8 Gusht – Octavius Winslow

“Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish.” ‭Romakëve‬ ‭8:3‬

Çfarë është ajo të cilën ligji nuk mund ta bëjë? Ligji nuk ka fuqi për ta vendosur mëkatarin në një gjendje të drejtësuar. Me fjalë të tjera, ligji nuk mund të përmbushë drejtësinë e tij. “Me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajësohej me anë të ligjit të Moisiut.” “Sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit.” Ligji nuk ka as fuqi të japë jetë. “Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit.”

Ligji e shpall mëkatarin e pa drejtësuar të vdekur – fenë e tij të vdekur – veprat e tij të vdekura – besimin e tij të vdekur; por nuk ka fuqi që ta frymëojë shpirtin qoftë edhe me një frymë jete frymërore. Oh çfarë pasioni që i shtyn njerëzit të kërkojnë jetë frymërore nga një ligji i cili ka fuqi vetëm si instrument i vdekjes së përjetshme! Ligji gjithashtu nuk ka fuqi për të bërë ndonjë gjë të përsosur në çështjen e madhe të shpëtimit të njeriut. “Sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë.” Ligji dështon në arritjen e këtyre gjërave. Për këtë arsye është i dobët. Edhe pse ligji është i shenjtë në natyrën e tij, megjithatë ai nuk është në gjendje që ta bëjë mëkatarin të shenjtë. Edhe pse është i drejtë në porositë e tij, megjithatë nuk mund ta drejtësojë të paudhin. Ligji e nderon imazhin Hyjnor, megjithatë nuk ka pushtet ta transferojë atë imazh në shpirt.

Le ta gjurmojmë këtë dështim te shkaku i duhur. Prandaj, prej nga vjen kjo dobësi e ligjit të Perëndisë? Dhe ne përgjigjemi, jo nga ndonjë defekt i qenësishëm në ligj. “Ligji është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë,” dhe në vetvete mjaft i fuqishëm për ta çuar shpirtin në lavdi. Por apostulli na jep përgjigjen – “ishte pa forcë për shkak të mishit.” Ishte e drejtë që ai ta mbronte në këtë mënyrë dinjitetin e ligjit, dhe të pranonte që ligjit i përkiste një forcë e qenësishme dhe një kapacitet i denjë për Atë prej të cilit kishte dalë, dhe i barabartë për arritjen e synimit të madh për të cilin ishte dhënë. Prandaj, dobësia e ligjit duhet të gjurmohet jo tek ndonjë mangësi e intrumentit, por tek mëkatshmëria e njeriut; jo tek agjenti, por tek subjekti.

Çfarë pamje mbresëlënëse që na jep kjo për shthurjen e thellë, për mëkatshmërinë e skajshme të natyrës tonë! Aq e madhe është prishja e mishit saqë e kundërshton dhe e pengon ligjin në punën e tij madhështore të vulosjes së imazhit të tij mbi mendjen e njeriut. Cili duhet të jetë karateri dhe fuqia e asaj mëkatshmërie që mund t’i këpusë lidhjet e fuqisë së tij dhe ta pengojë në qëllimin e tij të shenjtë! Ligji me të vërtetë dëshiron të na bëjë të shenjtë, por shthurja jonë është ajo që e bën të pafuqishëm. Me të vërtetë i tërheq ndjenjat tona të armiqësuara, por zemra jonë është aq larg Perëndisë sa përpjekjet bujare të ligjit të Tij dështojnë. Kështu ligji është i pafuqishëm përmes mishit të prishur dhe mëkatar.

Le të përulemi thellë nga kjo e vërtetë. Sa shumë që poshtërohet krenaria e çdo mburrjeje mishore nga ana jonë! Ku është tani shenjtëria jonë, krenaria mburravece, dhe denjësia e krekosur? Ligji duke qenë gjithmonë në krah të pastërtisë dhe dashurisë, dëshironte të na sillte nën ndikimin e tij të shenjtë dhe të dobishëm, por natyra jonë ndërhyri dhe kështu ligji u bë i pafuqishëm.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*