25 Maj – Octavius Winslow
“Por rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.” 2 Pjetrit 3:18
Ekziston një ide fatale për gjithë shenjtërimin e vërtetë, të cilën disa besimtarë, në mënyrë të veçanta ata që janë të rinj në përjetim, priren ta pranojnë – ideja është nuk ka asnjë gjë që duhet bërë në shpirt pasi dikush ka besuar, që pasi ka ndodhur vepra e konvertimit, gjithçka është realizuar. Nuk është aspak kështu, ai sapo ka hyrë në veprën e shenjtërimit – sapo e ka nisur garën, sapo ka vendosur armatimin. Konflikti sapo ka filluar në momentin e konvertimit; prandaj, të rehatohesh me idenë që shpirti nuk ka asnjë gjë tjetër për të bërë përveçse ta pranojë Krishtin si shpëtimin e tij – që nuk ka asnjë prishje që duhet nënshtruar – asnjë zakon mëkatar që duhet prishur, apo mëkate që kanë ekzistuar gjatë dhe janë rrënjosur thellë të cilat duhen vrarë, me rrënjë e me degë – që nuk ka shkallë më të larta të shenjtërisë të cilat duhen arritur, do të thotë të formojmë një pikëpamje të shtrembër për jetën e krishterë, dhe nëse këmbëngulim në këtë gjë do të dalë si shumë e dëmshme në përparimin frymëror të besimtarit.
Shumë të dashur, vepra e shenjtërimit është një vepër e madhe dhe e përditshme. Ajo nis në momentin kur ne zhvendosemi në mbretërinë e Krishtit që këtu në tokë, dhe nuk merr fund deri në momentin kur zhvendosemi në mbretërinë e Perëndisë në qiell. Ideja që përqafohet me aq dashuri nga disa, për një pamëkatshmëri të përsosur këtu, është po aq fatale për shenjtërimin e përsosur sa është dhe kundër Fjalës së Perëndisë. Ata nuk e njohin shumë zemrën e tyre, të cilët nuk e dinë që mëkati, nëse përdorim fjalët e Ouenit, “jo vetëm që banon ende në ne, por është ende aktiv, ende përpiqet të kryejë veprat e mishit;” – njerëz të tillë nuk e dinë që në “mishin e tyre nuk banon asgjë e mirë,” që “ajo që ka lindur nga mishi është mish,” dhe do ta ruajë natyrën dhe prirjet e saj mishore deri në fund.
Le të mos mburremi “sikur ta kemi arritur tashmë, apo që jemi bërë të përsosur,” – le të mos jemi “të paditur ndaj hileve të Satanit,” njëra prej të cilave është që të na nxitë të besojmë se në këtë jetë të tanishme, njeriu mund të pushojë nga puna e vrasjes së mëkatit. Zoti të ruajt nga të pasurit e një ideje kaq të gabuar. Vepra e shenjtërimit është vepra e gjithë jetës. “Kur mëkati të na lërë rehat (sikurse është vënë në dukje), edhe ne do ta lëmë rehat.” Por kur të vijë dita, apo ora, kur mëkati të mos përpiqet të na zotërojë, dhe në të cilën besimtari mund të thotë që e ka vrarë plotësisht armikun e tij? Ai mundet që “përmes Frymës t’i bëjë të vdesin veprat e trupit,” dhe nëse e bën “do të jetojë;” por, përderisa zemra është toka e natyrshme dhe pjellore e çdo barrishteje të keqe të mëkatit, që sapo shkulim një del tjetra, po, e njëjta rrënjë shfaqet sërish në sipërfaqe, me jetë dhe gjallëri të re, kërkohet një vigjilencë dhe kujdes i pandërprerë, një vrasje e vazhdueshme e mëkatit në trup, derisa që ta lëmë mënjanë këtë argjilë të rënde dhe të shkojmë atje ku mëkati nuk njihet më.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!