A është Jezusi e vetmja udhë shpëtimi?

nga Pastor John Piper

Të njëjtën pyetje e kemi marrë nga disa dëgjues përmes emial-it këto javët e fundit. Ja pyetja e tyre: Pastor John, a është Jezusi e vetmja udhë shpëtimi?

Jezusi tha, “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati veçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Vetë Jezusi po thotë që nuk ka asnjë udhë tjetër për tek Ati veçse nëpërmjet tij. Më vonë, Pjeti në librin e Veprave e thekson këtë gjë kur thotë, “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat 4:12). Pjetri po i merr fjalët e Jezusit dhe po i çon ato përpara në misionin e kishës duke thënë që nuk ka asnjë emër tjetër të cilit mund t’i drejtoheni për t’u shpëtuar.

Jezusi është testi i lakmusit
Një mënyrë tjetër e mahnitshme sesi Jezusi e trajton këtë gjë është që Ai e bën përqafimin e Tij si Mesian e kryqëzuar dhe të ringjallur testin e lakmusit për fetë e tjera. Nëse jeni duke folur me dikë që ka besimet e veta fetare dhe dëshironi të provoni nëse ata kanë besim shpëtues, paraqitni Jezusin dhe plotësinë e Tij para tyre dhe shihni nëse do ta përqafojnë atë. Jezusi tha, “Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim” (Gjoni 8:19). Me fjalë të tjera, njohja e Jezusit është kushti i njohjes së vërtetë të Atit, domethënë Perëndisë, krijuesit të botës.

“Vetë Jezusi thotë që nuk ka asnjë udhë tjetër për tek Ati veçse nëpërmjet Tij.” #JohnPiper

Tek Gjoni 5:23 Jezusi tha, “Kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.” Ai e bën veten, nderimin e vetes, testin e lakmusit për nderimin e Atit. Ose tek Gjoni 6:45, “Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë.” Nëse një person nuk vjen tek Jezus si Shpëtimtar, si ai që vdiq për mëkatet, si ai që u ringjall së vdekuri, atëherë Jezusi thotë që pavarësisht gjithë pretendimeve të tyre, ata nuk kanë mësuar prej Atit.

Në fillim në Adamin, tani në Krishtin
Le të shkojmë tek Pali në Dhiatën e Re. Një prej pjesëve më të mahnitshme që ka pasur një ndikim misionar tek unë është Romakëve 5:12 dhe në vazhdim. Atje Pali e paraqet Adamin si kreun e racës tonë të njerëzve – të gjithë ne që kemi rënë dhe jemi nën dënim. Krishti është Adami i dytë – kreu i njerëzimit të ri – prandaj tani në Krishtin numërohemi si të drejtë ashtu sikurse u numëruam si mëkatarë në Adamin.

“Nuk ekziston asnjë përgjigje tjetër sepse nuk ekziston ndonjë problem tjetër.” #JohnPiper

Në mendjen e Palit, problemi i gjithë racës njerëzore, i çdo feje ne botë, i çdo fisi dhe populli është i njëjtë, domethën, ne jemi larguar nga Perëndia në Adamin. Jezusi erdhi në botë si përgjigja për atë problem. Nuk ekziston ndonjë përgjigje tjetër për shkak se nuk ekziston ndonjë problem tjetër. Prandaj, koncepti i Palit për të menduarit sesi jemi shpëtuar nga gjendja jonë njerëzore është që kjo gjë u soll në ekzistencë nga Adami dhe Krishti është e vetmja zgjidhje për të.

Misioni
Pastaj Pali e sqaron këtë gjë rreth misionit tek Romakëve 10:14-15 ku thotë, “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar?” Pastaj tek Romakëve 10:17 e qartëson, “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Krishtit.”

Mendoj që ajo fjali është fjala e prerë e Palit rreth misionit për sa i përket pyetjes “a ka mënyra të tjera që njerëzit të thërrasin emrin e Zotit dhe të shpëtohen?” Ai tha, “Jo, nuk ka asnjë emër tjetër; Jezusi është i vetmi. Njerëzit duhet të dëgjojnë për të. Në mënyrë që të dëgjojnë për të, duhet të ketë lajmëtarë, misionarë, apo predikues që do të ndajnë ungjillin.” Kjo ësht mënyra sesi zgjohet besimi. Dhe shpëtimi vjen përmes besimit.

Konkluzioni im është ky: Po, Bibla e prezanton Jezusin si udha e vetme mes të gjitha feve të botës dhe kjo është arsyeja pse ka një mandat kaq të rëndësishëm për kishën që të përhapë ungjillin në të gjithë popujt e botës. Nuk ka shpëtim pa njohur, përqafuar dhe besuar Krishtin si ai që vdiq për mëkatet tona dhe u ringjall sërish.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*