shoku i tij; dhe tani Ai është i përgatitur për të hedhur vështrimin e Tij simpatizues, veshi i Tij është gati të të dëgjojë dhe zemra e Tij të ndiejë, Ai të thotë, “Vëlla, unë i kam përjetuar të gjitha, i kam ndjerë të gjitha, kam kaluar përmes të gjithave – mund të simpatizohem me gjithçka.”
Ai Miku i miqve, Vëllai i vëllezërve, është Jezusi. Ai ka shkuar para teje; Ai ka lënë një aromë në buzën e asaj kupe që ti je duke pirë tani; Ai e ka njomur me lot dhe ka lënë gjurmët e gjakut të Tij në atë shteg në të cilin po ecën tani; Ai është edukuar në të njëjtën shkollë ku po edukohesh edhe ti tani. Çfarë inkurajimi ta marrësh rastin tënd, me thjeshtësinë e ëmbël të besimit, dhe ta vendosësh para Zotit! Të shkosh t’i tregosh Jezusit, t’i rrëfesh Atij, dhe mbi Të, mëkatin i cili e ka bërë të nevojshme ndreqjen, dhe pastaj vajtimin që ka sjellë kjo ndreqje. Çfarë Krye Prifti i mrekullueshëm që është Jezusi! Si Flijimi i përgjakur mund ta vendosësh dorën tënde të besimit mbi kryet e Tij, dhe të pranosh fajin tënd më të thellë; dhe is Prifti i mëshirshëm, mund ta vendosësh kokën tënde në gjirin e Tij dhe t’i tregosh pikëllimin tënd më të thellë. O Shpëtimtari im i çmuar, a duhet që Ti të zhytesh në këtë poshtërim të thellë dhe të durosh këtë vuajtje të hidhur në mënyrë që të bëhesh pjesë e pikëllimit tim të vetmuar!
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!