10 Gusht – Octavius Winslow
“Çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.” Gjoni 15:2
Zoti zbraz para se të mbushë. Ai bën vend për Veten, për dashurinë e Tij dhe për hirin e Tij. Ai e heq nga froni rivalin, e hedh poshtë idhullin dhe kërkon të zotërojë tempullin, duke e mbushur me lavdinë e Tij të patregueshme dhe të shkëlqyer. Prandaj ai e sjell shpirtin në ngushticë të madhe, e përul, por edukimi dhe disiplina është për mëshira më të mëdha, për shërbime më të mëdha dhe për lavdi më të madhe. Për këtë të jeni të sigurt, që kur Zoti është gati t’ju bekojë me një bekim më të madhe dhe më të veçantë, Ai mund t’ju përgatitë për të përmes një sprove të madhe dhe të veçantë.
Nëse Ai është gati t’ju ngrejë në nder, më së pari mund t’ju ulë poshtë në mënyrë që të mund t’ju lartësojë. Nëse është gati t’ju vendosë në një sferë dobie më të madhe dhe të dallueshme, më së pari Ai mund t’ju përfshijë në shkollën e Tij të vështirësisë në mënyrë që të dini si t’i mësoni të tjerët. Nëse Ai është gati ta bëjë drejtësinë tuaj të shkëlqejë si mesdita, Ai mund të bëjë që ajo të kalojë poshtë një reje, dhe duke dalë nga mbulimi i saj i momentit, të mund të shkëlqejë me një rrezatim më të pasur dhe më të gjatë. Kështu i trajton Ai të gjithë njerëzit e Tij. Kështu e trajtoi Jozefin. Ai kishte për synim ta ngrinte atë në një pozitë të lartë ndikimi dhe nderi, më së pari e hodhi në një birucë, dhe këtë e bëri në vetë vendin ku së shpejti do të ishte personi mbi të cilin do shihnin të mahnitur të gjithë njerëzit. Kështu e trajtoi edhe Davidin, Jobin dhe Nebukadnesarin; kështu Perëndia trajtoi edhe Birin e Tij të cilin e lartësoi në të djathtën e Tij nga niveli më i ulët i përuljes dhe vuajtjes.
Konsideroje vuajtjen e tanishme si thjesht përgatitje për lavdinë e ardhshme. Kjo ka për të ta lehtësuar shumë pikëllimin, do të ta bëjë zemrën të bjerë dakord me sprovën, do të të mbështesë për të siguruar synimin e rëndësishëm për të cilin u dërgua. Jeta e një besimtari është thjesht disiplinim për qiellin. Të gjitha trajtimet e besëlidhjes nga Perëndia dhe Ati i tij janë thjesht që ta bëjnë pjesëtar të shenjtërisë së Tij këtu mbi tokë, dhe në këtë mënyrë ta përshtatin atë për të qenë pjesëtar i lavdisë së Tij në qiell. Këtu ai është duke u edukuar për një pozitë më të lartë në qiell. Është thjesht duke u përgatitur për një shërbim tjetër thelbësor më të shenjtë dhe me aq sa dimë ne më aktiv në botën e sipërme. Çdo dobësi që mposhtet, çdo mëkat që mundet, çdo barrë që lihet mënjanë, çdo hap që përparon në shenjtëri, thjesht e forcon dhe e pjek jetën e hirit këtu poshtë, derisa të përshtatet dhe të arrijë synimin në jetën e lavdisë atje lart.
Prandaj, besimtari që vuan le të sigurohet që dalë nga çdo sprovë e furrës me një sasi të konsumuar skorrjesh, me një paudhësi të hequr tej, dhe me një vulosje më të thellë me vulën e dashurisë, shenjtërisë dhe birësimit të Frymës mbi zemrën e tij. Le të sigurohet që ka përparuar drejt gjendjes së përlëvdimit; që është më i përsosur në dashuri dhe shenjtërim – dy elementet madhështorë të qiellit; dhe që si rrjedhim është duke u bërë më i përshtatshëm për trashëgiminë e shenjtorëve në dritë. Kjo është prirja e bekuar dhe e shenjtë e të gjitha veprimeve disiplinuese të një Perëndie dhe Ati të besëlidhjes ndaj një fëmije të dashur të besëlidhjes!
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!