21 Korrik – Octavius Winslow
“Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona.” Romakëve 8:26
Fjala që këtu përkthehet “ndihmon” fjalë për fjalë do të thotë të marrësh pjesë me. Kjo nuk nëkupton thjesht identifikim me, por një pjesëmarrje personale në dobësitë tona. Fryma na ndihmon në dobësitë tona duke marrë pjesë në to bashkë me ne. Konsideroni dobësitë e përgjithshme të besimtarit – dobësi të cilat nëse nuk ndihmohen nga një tjetër dhe nga një fuqi superiore, do të na mbingarkojnë dhe shtypin – dhe shihni ndihmën që jepet nga Fryma. Jemi mësuar që ta adhurojmë dashurinë e Atit prej nga buron çdo rrjedhë mëshire. Na pëlqen të fokusohemi në dashurinë e Birit, përmes kanalit të së cilës rrjedhin gjithë bekimet e shpengimit. A ta anashkalojmë dashurinë e Frymës së Shenjtë? A t’i harrojmë ngushëllimet e Tij, hirin e Tij, fshikullimat e Tij? Larg qoftë o Frymë e bekuar dhe e përjetshme! Hyjnia jote thelbësore – ekzistenca jote personale – dashuria jote e butë – fuqia jote hyjnore – hiri yt efikas – mëshira jote sovrane – durimi yt i pafund – dhembshuria jote e pashoqe – që të gjitha këto kërkojnë dashurinë tonë më të thellë dhe zgjojnë brenda nesh lavdërimin më të lartë.
Si shprehet kjo dhembshuri e Frymës? Kur e sheh shpirtin e veshur me dobësi, brenda Tij ngjallet dhembshuria. Ai afrohet dhe e kap barrën. I shtrënguar prej një dashurie që s’mund ta konceptojë asnjë mendim, i shtyrë nga një butësi të cilën nuk mund ta shprehë dot asnjë gjuhë, Fryma afrohet dhe vendos fuqinë e Hyjnisë së Tij poshtë presionit – dhe kështu Ai na ndihmon në dobësitë tona. A e dyshon këtë gjë? Të ftojmë të jesh dëshmitar i kësaj të vërtete. Pse nuk ke pëfunduar si rrënojë e shkatërruar? Pse nuk e ka dëbuar prej kohësh dobësia jote arsyen, ta ketë shfarrosur besimin, ta ketë shuar shpresën dhe ta mbushë gjithë të ardhmen me rënë e zezë të dëshpërimit? Si ka mundësi që ke lundruar i qetë dhe i sigurt mbi tallazet e dallgëve, si ka mundësi që ke buzëqeshur me qetësi para valëve që përplasen dhe shkumojnë rreth teje? Si ka mundësi, që në momentet që zemra jote ishte e mbushur me shqetësime gjete lehtësim në një psherëtimë, në një lot, në një vështrim inkurajues, në një mendim rreth Perëndisë?
Oh, kjo ka qenë për shkak se Fryma, në qetësi të plotë dhe i padukshëm ishte pranë teje, i erdhi keq për ty, të ndihmoi dhe mbajti dobësitë e tua. Ishte për shkak se u rrethove nga pushteti i Hyjnisë së Tij. Dhe kur u shtange dhe e humbe krejt, kur ishte pothuaj plotësisht i dorëzuar dhe i humbur, kur iu dorezove zymtësisë së dëshpërimit, i njëjti Frymë t’u afrua, me gjithë dashurinë dhe fuqinë e Tij dhe të ndihmoi duke ndarë dobësinë tënde me ty. Një premtim i përshtatshëm dhe i çmuar u vulos në zemrën tënde – një pamje e qartë dhe ngushëlluese e Krishtit iu paraqit syver të tu – veshi yt dëgjoi një pëshpëritje të butë dashurie, dhe kështu u ndihmove. Presioni u hoq, vajtimi u qetësua, dobësia u bë e fortë, dhe u ngrite superior mbi dobësinë e cila të kishte përkulur deri në pluhur.
Oh, ishte Fryma Ai që të ndihmoi. Edhe pse është trishtuar, lënduar dhe injoruar një mijë herë prej teje dhe ka marrë reagimet më poshtëruese ndaj dashurisë së tij të butë, megjithatë, në momentin kur dobësia jote të kishte përkulur përtokë, kur shpata kishte tejshpuar shpirtin tënd, Ai t’u afruam, e harroi gjithë mosmirënjohjen tënde të ulët dhe i dha verë shpirtit tënd të rrëzuar, ta leu plagën e përgjakur me vaj, dhe vendosi poshtë teje krahët përqafues të dashurisë së Tij të përjetshme.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!