22 Shtator – Octavius Winslow

22 Shtator

“Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati.” Gjoni 16:16

Miqësitë e shenjta që krijojmë në gjendjen tonë të tashme ndikojnë thellë lumturinë tonë të ardhshme. Një mik për kokë – dhe tani jemi duke folur për dhembshurinë që frymëzohet prej një shprese të përbashkët në Krishtin – e konsiderojmë si pjesë të ekzistencës tonë, si një element thelbësor të qenies tonë intelektuale dhe morale. Një mik i tillë identifikohet me pavdekësinë tonë. Dashuria që frymëzon, përbashkësia që ruan, miqësia që shijohet këtu, sigurisht që janë thjesht embrioni, fara, e asaj miqësi e cila në plotësinë dhe përsosmërinë e vet na pret lart në qiell. Vetë karakteri i miqësive të shenjta të tokës na drejton te një zhvillim më i plotë. A është përbashkësia, ndjenjat reciproke që burojnë nga një miqësi e ngrohtë, konfidenciale dhe ekskluzive në përpjesëtim me thellësinë dhe intensitetin e dashurisë që frymëzon?

Mjerisht nuk është kështu. Sa e vogël dhe e papërsosur që është këtu përbashkësia e zemrave të afërta! Vendet, oqeanet, rrethanat i ndajnë dhe vetëm herë pas here pimë nga ëmbëlsia e një përbashkësie të plotë dhe të papërzierë. Pastaj, sa shpesh hyn në mes vdekja e cila hedh hijen dhe zymtësinë e saj mbi thesarin më të dashur të zemrës! Zinxhiri i artë këputet dhe miku ynë i zemrës nuk është më! “Pas pak nuk do të më shihni më,: pëshpërit në zemër çdo miqësi e çmuar dhe e shenjtë. Është vetëm “për pak” që kënaqemi me miqët që Perëndia na jep, dhe pastaj, ata zhduken brena velit të përjetësisë dhe nuk i shohim më. A kanë humbur ata vallë? Oh, jo! Dëgjohet një zë tjetër – është një zë nga qielli që flet – “e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati.” Po! Është vetëm “një kohë e shkurtër,” dhe do t’i shohim ata sërish; sepse ata janë të sigurt në shtëpi dhe po prehen në gjirin e Atit të tyre.

Çfarë është qielli? Ai nuk është ai një vend vetmie. Atje ka shoqëri – ajte ka miqësi. Jeta e të bekuarve do të jetë një jetë e përbashkësisë më të ngushtë personale dhe e kënaqësisë më të lartë shoqërore. Cilat qenie në shtëpinë e Atit do të kenë më tepër gjasa që të marrin pjesë me ne dhe duke marrë pjesë t’i shumojnë gëzimet tona të qiellit? Sigurisht që do të jenë ata që në këtë botë më të ulët ishin më afërt, më të dashur dhe më të identifikuar me ne përmes dashurisë, provanisë, përbashkësisë dhe kohës.

Kur të kemi kaluar përmes portës së vdekjes dhe të gjendemi në lavdi, cilët do të kërkojmë me zell menjëherë të shohim mes shpirtrave të ndritur dhe të shpenguar? A nuk do të jenë ata që i njohëm dhe i deshëm më fort se të tjerët, shoqëria e të cilëve ishte më e lidhur me jetën tonë të shkuar tokësore, saqë nëse nuk i ripërtërijmë të njëjtat miqësi të veçanta, të çliruara tani nga papërsosmëritë e mëkatit dhe të mos shijojmë sërish të njëjtën përbashkësi të shenjtë, a nuk do të ishte ky shkatërrim i kujtesës dhe vetëdijes tonë? Po, edhe pak dhe do t’i shohim ata sërish! Oh çfarë ritakim i bekuar i të shenjtëve që kanë vdekur! Shumë të dashur, edhe pak dhe do t’i shohim ata sërish, sepse ata janë me Atin. Le ta ngushëllojmë njëri-tjetrin me këto fjalë.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*