20 Gusht – Octavius Winslow

“Kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.” ‭‭Veprat e Apostujve‬ ‭20:28‬

Hyjnia e Birit të Perëndisë i dha një vlerë dhe gjallëri Hyjnore gjakut që u derdh nga natyra e Tij njerëzore. Kaq i ngushtë dhe intim ishte bashkimi misterioz saqë ndërsa Hyjnia shkaktoi shlyerjen përmes njerëzores, njerëzorja e mori gjithë fuqinë dhe virtytin e saj prej Hyjnores për të bërë shlyerjen. Kishte Hyjni në gjakun e Jezusit; një gjallëri Hyjnore e cila e vulosi vlerën, dinjitetin dhe virtytin e tij të pafundmë.

Vëzhgoni në dy raste se në ç’mënyrë të goditur Fryma e Shenjtë i ka lidhur këto dy të vërtetë; Hyjninë dhe shlyerjen e Jezusit: “Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta.” “Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim dhe kundër njeriut që është shoku im”, thotë Zoti i ushtrive. ‘Godite bariun’.” Këtu vihen në dukje në mënyrë të qartë dhe në lidhjen më të bukur dhe intime Hyjnia dhe shlyerja. Zoti ynë nuk ishte më shumë Prift, sa ishte edhe Flijim; nuk ishte më shumë Ofrues, nga sa ishte Ofertë; në këtë gjë konsistonte vlera e gjakut të Tij. “Mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona.” “I cili e dha Veten e Tij për ne.” “Kur e ofroi Veten.” Çfarë ofroi kur ofroi Veten? Ai ofroi jetën e TIj; jetën e Tij të dyfishtë. Në Kalvar u bë flijimi i Hyjnisë me njerëzoren. Hyjnia nuk vuajti, për shkak se nuk mund të vuajë; dhe as nuk vdiq sepse jeta thelbësore nuk mund të vdesë; por Hyjnia bashkë me njerëzoren përbënë ofertën e vetme që e ka përsosur përgjithmonë shpëtimin e atyre që po shenjtërohen.

Pavarësisht se kjo është një e vërtetë e thellë dhe tepër e mistershme, besimi mund ta pranojë. Kjo e vërtetë ngrihet shumë më lart se arsyeja e megjithatë nuk e kontradikton atë. Edhe pse e tejkalon dhe e lë atë pa mend, nuk e kundërshton dhe as anashkalon. Lexues i krishterë, gjaku tek i cili mbështetesh për shpëtimin tënd nuk është gjak i zakonshëm; gjaku thjesht i një qenieje njerëzore, pavarësisht sa i pastër dhe i pamëkat; por ky është gjaku i Perëndisë së mishëruar, “Perëndia u shfaq në mish.” Ky është gjaku i Atij që është Jeta Thelbësore; Burimi Jetës, “Ringjallja dhe Jeta;” dhe për shkak të jetës Hyjnore të Jezusit nga kjo jetë buron gjallëria e gjakut të Tij shlyes.

Ky është një parim Hyjnor që i jep jetë gjakut të Krishtit! Kjo është ajo çfarë e bën atë një gjak sakrifikues, shlyes dhe pastrues. Kjo është ajo çfarë e aftëson t’i bëjë ballë drejtësisë së Perëndisë për falje dhe pranim; kjo është ajo çfarë e bën aq të efektshëm saqë edhe një pikë e tij po të bjerë mbi ndërgjegjen e kërrusur nga pesha e mëkatit ka për ta shkrirë malin e fajit dhe ka për ta ngritur shpirtin tek Perëndia. Mbahu fort pas sigurisë së besimit tënd në Hyjninë thelbësore të Birit të Perëndisë sepse kjo është ajo çfarë ia jep Shlyerjes së Tij gjithë lavdinë, dinjitetin dhe virtytin.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*