A i mban mend Perëndia mëkatet tona apo i harron ato?
nga Pastor John Piper
Danieli nga Londra shkruan dhe pyet: “Tek Hebrenjve 8:12 thuhet që Perndia nuk do t’i kujtojmë më mëkatet tona. Megjithatë, tek Mateu 12:36 thuhet që do të na duhet të japim llogari për çdo fjalë të pakujdesshme që kemi thënë. Nëse Perëndia nuk i kujton më mëkatet tona pse na duhet të japim llogari? Pastor John, si t’i pajtojmë këto dy vargje që në pamje të parë duken kontradiktorë?”
Kjo është një pyetje e mirë dhe le të fillojmë me faktin që që do të ketë një gjykim të besimtarëve. Megjithatë, le të kemi kujdes. Tani pra, nuk ka më asnjë dënim për atë që janë në Krishtin Jezus, Romakëve 8:1. Ajo fjala ‘tani’ është shumë e çmuar, apo jo? Tani nuk ka më asnjë dënim, që do të thotë, sikurse tha Jezusi, Ju nuk do të vini në gjyq. Domethënë, nuk do të të duhet që të dënoheni. Dënimi juaj ka mbaruar, nuk jeni më fajtorë, jeni të drejtë para Perëndisë së gjallë. Dhe sigurisht, arsyeja është sepse jemi bashkuar me Krishtin. Ndërshkimi i Tij u bë ndëshkimi ynë dhe ringjallja e Tij u bë ringjallja jonë. Tashmë jemi ulur në të djathtë të Perëndisë dhe kemi kaluar nga vdekja në jetë, prandaj, në këtë kuptim ne nuk shkojmë në gjyq. Nuk ka më asnjë dënim. Megjithatë, është e qartë që do të dalim përpara gjyqit sipas veprave tona.
Zbulesa 20:12 thotë që ka libra të shkruar dhe ka gjithashtu një libër. Libri i Jetës është libri në të cilin po qe se ekziston edhe emri yt ti ke jetën e përjetshme. Kurse librat e tjerë janë ata ku janë shkruar veprat e tua, të cilët besoj që do të zbulojnë provën që emri yt bën pjesë në librin e jetës. Por libri i jetës është libri i jetës së Qengjit që u ther që para themelimit të botës dhe si rrjedhim baza për të qenë në librin e jetës nuk është që këtë gjë e keni fituar apo që e keni merituar me veprat tuaja, por se Ai që u therr është Shpëtimtari juaj.
Prandaj, kur do të jetë ky gjykim sipas veprave? Pali e përshkruan këtë gjë tek 1 Korintasve 3. Ai thotë, “Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim, në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit.” Ne pra humbasim apo fitojmë shpërblime në varësi të faktit nëse kemi ndërtuar me dru, kashtë dhe sanë apo me ar, argjend dhe gurrë të çmuar.
Tani, nëse kjo është e vërtetë, nëse ka një shpërblim apo humbje shpërblimi në varësi të asaj që bëjmë, çfarë do të thonë ato tekste ku thuhet që Perëndia nuk i mban mend mëkatet tona, sepse duket sikur, këtu kam mëkatuar qartë dhe ato mëkate do të digjen në atë moment dhe për shkak të kësaj do të humbas shpërblimin prandaj u kujtuan në atë moment ndryshe nuk do të kishin asnjë rol nëse nuk do të kujtoheshin. Ja se çfarë mendoj unë që është kuptimi i kësaj. Perëndia nuk do t’i ri-kujtojë, mendoj që kjo do të thotë se Perëndia nuk ka për t’i sjellë kurrë në mendje mëkatet tona. Domethënë… po e zëvendësoj fjalën kujtoj me ‘ti sjellë në mendje’ si bazën e dënimit tonë. Ai nuk do t’i sjellë ato në mendje në ndonjë mënyrë shkatërrimtare për ne. Në fakt, do të shkoja aq larg sa të thosha që gjithmonë ka për të qenë mirë për ne, e mirë për ne, nëse Ai i sjell ato ndër mend kur konsiderojmë gjithçka.
Ja një analogji e cila më ndihmon. Çfarë mund të themi për harrimin e mëkateve tona? A duhet t’i harrojmë ato apo duhet t’i kujtojmë? Për shkak se tek Filipianëve 3 Pali thotë: “Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara.” Pali pra thotë unë i harroj mëkatet e mia. Nuk jam i paralizuar nga kujtimet e tmerrshme të faktit që po vrisja të krishterët. Po i futja në burg. Po tundja grushtin përpara fytyrës së Perëndisë kur isha duke… Po i harroj të gjitha këto dhe po eci përpara. Megjithatë, tek Efesianëve 2 ai shkroi: “Prandaj kujtohuni se dikur ju johebrenj në mish, të quajtur të pa rrethprerë nga ata që e quajnë veten të rrethprerë, sepse të tillë u bënë në mish, nga dora e njeriut, ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetarinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qenë pa Perëndi në botë.” Pal, çfarë të bëjmë? A duhet të kujtojmë se si ishte për ne para se të shpëtoheshim, sa e tmerrshme ishte dhe çfarë gjërash të tmerrshme bëmë? Apo duhet t’i harrojmë ato gjëra që i kemi lënë pas?
Mendoj që Pali do thoshte: Ne i harrojmë dhe i kujtojmë për atë që është e mirë për ne. Kur thotë t’i kujtojmë, ai po na thotë: Kujtojini në mënyrë që t’ju bëjnë të përulur, dhe jo që t’ju paralizojnë. Kujtojini në mënyrë që të shijoni edhe më tepër hirin, dhe jo për shkatërrimin tuaj. Mendoj që ka të ngjarë që është e njëjta gjë edhe me Perëndinë. Perëndia i kujton dhe nuk i kujton mëkatet tona. Domethënë, Ai i sjell ndër mend dhe kjo vlen ose nuk i kujton në përputhje me atë që është e mirë për ne dhe për lavdinë e Tij.
Prandaj, Perëndia është Perëndi. Ai është i gjithëdijshëm. Ai di gjithçka të shkuar, të tashme dhe të ardhme. Por të mos kujtuarit do të thotë që Ai nuk i sjell mëkatet tona ndër mend për shkatërrimin tonë dhe gjithashtu Ai nuk kujton asnjë gjë tjetër përveç atyre që janë mirë për ne.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!