1 Maj – Octavius Winslow
“Por ky popull ka një zemër kryeneçe dhe rebele; kthehen prapa dhe ikin.” Jeremia 5:23
Ne shohim praktikën e shkujdesur të besimtarit, qajmë e vajtojmë për të, dhe mirë bëjmë; shohim praktikën tonë, dhe mbulohemi nga një turp dhe konfuzion edhe më i thellë: por harrojmë që shkaku i pikëllimit dhe poshtërimit tonë të hidhur duhet të jetë parimi i fshehur i ligësisë, prej nga edhe rrjedh kjo praktikë jo e shenjtë. Sa të pakët janë ata mes të thirrurve të Perëndisë të cilët rrëfejnë dhe vajtojnë për mëkatin e natyrës së tyre; burimi i papastër prej nga del rrjedha, rrënja e cila nuk është shkulur prej të cilës zhvillohet dega, nga e cila mbështeten dhe ushqehen të dyja. Këtë sheh Perëndia – mëkatin e natyrës tonë të rënë dhe të pashenjtëruar – dhe këtë duhet të shohim edhe ne, dhe pastaj të vajtojmë për shkak të saj. Në tëvërtetë, vrasja e vërtetë e mëkatit konsiston në njohjen e natyrës tonë mëkatare; dhe në nënshtrimin e saj ndaj pushtetit të hirit hyjnor. Arsyeja pse kaq pak besimtarë “i bëjnë të vdesin veprat e trupit me anë të Frymës” është, harresa që kjo punë më së pari dhe më së shumti ka të bëjë me rrënjën e mëkatit në shpirt. “Bëjeni pemën e mirë dhe fryti i saj do të jetë i mirë;” pastroni burimin, dhe rrjedha do të jetë e pastër.
Oh sikur të kishte një njohje më të thellë me paudhësinë e fshehur të natyrës tonë të rënë njerëzore – një mësim më të plotë të së vërtetës, që “në mishin tonë nuk banon asnjë gjë e mirë,” – një përulje e ndjerë me zemër për shkak të kësaj gjëje, dhe rrëfime më të shpeshta të saj para Perëndisë – sa më të larta do të ishin atëherë arritjet e shenjtërisë në shumë besimtarë! Prandaj, në çdo fëmijë të Perëndisë, ekziston një parim i lindur i largimit. Pavarësisht mrekullive të hirit që Perëndia ka bërë për shpirtin – edhe pse Ai e ka zgjedhur, e ka thirrur, e ka rilindur, e ka veshur besimtarin – ky parim i pashenjtëruar dhe i paekzekutuar e tërheq atë larg Perëndisë. A nuk ka diçka vërtet zemërthyese në këtë aspekt të temës tonë? Të jesh subjekt i qeverisjes dashamirëse të Perëndisë e megjithatë të jesh gjithmonë duke u rebeluar kundër Sovranit; të banosh nën strehën e një Ati të dashur e të mirë, e megjithatë vazhdimisht ta trishtosh Atë dhe të largohesh prej Tij; të kesh marrë kaq shumë prova të kushtueshme të dashurisë së Tij, e megjithatë të tregohesh kaq mosmirënjohës. Oh, kjo mjafton për ta zhytur shpirtin në vetëposhtërimin më të thellë para Perëndisë.
Lexues, çfarë ka qenë Zoti për ty? Eja, dëshmo për Të; a ka qenë Ai ndonjëherë shkretëtirë për ty, një tokë e thatë dhe e shkretë? A ka pasur ndonjë gjë në mënyrë sesi të ka trajtuar, në qëndrimin e Tij, në udhët e Tij me ty, që të të bënte t’ia ktheje shpinën Atij? A ka pasur ndonjëherë ashpërsi në qortimet e Tij, a ka pasur ndonjë mungesë dashurie në korrigjimet e Tij, a ka pasur ndonjë gjë gjykuese dhe hakmarrëse në mënyrën sesi të ka trajtuar? Jo, jo përkundrazi, a nuk ka qenë Ai një kopsht i begatë, një tokë e këndshme, një burim ujërash të gjalla për ty? A nuk i ka përzierë vallë me mirësi të gjitha qortimet, a nuk ka treguar butësi në të gjitha disiplinat, dashuri në të gjitha mënyrat si të ka trajtuar; a nuk të ka bërë të madh zemërbutësia e Tij? Atëherë, pse je larguar prej Tij? Çfarë ka në Perëndinë që ta braktisësh, çfarë ka në Jezusin që ta lëndosh, çfarë ka në Frymën e bekuar që ta trishtosh? A nuk gjendet brenda teje dhe vetëm brenda teje shkaku i gjithë largimeve, tërheqjeve, ashpërsisë dhe mungesës së frytshmërisë? Por, nëse ky ka qenë qëndrimi yt ndaj Perëndisë, është e sigurt që nuk ka qenë qëndrimi i Tij ndaj teje.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!