27 Tetor – Octavius Winslow
27 Tetor
“Dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat; dhe do t’i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta.” Zbulesa 2:23
Kush e ka të drejtën për ta hetuar zemrën? Kush mund ta hetojë detin e pahetueshëm të paudhësisë? Kush mund ta ndjekë vallë në të gjitha gjarpërimet e saj? Kush mund ta dallojë në fshehtësinë e saj të thellë? Kush? “Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen.” Një krijesë – siç e konsideron mohuesi i Hyjnisë së vërtetë të Krishtit – nuk mund ta njohë dot zemrën. Kjo është një përsosmëri e veçantë e Perëndisë, dhe në natyrën e saj duhet të jetë e pa komunikueshme; sepse nëse do të ishte e komunikueshme për një krijesë, nuk mund të ishte e veçantë për Vetë Perëndinë.
Ne themi që nëse do të ishte e mundur që Perëndia t’ia delegonte një krijese pushtetin dhe të drejtën e tij për të hetuar zemrën dhe për të vënë në provë mendjen e bijve të njerëzve, atëherë për të do të mund të thuhej me të drejtë që Ai gjithashtu e heton zemrën. Megjithatë ky atribut i përket Jezusit. Prandaj, a nuk është shumë e qartë prova e Hyjnisë së tij? Kush mund t’i rezistojë kësaj? Çfarë bekimi që rrjedh në shpirtin besimtar nga ky atribut i Krishtit! Gjatë gjithë kohës ky është një ngushëllim për të që të kujtojë se Jezusi e njeh dhe e heton zemrën. Ai sheh dhe nënshtron; sepse premtimi është, “Ai do t’i shkelë paudhësitë tona.” Ai dallon një ligësi të fshehtë, një prishje të mbuluar dhe para se të zhvillohet në një largim të jashtëm, në një veprim të hapur, Ai e frenon dhe e mposht.
Besimtari mund të thotë, “Çfarë mendim i çmuar që gjithë ligësia ime e brendshme, prishja e fshehur e zemrës sime, është e njohur për Perëndinë tim Shpëtimtar. Zot, unë nuk e fsheh një mendim; por këlthas, ‘Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme..’” Ai e sheh gjithashtu edhe veprën e Tij të hirshme në shpirt. Farën e vogël të jetës frymërore që Ai vetë ka hukatur atje – hirin e vogël që Ai e ka mbjellë atje – shkëndijën e vogël të dashurisë që Ai ka ndezur atje – dëshirën e dobët dhe të dridhur pas Tij – përleshjen e brendshme me mëkatin – urinë dhe etjen për shenjtëri – dëshirën për përshtatje me hyjnoren – Jezusi i njeh që të gjitha.
Zoti Jezus e njeh dhe e dallon veprën e Tij: Ai e dallon menjëherë imitimin. Veshja e jashtme dhe fryma e papërulur, rrëfimi i jashtëm dhe zemra e pathyer, nuk i shpëtojnë shikimit të tij mprehtë. Njeriu mund të mashtrohet – Zoti Jezus nuk mashtrohet kurrë. Ne mund të mos jemi në gjendje të bëjmë dallimin mes të drejtit dhe të ligut – mes natyrës dhe hirit – mes rrëfimit të jashtëm dhe realitetit të brendshëm; por Jezusi e di çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rëndomtë – cili është efekti i mirëfilltë i një gjykimi të ndriçuar dhe çfarë është një ndërgjegje e alarmuar.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!